Sa dhe si duhet ta përdorim Inteligjencën Artificiale në arsimin e lartë dhe në Institucionet e Arsimit të Lartë? Ishte kjo pyetja që shtroi diskutimin në sesionin e parë konsultues me grupet e interesit të projektit Erasmus + CBHE “Advancing quality higher education in Western Balkans through facilitating AI Integration in Teaching, Learning and Research” - EDUFAIR.
Takimi u organizua nga Kolegji Profesional i Tiranës, koordinatori i këtij projekti, nën drejtimin e administratores së këtij institucioni të arsimit të lartë profesional në Shqipëri, Dr. Diana Biba.
Të pranishëm në këtë event hibrid, në prani fizike dhe online, ishin përfaqësues të universiteteve partnere, të biznesit, të shoqërisë civile, mediave etj., ku nëpërmjet shqyrtimit të disa çështjeve sollën në vëmendje përfitimet dhe efektet anësore që vijnë nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale, duke dhënë më tej rekomandime për një implementim optimal.
I mbështetur nga Bashkimi Europian, në kuadër të thirrjeve Erasmus + për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë përmes digjitalizimit, projekti 24 mujor EDUFAIR synon përdorimin e AI në arsimin e lartë përmes krijimit të strategjive të specializuara. Ai do të zbatohet në disa universitete shqiptare dhe të huaja, si: Kolegji Profesional i Tiranës; Universiteti "Fan S. Noli", Korçë; Universiteti i Vlorës "Ismail Qemali"; Kolegji Universum Kosovë; Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan; SCiDEV; CCIS; Universiteti i Salentos, Lecce dhe Universiteti i Studimit të Bibliotekave dhe Teknologjive të Informacionit, Bullgari.
Sesioni konsultues vjen pas dy vizitave studimore, një në Universitetin në Bullgari dhe një në Universitetin e Salentos, Lecce, si dhe pas pesë sesioneve reflektuese në universitetet partnere në Shqipëri e Kosovë në një format dialog gjatë të cilave është konstatuar se çfarë ndodh me përdorimin e AI, dhe është diskutuar rreth sfidave dhe mundësive të integrimit të inteligjencës artificiale në arsimin e lartë.
Duke iu referuar ecurisë së deritanishme dhe vizitave në institucionet evropiane, administratorja e KPT-së tha se pavarësisht përparimeve dhe nevojave të secilit universitet partner, ata lundrojnë në të njëjtat ujëra kur bëhet fjalë për AI.
Dr. Biba theksoi më tej se, ndërsa disa organizata e shtete po bëjnë përpjekjet e para të caktimit dhe respektimit të një kuadri rregullator detyrues, në Shqipëri nuk ka një iniciativë të tillë, duke mbetur në atë që quhet "Shadow AI", pra përdorim të pavarur të Inteligjencës Artificiale. Kjo sjell më tej shumë pikëpyetje për sigurinë, saktësinë e informacionit, transparencën dhe etikën, ku nevojitet ndërhyrja e institucioneve arsimore ose jo, që orientojnë.
AI dhe pedagogu si mbikëqyrës në auditor
Sesioni i pyetjeve në Kolegjin Profesional të Tiranës solli në vëmendje një sërë elementësh që dalin në pah nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale në përditshmëri, ku ndër të tjera u fol për riskun dhe efektet negative që vijnë nga përdorimi në mënyrë të pavarur nga secili prej nesh.
U fol për nevojën e një kuadri ligjor rregullator, u diskutuan çështjet etike dhe të pronësisë intelektuale, si dhe ndryshimi që po pëson roli i pedagogut dhe profesionistëve të tjerë me futjen e AI në arsimin e lartë apo sektorë të ndryshëm.
Eksperti i Lartë i Transformimit Digjital në SCiDEV, Dr. Erjon Curraj, shtroi në diskutim nevojën e ndërtimit të një strategjie, të krijimit të një udhëzuesi apo të realizimit të trajnimeve, për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në universitete dhe më gjerë. “Kina dhe SHBA-ja kanë futur trajnim për AI që në klasën e parë. Ne kemi studentë të vitit të parë që e përdorin siç dinë vetë, pa u orientuar për të maksimizuar përfitimet prej saj.”
Sipas tij, AI nuk duhet të merret e mirëqenë dhe e saktë për të bërë punën tonë, por duhet të jetë një instrument që e vendosim në funksion të qëllimeve dhe synimeve që kemi për të shkurtuar kohën dhe burimet.
Drejtuesi i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Kolegjin Profesional të Tiranës, Prof. Dr. Piro Cipo tha se Inteligjenca Artificiale mund të përdoret në secilin sektor, qoftë edhe në biznese, nëse përdoret në mënyrë të kontrolluar, teksa e cilësoi mjet lehtësues për çdo profesionist.
Përgjegjësja e Departamentit të Shkencave Juridike në Universitetin Europian të Tiranës, Dr. Sofjana Veliu, ngriti një tjetër shqetësim sa i përket përdorimit të AI nga studentët, të cilët tashmë e shfrytëzojnë për të bërë ese apo detyra kursesh, duke marrë shabllon gjithçka që mund t’iu nxjerrë Chat GPT, pa futur mendimin kritik dhe këndvështrimin personal.
Po në të njëjtën linjë mendimi qëndroi edhe lektorja e UET, Msc. Enxhisa Shurdha, duke ngritur shqetësimin se AI po bën studentin dembel, i cili nuk filtron dhe nuk kontrollon burimin e informacionit dhe nëse përgjigjet që ka marrë janë të sakta ose jo. Sipas saj, mbetet shqetësuese nëse brezat e ardhshëm, që ia lënë gjithçka në dorë AI, do të jenë mjaftueshëm të aftë për të çuar para dijen dhe zhvillimin njerëzor.
Duke u ndalur te kushtet e reja të akademisë, Dr. Curraj tha se nevojitet reformimi i universiteteve, i ndryshimit të kurrikulave dhe përshtatjes me elementë të rinj të zhvillimit të teknoogjisë. “Pedagogu do të jetë gjithmonë aty, por roli i tij nuk është më ai që përçon informacionin, por ai që mbikëqyr dhe mentoron leksionin.”
Më tej ai theksoi se, pedagogët dhe universitetet duhet të ndërtojnë grupe pune që të saktësojnë hapat e sigurt në vijim, në mënyrë që të përshtatemi sa më shpejt me ndryshimet rrënjësore që po pëson bota.
“Çdo institucion duhet të bëjë punën e vet dhe të ndërgjegjësojë pedagogët dhe stafet e më e rëndësishmja të ndërgjegjësojë kërkimin shkencor të aplikueshëm. AI mund të mbyllë shumë vende pune, por ne duhet të jemi aty për novacion dhe ta shohim si diçka afatgjatë që do na sjellë më shumë mirëqenie.”
Administratorja e KPT-së, Diana Biba tha në mbyllje se këto takime konsultuese, me pikëpamjet nga të gjitha palët dhe grupet e interesit, janë të vlefshme për ndërtimin e dokumenteve, strategjive dhe më tej implementimin e tyre.