Universitet

DIPLOMIMI 2025- festë e trefishtë tek KOLEGJI PROFESIONAL I TIRANËS: 10 vjet- mbi 1000 të diplomuar- kalim në kolegjin universitar TCT

Shkruar nga Liberale

DIPLOMIMI 2025- festë e trefishtë tek KOLEGJI PROFESIONAL I

Ceremonitë e diplomimit kanë vetëm një të përbashkët: emrin. Asnjëra nuk i ngjan tjetrës. Çdo vit kurorëzon rrugëtime të ndryshme, histori e karaktere të veçanta, ëndrra dhe emocione të pangjashme. Pavarësisht jetësimit të të njëjtit proces, hedhjes së kapelave si akt i shkëputjes nga detyrimet akademike, fjalët nuk mund ta përshkruajnë atë që përjeton çdo i diplomuar.

Ceremonia e diplomimit të brezit 2023-2025 në Kolegjin Profesional të Tiranës kishte disa arsye për të qenë më e veçantë se paraardhëset. Në këtë ngjarje u kremtuan disa arritje domethënëse për institucionin.

U festuan arritjet akademike të studentëve të diplomuar në dhjetë programet profesionale 2-vjeçare. Ata janë tashmë profesionistë, teknikë të shumë fushave, të gatshëm për të nisur një tjetër rrugëtim të gjatë dhe sfidues. Pas leximit të emrave, ata hodhën me krenari kapelat, mes përqafimeve, urimeve të ngrohta, syve të përlotur të familjarëve, të motivuar e shpresëplotë për një të ardhme emocionuese.

Viti 2025-të është vit jubilar për KPT-në pasi shënon 10-vjetorin e themelimit të këtij institucioni të arsimit të lartë profesional në Shqipëri, një ndër të parët dhe të vetmit që vazhdon të formojë teknikë të mesëm dhe të lartë. Kolegji Profesional i Tiranës u themelua në 2015-ën nga një grup sipërmarrësish, të cilët synonin përgatitjen e profesionistëve që i mungonin tregut të punës në Shqipëri.

DIPLOMIMI 2025- festë e trefishtë tek KOLEGJI PROFESIONAL I

Duke kujtuar fillimet sfiduese, një ndër themeluesit e kolegjit, Laert Duraj, theksoi se KPT ishte risi për kohën e për terrenin shqiptar të arsimit të lartë. “Ne ishim të parët që guxuam në një sektor ku pothuajse asnjë nuk kishte guxuar më parë. Tani pas 10 viteve, me mbi 1000 studentë të diplomuar, tregon më së miri që ia kemi dalë.”

Sipas Durajt, të diplomuarit nga ky kolegj nuk janë vetëm profesionistë të punësuar në sektorë të sigurt, janë edhe një aset i çmuar për vendin dhe ekonominë, e njëkohësisht burim krenarie për kolegjin. Ai falënderoi rektorin e dekadës së parë të KPT-së, prof. dr. Luan Karçanaj, si dhe stafin akademik e administrativ, të cilët kanë kontribuar me përkushtim ndër vite.

“Ky kompleks është kthyer tërësisht në simbol të jetës universitare në të cilin Tirana College of Technolgy qëndron i barabartë mes të barabartëve”, shtoi Duraj, duke kujtuar transformim që kjo zonë ka pësuar gjatë 10 viteve, nga një zonë me natyrë industriale në një zonë mirëfilli urbane.

Kalimi i KPT-së nga kolegj profesional në kolegj universitar ishte ngjarja e tretë e rëndësishme që u festua në këtë ceremoni diplomimi. Me angazhimin e ri për të pasuruar ofertën akademike, duke nisur nga vitit akademik 2025-2026, Tirana College of Technolgy do të ofrojë programe të reja studimi në ciklin bachelor, përtej programeve aktuale profesionale.

DIPLOMIMI 2025- festë e trefishtë tek KOLEGJI PROFESIONAL I

Rektori i KPT-së, prof. dr. Andonaq Lamani, theksoi se ndryshimi i statusit të KPT-së është një lajm i mirë për të gjithë të rinjtë e të rejat që janë të interesuar për formim inxhinierik. “Kalimi i KPT-së në një status më të lartë, lejon kalimin e diplomës nga niveli i pestë në nivelin e gjashtë. Është një arritje, edhe falë jush që diplomoheni sot sepse sfidat, kontributet tuaja dhe të kolegëve tuaj kanë bërë të mundur që institucioni të shkojë në një fazë të re zhvillimi.”

Prof. Lamani solli për studentët thëniet e dy personaliteteve botërore, Steve Jobs dhe Umberto Eco, të cilët e kanë frymëzuar gjatë punës së tij 45-vjeçare në akademi. “Ndiqni rrugën tuaj, përdorni zanatin, dijen dhe përvojën për të ndërtuar identitetin profesional me guxim dhe origjinalitet”, ishin fjalët që profesori solli për studentët, të shkëputura nga fjalimi i famshëm i Jobs në ceremoninë e diplomimit në Stanford, në vitin 2005.

Si ish-nxënës i formimit profesional dhe inxhinier, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi, dha disa këshilla për të rinjtë, pavarësisht rrugëtimit profesional që do të ndjekin në të nesërmen.

“Një gjë ua siguroj nga eksperienca personale: Këto 2 vite ju kanë formuar mënyrën e të menduarit në një formë të tillë që do t’iu shërbejë shumë në jetë. Do të jeni profesionistë, por do të keni edhe një qasje që jo të gjithë e kanë. Ata që studiojnë teknikë, arrijnë të veprojnë, mendojnë dhe prodhojnë në një mënyrë tjetër.”

DIPLOMIMI 2025- festë e trefishtë tek KOLEGJI PROFESIONAL I

Shumë pikëpyetje ngrihen për të ardhmen e tregut të punës, ndërsa thuhet se Inteligjenca Artificiale do të zëvendësojë shumë profesione. Pavarësisht nëse makinat do të jenë me motor me djegie të brendshme, makina elektrike, apo me hidrogjen, Pëllumbi tha se gjithmonë do të ketë nevojë për njerëz që i prodhojnë, i riparojnë dhe i mirëmbajnë. Prandaj, ai i inkurajoi të rinjtë që të mos ndalen në këtë hap të parë, të ecin në fushën e dijes e të zhvillimit profesional.

“Në kushtet që gjendemi, por edhe në të ardhshmen, gjithmonë do të ketë nevojë për profesionistë, për njerëz si ju, të cilët me dijet dhe me eksperiencën do të kontribuojnë në zhvillimin e teknologjisë, industrisë dhe përparimit të vendit”, theksoi ai.

Emocioni i vërtetë i të sapo diplomuarve erdhi i qartë në përshëndetjen e Angjelos Lamçaj, studenti i Teknologjisë së Ajrimit dhe Kondicionimit. Mbajtjen e fjalës para kaq figurave të rëndësishme, pedagogë e prindër, ai e konsideroi provimin më të vështirë.

Rrugëtimi i tij akademik nisi me 4 shtator të 2023-it. Ishte një gjimnazist plot ide, mendime, ëndrra e pyetje për të ardhmen. Si çdo i ri i asaj moshe, pyetja që e mundonte më shumë ishte se çfarë do të bënte më tej për t’u formuar dhe zhvilluar.

“Pas shumë takimeve, bisedave dhe vizitave në laboratorë, pyetja se çfarë do të bëja me jetën kishte marrë përgjigjen e saj. Do të vazhdoja KPT-në, e cila u kthye në një shtëpi të dytë për ne. Falë pedagogëve, sot kemi marrë dijet e duhura dhe vlerat që nuk i gjen në çdo shkollë tjetër, përgatitjen reale për një treg të etur për profesionistë.”

Mbylljen e studimeve e cilësoi një kapitull të ri të jetës së tij. Pavarësisht sfidave, vështirësive, dyshimeve që do të vijnë me përditshmërinë, ai shprehu bindjen se ka marrë mjetet e duhura përvojën, dijen dhe praktikën për të qenë profesionist.

DIPLOMIMI 2025- festë e trefishtë tek KOLEGJI PROFESIONAL I

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH