Nga prof. asoc. dr. Selami Xhepa*
Së pari, dua të falënderoj sinqerisht ministren e Arsimit për prezencën këtu, por jo vetëm. Në fakt, gjatë gjithë kësaj kohe, ne kemi pasur një vesh që na ka dëgjuar dhe mendoj që meriton kompliment, pa diskutim. Edhe akti më i rëndësishëm që u promovua në forumin e parë që ne bëmë për ndërkombëtarizimin, tregon se këtu ka një vullnet, një zgjidhje dhe një mundësi. Kështu që e falënderoj sinqerisht ministren dhe gjithë institucionet që ndodhen prezent.
Falënderimin e dytë e kam për profesor Et’hemin, i cili në këto pak muaj ka ditur të drejtojë në mënyrë kompetente dhe profesionale Ligën, duke i dhënë jetë, produkte dhe gjëra konkrete bashkëpunimit midis institucioneve të arsimit të lartë që janë pjesë e kësaj Lige.
Sot fokusi i takimit është për të diskutuar të gjitha projektet që secili nga universitetet pjesëmarrëse në Ligë do të marrë dhe do të ketë një rol në grupin e punës. Universitetit Europian të Tiranës i është dhënë një rol drejtues kryesisht për ndërkombëtarizimin dhe projektet në fushën ndërkombëtare. Kështu që do të flas për disa takime që kemi zhvilluar me këtë fokus dhe që po i shikojmë dita-ditës.
Universitetet që kur kanë lindur, kanë lindur si ndërkombëtarë. Të qenit ndërkombëtar ose global është në natyrën e universitetit. Që në epokën e Mesjetës, dijetarët kanë qenë shtegtarë, kanë qenë pelegrinë të famshëm, dhe nuk është rastësi që Erasmus, pelegrimi më par excellence europian, mban emrin e projektit që mbështet mobilitetin e studentëve dhe stafeve akademike.
Ajo që ndryshon nga periudhat e kaluara është një rëndësi e jashtëzakonshme që ka ndërkombëtarizimi në procesin e formimit akademik dhe në procesin e gjithë krijmit dhe përhapjes së tij në shkallë botërore. Këtu, eksperiencat janë shumë të ndryshme, por në një dokument që është përgatitur nga Parlamenti europian para pesë vitesh, kanë dalë disa përditësime, të cilat vijnë me disa konkluzione.
E para, duhet të kemi një vizion ndërkombëtar. Nëse nuk kemi një vizion të tillë, është e vështirë që çdo institucion në vetvete të ketë sukses.
Çfarë është vizioni kombëtar? Kemi shumë pika që janë krijuar nga eksperiencat tona dhe tashmë është koha që këto pika t’i lidhim dhe t’i kornizojmë në kuadër të një qasjeje strategjike që duhet të kemi si vend. Këtu dilemat dhe zgjedhja e modeleve është e ndryshme për vende të ndryshme. Kemi modelin anglosakson, britanik, i cili është market model. Është një model tregu që fokusin kryesor e ka te ekonomiksi. Arsyeja është shumë e thjeshtë: ky është një nga investimet më fitimprurëse që ka e ka raportin përfitim-kosto 10:1. Britania e Madhe gjeneron 43 miliardë paund në vit dhe investon vetëm 4.2 miliardë paund në vit. Unë nuk di nëse ka një investim publik më fitimprurës se kaq.
Qasja gjermane është më strategjike. Gjermanët janë më long term. Ata ofrojnë arsim falas në të gjithë sistemin e tyre universitar, çka do të thotë se interesi i tyre nuk është në kuptimin ekonomik, pra për të gjeneruar cash, por për të parë në një vizion më afatgjatë në kuptimin e gjenerimit të kapaciteteve të nevojshme që i duhen ekonomisë, jo vetëm asaj gjermane por edhe botërore, për të zhvilluar talente, skills etj..
Me këto dua të them që ne kur të ndërtojmë vizionin tonë kombëtar, duhet të bëjmë disa zgjedhje të rëndësishme.
Elementi tjetër i rëndësishëm është se çdo universitet duhet të ketë strategjinë e ndërkombëtarizimit. Nuk mjafton ndërkombëtarizimi si filozofi e përgjithshme. Ndër aktorët kryesorë që i japin jetë këtij programi nuk janë thjesht politikat qeveritare. Politikat qeveritare e lehtësojnë ose mund ta pengojnë. Kuadri rregullator mund ta lehtësojë ose ta pengojë, por procesi ndodh në universitet.
Në analizë të fundit, ai është testi i vërtet i realizimit të një komponenti të rëndësishëm siç është ndërkombëtarizimi, çka do të thotë se sfida e vërtete, reale fillon brenda dyerve të institucioneve tona. Çdo universitet që e shikon ndërkombëtarizimin si komponent të rëndësishëm të jetës së vet, mendoj që duhet të adaptojë një qasje të mirëmenduar, afatgjatë, të mirëstrukturuar, në mënyrë që këtë çështje ta kthejmë në sukses.
Ne tani, edhe si grup pune, edhe si anëtarë të Ligës, kemi identifikuar hapa të rëndësishëm që duam t’i ndërmarrim të gjithë sëbashku. Kjo është një e mirë publike dhe të mirat publike kanë një problem të madh, free rider. Si free riders ne kemi nevojë për ombrellën e qeverisë, që të na ndihmojë për të promovuar të gjithë sëbashku këtë të mirë publike. Nëse ne investojmë, përfitimi është për të gjithë shoqërinë.
Kjo është arsyeja pse ne ftojmë edhe universitetet publike dhe padyshim të gjitha institucionet publike, sepse në analizë të fundit, këtu nuk bëhet fjalë për një gjë që do të fitojë x universitet apo y institucion. Përmes një programi të tillë dhe realizimit me sukses të një sipërmarrjeje të tillë mendoj që kjo është një win-win për të gjithë shoqërinë.
*Fjala e plotë e presidentit të Universitetit Europian të Tiranës, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, mbajtur në forumin e dytë të Ligës së Universiteteve “John Durrahium”, me temë “Arsimi i lartë 2030, bashkëpunimi ndëruniversitar”.