Universitet

FJALIMI i rektorit të KPT-së, prof. Andonaq Lamani: Ruani gjithmonë kurajën dhe pasionin për profesionin tuaj

Shkruar nga Liberale

FJALIMI i rektorit të KPT-së, prof. Andonaq Lamani: Ruani

Nga Prof. Dr. Ing. Andonaq Londo Lamani*

Kjo ditë përkon me dy ngjarje madhore në jetën e Kolegjit tonë të dashur: së pari me dhjetë vjetorin e themelimit të tij, një rrugëtim i suksesshëm falë jush dhe gjithë stafit akademik, dhe së dyti me kalimin e tij në Kolegj Universitar, një hap cilësor që e ngre këtë institucion në nivel universitar, duke i dhënë mundësinë e përgatitjes së inxhinierëve të ardhshme, krahas teknikëve të lartë me arsim universitar që përgatitëm deri tani.

Kjo është një sfidë por siç ka thënë Presidenti Obama, në një fjalim diplomimi, sfidat nuk mund t’i shmangim – ato janë pjesë e realitetit tonë. Ajo që vlen, është mënyra si ne zgjedhim t’u përgjigjemi atyre.

Ju tashmë keni mjetet dhe aftësitë për t’u përballur me to si profesionistë të përgatitur. Mos kini frike nga sfidat. Ruani gjithmonë ndershmërinë , kurajon dhe pasionin për profesionin tuaj. Ju jeni brezi qe do të ndryshojë realitetin – me dije, me etikë dhe me guxim.

Kolegji ynë është krenar për secilin prej jush dhe beson fort se do të jeni ambasadorë të vlerave dhe cilësisë sonë në tregun e punës dhe më gjerë.

Steve Jobs, një prej novatorëve më të mëdhenj të shekullit XXI, u ka thënë të diplomuarve të Stanford-it: “Mos e jetoni jetën sipas mendimeve të të tjerëve. Edhe unë ju ftoj: ndiqni rrugën tuaj. Përdorni zanatin, dijen dhe përvojën për të ndërtuar identitetin tuaj profesional me guxim dhe origjinalitet.”

Me lart citova disa shprehje të figurave publike botërore që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme  tek unë si mësimdhënës në shkollën e lartë inxhinierike shqiptare, për më se 45 vjet por, mesazhet që më kanë lënë mbresa të thella, të pakrahasueshme, që mund t’ua transmetoj brezave të rinj, janë ato që Umberto Eco, filozof, shkrimtar, studiues e kritik kulturor, i shkroi në një letër, drejtuar nipit të tij, 2 vite para largimit nga kjo jetë, në 2016-ën.

Ndër të tjera, në letrën e tij Eco shkruante:

“Dua të të flas për një sëmundje që ka prekur keq brezin tënd dhe bile brezin e shokëve të tu më të rritur që, për më tepër, ndjekin dhe universitetet: humbjen e kujtesës.

Është e vërtetë se po të shkrepi të dish kush ishte Karli i Madh, apo ku bie Kuala Lumpuri, nuk të duhet veçse të shtypësh ca butona të internetit e ai ta thotë menjëherë. Bëje këtë sa herë të kesh nevojë, por sapo ta kesh bërë, mundohu të mbash mend atë që zbulove, që të mos detyrohesh pastaj ta kërkosh edhe një herë tjetër kur të të paraqitet nevoja për të, fjala vjen, për ndonjë detyrë shkollore. Rreziku është që meqë mendon se kompjuteri të përgjigjet në çdo çast, ti do të humbësh dëshirën për të mbajtur diçka në kujtesën tënde.”

Dhe në mbyllje, në librin e tij “Mos kujtoni se do shpëtoni nga librat”, që është një përmbledhje bisedash nga Jean -Philippe de Tonnac i bashkëbisedimeve të tij me Jan Claude Carriere; në pyetjen a do të zhduket libri nga shpikja e internetit, ai përgjigjet: “Ndoshta ai mund të zhvillohet sa u përket përbërësve ts tij , ndoshta faqet nuk do të jene më prej letre, por libri do të mbetet ai që është”.

*Fjala e plotë e Prof. Dr. Ing. Andonaq Londo Lamani, rektori i ri Kolegjit Profesional të Tiranës, në ceremoninë e diplomimit të studentëve, më 9 korrik 2025. Prej vitit të ri akademik KPT nis rrugëtimin si kolegj universitar me ofrimin e programeve të reja të studimit.

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH