I ftuar në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Kolegjit Profesional të Tiranës, kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Arben Pëllumbi, dha mesazhe frymëzuese për profesionistët e rinj që i shtohen tregut të punës.
Si ish- nxënës i formimit profesional dhe inxhinier, ai theksoi se studentët e shkollave profesionale nuk marrin vetëm një profesion. Sipas tij, ata fitojnë një mënyrë të menduari dhe të vepruari krejt tjetër, që është fuqia e cila do t'i shoqërojë gjithë jetën.
“Ishte kënaqësi të isha pjesë e ceremonisë së diplomimit në Kolegji Profesional i Tiranës, aty ku nisin kapituj të rinj për dhjetëra profesionistë të rinj që i bashkohen tregut të punës me dije, pasion dhe përkushtim.
Si ish-nxënës i formimit profesional dhe inxhinier, ndava me ta një mesazh të thjeshtë: këto dy vite nuk ju kanë dhënë vetëm një profesion, por një mënyrë të re të të menduarit - një forcë që do t'ju shoqërojë gjatë gjithë jetës. Do të jeni profesionistë të zotë, por edhe qytetarë që mendojnë ndryshe, veprojnë ndryshe dhe krijojnë ndryshim.
Urime të gjithë të diplomuarve - rruga juaj sapo ka nisur dhe e ardhmja është në duart tuaja!”, shkruan Pëllumbi në Facebook.
Kjo ceremoni diplomimi përkonte me disa ngjarje të rëndësishme për Kolegjin Profesional të Tiranës. U festua jo vetëm kurorëzimi i arritjeve të dhjetëra profesionistëve, por edhe 10 vjetori i kolegjit profesional 2-vjeçar, i cili çeli dyert në 2015-ën për të përgatitur teknikë të mesëm e të lartë.
Pas një dekade, KPT ka fituar një status të ri duke kaluar në kolegj universitar me emrin Tirana College of Technolgy. Përveç programeve profesionale, TCT do të ofrojë edhe programe të reja studimi në ciklin bachelor.