Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të premten partive parlamentare në Kosovë ta pranojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me themelimin e Kuvendit të ri, duke thënë se “nuk ka më kohë për të humbur” në këtë ngërç politik.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës urdhëroi deputetët e Kuvendit të Kosovës ta zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve.
BE-ja e cilësoi këtë vendim të Kushtetueses si “sqarim të rëndësishëm”, sipas një njoftimi të Zyrës së BE-së në Kosovë. Ajo gjithashtu u bëri thirrje partive parlamentare t’i gjejnë “kompromiset e nevojshme” dhe të lëvizin shpejt me emërimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje. Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.
Sipas vendimit të Kushtetueses, një kandidat nuk mund të hidhet në votim më shumë se tri herë. Vetëvendosje deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.
Kosova është zhytur në një krizë politike si pasojë e mosthemelit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Deputetët kanë dështuar që nga 15 prilli për ta bërë Kuvendin e ri – hap i domosdoshëm për formimin e Qeverisë së re – pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.
Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.
Derisa Vetëvendosje ngul këmbë se Albulena Haxhiu është kandidate meritore, disa prej partive më të mëdha parlamentare, si PDK, LDK dhe AAK, e përjashtojnë atë si “përçarëse”./REL