Faktin që përfaqësues të lartë ndërkombëtarë që kanë vizituar Kosovën nuk e kanë takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në zyrën e kreut të qeverisë, analistët në Kosovë të cilët u shprehën për agjencinë e lajmeve KosovaPress e argumentuan me faktin se ndërkombëtarët nuk duan të përkrahin një qeveri që nuk gëzon legjitimitet të plotë.
“Ka arritur në qeveri të restauruar. Kjo është logjika në të cilën po e ndjek zoti Kurti – me vetëdije apo pa vetëdije. Kjo është normale, pasi perëndimorët punojnë sipas ligjeve dhe kushtetutës. Kushtetuta e Kosovës nuk e njeh një situatë ku ka vetëm gjysmën e qeverisë, me deputetë, ministra dhe kryeministër. Kjo është një anomali, nëse e shohim përmes ligjit dhe kushtetutës. Ndërkombëtarët po e takojnë në restorante, sepse nuk dëshirojnë të jenë pjesë e përkrahjes, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, të ndonjë individi apo qeverie që nuk ka legjitimitet të plotë”, tha ai.
Të njëjtin mendim ndau edhe ish-diplomati Blerim Canaj.
“Shtetet e së drejtës zakonisht i referohen vendimeve të gjykatave. Vendimi i Gjykatës Supreme e ka bërë të qartë që nuk kemi institucione legjitime, dhe për këtë arsye ata janë më të rezervuar në komunikim – për shembull, me Albin Kurtin si kryeministër apo me ministrat, për të cilët thuhet se janë ministra… Zakonisht, nëpër zyrat e ambasadave ftohen përfaqësues të partive politike, ose shkohet në zyra të partive, por jo në institucionet shtetërore, sepse institucionet komunikojnë me institucione. Nëse na vjen kryeministri i një shteti, ai komunikon me kryeministrin e shtetit tonë si përfaqësues institucional. Por kryeministri i shtetit tonë, sipas vendimit të Gjykatës Supreme, nuk është më kryeministër. Dhe për këtë arsye, takimet zhvillohen në zyra të ndryshme, që nënkupton se thjesht po takojnë një përfaqësues të një partie politike, i cili ka predispozita të jetë kryeministër, dhe me të diskutohen temat“, theksoi ai.
Gjashtë muaj pas zgjedhjeve të nëntë shkurtit, ende nuk është arritur krijimi i qeverisë së re në Kosovë, për shkak të krizës së krijuar në Kuvend, ku nuk është arritur konstituimi i legjislaturës së nëntë, për shkak të moszgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës të vendit.
Pas 54 dështimesh për konstituim, Gjykata Kushtetuese doli të premten me përfundimin se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur brenda 30 ditëve.
Kushtetuesja gjithashtu përcaktoi që një kandidat për kryeparlamentar mund të votohet deri në tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.