Thellimi i bashkëpunimit ndëruniversitar përmes komisioneve të përbashkëta, që çojnë para çështjet më thelbësore të rritjes së standardeve të arsimit të lartë dhe ndërkombëtarizimit, ishte tema diskutimit në forumin e dytë të Ligës së Universiteteve “John Durrahium”. Aktiviteti i organizuar në Hotel Tirana International, me praninë e ministres së Arsimit dhe Sporteve, znj. Ogerta Manastirliu, bëri bashkë sipërmarrës, drejtues dhe përfaqësues të universiteteve jopublike në Shqipëri, të cilët janë pjesë e Ligës, bashkimit të parë dhe më të madh të institucioneve të arsimit të lartë në vendin tonë.
Ky forum vjen pas një sërë aktivitetesh të organizuara nga Liga, si takime, workshope, tryeza të përbashkëta, si dhe forumit të mbajtur në muajin nëntor 2024, ku u shtrua para kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të qeverisë nevoja për të mbështetur ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe thithjen e studentëve të huaj, si një e mirë që i vjen ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.
Kryetari i Bordit të Kryetarëve të Ligës, njëkohësisht rektor i Universitetit Luarasi, prof. dr. Et’hem Ruka, e cilësoi risi dhe një përvojë të mrekullueshme, e cila sapo ka hedhur hapat e parë me ambicien për të ecur larg dhe për të realizuar gjithë objektivat e vendosura. “Parimi i Ligës është se asnjë universitet pjesëmarrës nuk mund të krijojë supermaci mbi të tjerët, ne jemi të barabartë midis të barabartëve, pa shkelur autonominë e çdo universiteti, por duke gjetur pika takimi dhe duke ndarë praktikat më të mira të përbashkëta”, tha Ruka.
Për këtë arsye, rektori nënvizoi se universitetet, pavarësisht se nuk kanë të njëjtën madhësi apo programe studimi, duhet të bashkojnë forcat dhe kapacitetet për të bërë gjëra të vlefshme për gjithsecilin. “Kjo ka qenë arsyeja pse kemi ideuar ngritjen e pesë grupeve të rëndësishme, për projekte të përbashkëta, për punë kërkimore, konferenca dhe revista të përbashkëta, që janë të mundimshme në nivelin e një universitetit të vetëm.”
Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se universitetet shqiptare po ecin me ritme të shpejta në dimensionin e ndërkombëtarizimit dhe profilizimit të tyre, duke shtuar se Shqipëria po bëhet e preferuar nga shumë kolegje dhe universitete europiane, të cilët kanë hapur degët e tyre në Shqipëri ose janë atashuar pranë universiteteve të tjera shqiptare.
"Arsimi i lartë duhet parë si një i vetëm. Për ne është e rëndësishme që të sigurojmë standarde për studentët tanë, universitetet të bëhen më të hapura, të kemi më shumë fleksibilitet kur bie fjala për hapjen e programeve të reja, si dhe për të bërë të mundur uljen e burokracive në krijimin e një mjedisi fleksibël."
Presidenti i Universitetit Europian, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, tha se ndërkombëtarizimi është një dimension i hershëm i universiteteve, por tashmë theksi është vendosur te ndërkombëtarizimi në procesin e formimit akademik dhe në procesin e gjithëpërhapjes së dijes në shkallë botërore. “Ne duhet të kemi një vizion kombëtar. Kemi shumë pika që janë krijuar nga eksperiencat tona të deritanishme dhe ka ardhur koha që këto pika t’i lidhim dhe t’i kornizojmë në kuadër të një qasjeje strategjike që duhet të kemi si vend.”
Xhepa shtoi se edhe vetë universitete duhet të kenë vizionin dhe strategjinë e tyre, duke adoptuar një qasje të mirëmenduar e të strukturuar, që çështja e ndërkombëtarizimit të ketë sukses. Më tej ai ftoi gjithë universitetet publike që të bashkohen në këtë nismë me shumë fitim për shoqërinë.
Rektori i Universitetit “Polis”, prof. dr. Besnik Aliaj, në rolin edhe të nënkryetarit të Konferencës së Rektorëve, tha se përfshirja në projekte është një gjë e zakonshme për universitetet shqiptare, duke u bërë ky aspekt materializimi i parë i bashkëpunimit mes tyre. Ai theksoi se universitetet kanë rrëzuar barrierat dhe paragjykimet, janë më të hapur për bashkëpunime, ndërsa kërkoi që të lehtësohen të gjitha procedurat ligjore që lehtësojnë këtë proces.
Duke qenë se Universiteti Polis është i pari universitet në Shqipëri i rankuar në Times Higher Education, Aliaj ndau disa piketa për kolegët e tij që të arrijnë sa më parë këtë objektiv, duke qenë të duruar, të vërtetë dhe duke iu përmbajtur me përpikmëri të gjitha shkersave apo dukomenteve që kërkohen
E ndërsa është lakuar prej kohësh nevoja për ndryshime në kuadrin ligjor të arsimit të lartë, rektori i Kolegjit Universitar “Qiriazi”, prof. dr. Gjokë Uldedaj, trajtoi pikat më emergjente që sipas tij duhet patjetër rishikohen, të cilat kanë të bëjnë me ndërkombëtarizimin, kurrikulat, njohjen e diplomave etj. “Kuadri ligjor duhet të krijojë kushte të qarta dhe instrumente funksionale për nxitjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, për krijimin e lehtësirave ligjore, për afrimin e universiteteve më të mira botërore në vendin tonë, si dhe për mobilitetin e studentëve dhe stafeve akademike.”
Presidenti i Universitetit “Metropolitan”, Arian Çukaj, foli më tej për bashkëpunimin ndëruniversitar ndërmjet studentëve, për të krijuar kështu një komunitet më të madh studentor që zhvillohet përmes shkëmbimit të praktikave më të mira. “Mund të bëhet shumë mirë duke krijuar ambiente të përbashkëta për zhvillimin e studimeve, inkubatorë apo hackathone të përbashkët, apo aktivitete të tjera që kanë karakter zhvillimor.”
Komunikimi si fushë e bashkëpunimit ndëruniversitar ishte qendër të trajtimit që u realizua nga Altin Sholla, administrator i Tirana Business University. Ai e quajti Ligën vizionin e njëjtë të një grupi universitetesh, që kanë dëshirën e mirë për të rritur standardet e arsimit të lartë në Shqipëri. “Të gjithë sëbashku duhet të optimizojmë burimet që kemi midis nesh, që të arrijmë standardet. Ndërkombëtarizim pa standarde nuk ka dhe forma më e mirë për ta bërë këtë është shkëmbimi i ideve dhe krijimi i grupeve funksionale të punës.”
Më tej, Agim Alia, drejtues i NJBSC i Universitetit Luarasi, bëri një analizë të përmirësimeve dhe ndryshimeve që janë bërë në kuadrin ligjor, në funksion të kauzës për studentët e huaj, një prej të cilave është edhe VKM-ja e fundit të qeverisë e cila lehtëson procedurat për ardhjen dhe qëndrimin e studentëve të huaj në Shqipëri.
“Gjithashtu, ne kemi miratuar ligjin për të huaj që është afruar pjesërisht me direktivën e Bashkimit Europian, i cili rregullon dhe harmonizon procedurat e aplikimit të shtetasve të vendeve të treta që duan të aplikojnë për studime, kërkim shkencor apo trajnime në vendet e BE.” Sipas tij, duhen më tepër përmirësime, siç është ofrimi i mundësisë së punësimit të studentëve të huaj që në vitin e parë të studimeve dhe të rritet numri i orëve të punës gjatë javë, një praktikë e përdorur në vendet e BE-së.
Më tej forumi vijoi me leximin e drejtuesve dhe anëtarëve të pesë komisioneve, që janë: Komisioni i Përbashkët për Ndërkombëtarizimin; Komisioni i Përbashkët për Projektet dhe Kërkimin Shkencor; Komisioni i Përbashkët për Komunikimin; Komisioni i Përbashkët për Çështjet Ligjore dhe Komisioni i Përbashkët për Studentët.
Këto komisione apo gupe pune, do të ndjekin proceset, do të ndërmarrin nisma konkrete në funksion të ndërkombëtarizmit, forcimit të bashkëpunimit dhe rritjes së standardeve arsimore, të krahasueshme me praktikat e universiteteve më të mira botërore. Duke falënderuar për prezencën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, profesor Et’hem Ruka theksoi se këto pesë komisione janë tashmë motori i bashkëpunimit, duke kërkuar prej tyre të bëhen sa më parë funksionale dhe të nisin punën për realizimin e qëllimeve të përbashkëta.