Fushata më e fundit reklamuese me aktoren e njohur Sydney Sweeney ka shkaktuar zemërim në rrjetet sociale, me shumë përdorues që e akuzojnë atë dhe kompaninë pas saj për përhapjen e “propagandës naziste” dhe për përdorimin e simboleve të ndjeshme me aluzione raciste.
Fushata titullohet “Sydney Sweeney ka xhinse të shkëlqyera”, një lojë fjalësh midis “jeans” (xhinse) dhe “genes” (gjene), që është edhe thelbi i reklamës. Por pikërisht kjo lojë fjalësh është ajo që ka ndezur debatet.
Në njërën prej reklamave, 27-vjeçarja shfaqet duke ecur drejt një billboard-i gjigant me fotografinë e saj, ku është shkruar fjala “Genes”. Ajo fshin fjalën me bojë të bardhë dhe shkruan “Jeans” në vend të saj. Në një tjetër video, Sydney shfaqet duke mbyllur xhinset, ndërsa një zë në sfond flet për ndikimin e gjeneve në tiparet e jashtme dhe personalitetin, duke përmendur konkretisht ngjyrën e syve dhe flokëve.
Kulmi i debatit është një moment kur Sweeney, e cila ka sy blu dhe flokë bjonde, sheh në kamerë dhe thotë:
“My genes/jeans are blue” (Xhinset/Gjenet e mia janë blu).
Për shkak se fjalët shqiptohen njësoj në anglisht, nuk është e qartë nëse i referohet xhinseve apo gjeneve – por shumë në TikTok dhe në platforma të tjera e kanë interpretuar këtë si një referencë problematike ndaj ideve të racës së pastër dhe superioritetit gjenetik.
Komentuesit e kanë lidhur mesazhin e reklamës me teoritë e vjetra të supremacisë racore, ku tipare si sytë blu dhe flokët bjonde janë glorifikuar në mënyrë të rrezikshme ideologji të përdorura historikisht nga regjimet fashiste, përfshirë atë nazist.
“Është e papranueshme që një markë kaq e madhe të luajë me një simbolikë kaq të ndjeshme për të shitur xhinse,” – shkruan një komentues në Twitter/X. Të tjerë thonë se edhe nëse nuk ishte me qëllim, fushata ka qenë të paktën e pakujdesshme dhe e pandjeshme ndaj historisë.