Universitet

Rikthimi në shtëpi i alumni UET Joana META: Do të humbisni gjithçka nëse nuk provoni

Shkruar nga Liberale

Rikthimi në shtëpi i alumni UET Joana META: Do të humbisni

Nga Joana Meta*

Çfarë magjie po ripërjetoj sot! E njëjta ndjesi, i njëjti emocion si para 10 vitesh. Më lejoni të tregoj një  histori të shkurtër për ardhjen time sot, këtu.

Një ditë të bukur marr një mesazh nga zysh Elona – një ftesë për të mbajtur një fjalim motivues. Nuk besoj se mora më shumë se 3 apo 4 sekonda për t’u përgjigjur dhe për të shprehur gatishmërinë time.

“Zysha,” i thashë, “më lër vetëm të kontrolloj kalendarin dhe ta konfirmoj në mbrëmje.” Nga entuziazmi, as nuk e kuptova që fjala kyçe ishte “fjalim motivues”. Me një furi mendimesh në kokë, më vonë fillova të reflektoj. Si do ta nis? Si do t’i përshëndes? Si do t’i motivoj?

Kam mbajtur shumë fjalime, por ky është ndryshe. Dhe e vetmja mënyrë e vërtetë për ta bërë këtë, mendova, është të jem e sinqertë. Të ndaj historinë time me sfidat, dështimet dhe arritjet përgjatë rrugës. Kanë kaluar plot 10 vite që kur hodha kapelën e diplomimit dhe kujtimet u kthyen menjëherë, aq shumë sa fjalimin e shkrova po atë ditë, në tren, rrugës për në shtëpi. Hodha të gjitha mendimet në letër që të mos më largoheshin.

Përpara se të ndaj trilogjinë time me UET, më lejoni të them diçka që ndoshta po e dëgjoni shpesh sot: Është vërtet kënaqësi e veçantë për mua të jem këtu sot. Kampusi i UET është vendi ku trokita për herë të parë si studente. Ku u rrita, u formova dhe ku kam kaluar tre vite si studente në degën Financë-Bankë. Aty kuptova për herë të parë rëndësinë e modeleve të suksesit. Dhe pikërisht në ato auditorë kanë lindur shkëndijat e çdo gjëje që ka ardhur më pas.

Tre momentet kyçe të lidhura me UET fillojnë me ditën e parë në kampusin e universitetit. Ishte një ditë e nxehtë gushti kur vendosa të trokas në derën e UET. Që në çastin e parë e dija: ky ishte vendi im. U ndjeva e mirëpritur. Trokita me ëndrra të mëdha, që ndoshta as vetë nuk i besoja në atë kohë. UET-in e kisha parë vetëm në reklama televizive deri atëherë, por brenda pak minutash ndjeva se kisha bërë zgjedhjen e duhur. Procesi i regjistrimit ishte i thjeshtë. Falë rezultateve të mira, m’u ofrua edhe një bursë studimi.

Momenti i dytë: Vitet e formimit

Më shumë sesa një moment, janë 3 vite që nuk do t’i harroj kurrë, plot punë, sfida, aktivitete, provime, miqësi, eksperienca që shërbyen më vonë si bazat e një karriere ndërkombëtare.

Momenti i tretë dhe finalja e madhe ishte periudha e fundit në universitet, ku gjatë përgatitjeve për aplikimet jashtë vendit gjeta një mbështetje të jashtëzakonshme nga profesorët dhe stafi akademik. Pikërisht në atë periudhë kuptova sa rëndësi ka zgjedhja e universitetit, cilësia e mësimdhënies, diploma që mban në dorë dhe mbi të gjitha, vetëdija mbi mundësitë që na rrethojnë, se sa e rëndësishme është t’i japësh vlerë kohës.

Pas diplomimit u zhvendosa në Varshavë për studimet master. Një qytet i panjohur, një kulturë tjetër, por një eksperiencë që më mësoi të dal nga zona e komfortit dhe të vë në punë njohuritë që kisha marrë në UET. Mësova se si “e panjohura” bëhet papritmas “e zakonshme”, dhe rutina e re – një normalitet i ri.

Pas 5 vitesh në role të ndryshme në Goldman Sachs dhe JP Morgan (2 nga bankat më të mëdha të investimeve në botë), ndjeva se e kisha ezauruar kohën time në Varshavë, kisha dhënë dhe marrë gjithçka nga ajo eksperiencë. Hapa hartën dhe, pasi bëra një analizë të shkurtër kosto-përfitimi, zgjodha destinacionin e radhës: Londra. Me vetëbesim dhe entuziazëm mendova: Do të jetë e lehtë. Aplikimi i parë – refuzim. Aplikimi i dytë – refuzim. Dhjetë aplikime më vonë – të gjitha refuzime.

Riformatova CV-në. Aplikova sërish. Çdo ditë pas pune, nëse merrja 1 refuzim, dërgoja 2 aplikime të tjera.

 “Na pëlqen profili juaj, por nuk keni të drejtë pune.”

“Jeni kandidatja ideale, por nuk ofrojmë sponsorizim vize.”

“Na vjen keq.” – Shprehjet që dëgjoja çdo ditë.

Njëmbëdhjetë muaj më vonë, pas shumë aplikimesh, mjaftoi një kompani, disa raunde intervistash dhe një zonjë suedeze në anën tjetër të telefonit më tha: “Unë të dua në ekipin tim. Më lër të flas me avokatin për procedurat e vizës.”

Një muaj më vonë, me dy valixhe në dorë, e gjeta veten drejt jetës që e kisha ëndërruar gjithmonë. Dhe ndaj dhe ju ëndërroni, ëndërroni, ëndërroni! Mos ndaloni kurrë së ëndërruari. Çdo gjë që është shpikur sot, ka qenë ëndrra e dikujt dje. Skiconi vizionin tuaj dhe imagjinojeni veten tuaj diku dhe punoni fort, me dedikim dhe “smart” për ta sjellë në jetë kanavacën që keni pikturuar dhe për të skalitur versionin më të mirë të vetes.

Punoni derisa të jeni në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe me njerëzit e duhur. Kur të keni mbërritur aty ku kishit imagjinuar, mos harroni se nga vini dhe t’i jeni mirënjohës bashkudhëtarëve e udhërrëfyesve. Bota, mundësitë dhe e ardhmja janë atje, thjesht duhet të dilni dhe t’i merrni. Asgjë nuk humbet duke provuar dhe riprovuar fundja, por, humbet gjithçka po nuk provuat. Mos kini frikë nga dështimi, por trembjuni pafund pendimit.

Në situata të ndryshme, të jetës së përditshme profesionale dhe jo vetëm, shpesh më vjen ndërmend UET. Dhe ndihem mirënjohëse për gjithçka që më është ofruar, dhe për mundësinë që sot të kthehem aty ku e kam nisur dhe përsëri të ndihem si në shtëpi. Të paharrueshme janë të gjitha ato përpjekje të stafit akademik, që me përkushtim dhe dashuri, ditë pas dite, transmetojnë jo vetëm dije por edhe ju përgatisin profesionalisht dhe moralisht për të ardhmen. Punojnë pa u lodhur dhe, me vetëdije apo jo, bëhen modele frymëzimi. Në një akt të fundit solemn, universiteti sot feston bashkë me ju. Zemra e universitetit rreh dhe ju jeni rrahjet.

Ju sot keni plotësuar një milestone të rëndësishëm në karrierën tuaj. E sikundër çdo fillim e ka një fund, edhe çdo fund është një fillim i ri. Edhe ju sot po filloni një kapitull të ri pasi keni fituar një betejë shumë të rëndësishme të luftës që ju pret përpara. Prandaj, ju uroj të gjithëve shumë shëndet, lumturi, dashuri – dhe po, edhe para.

Këshilla e fundit prej meje: t’i dëgjoni prindërit dhe t’iu qëndroni pranë!

*Fjala e plotë e alumni UET Joana Meta në ceremoninë e diplomimit të brezit të 17-të, cikli bachelor, të Universitetit Europain të Tiranës/ 10 Korrik 2025

Liberale Newsroom

Poll
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH