Nga Luiza Pinderi
Mban gjithë kohën në dorë violinën teksa hedh vështrimin nga skena ku po mbyllen përgatitjet e fundit para se të nisë koncerti. Mes syve kërkues, fjalëve të shkëputura, ecejakeve në sallën e shfaqjeve të Universitetin Europian të Tiranës, ndjehet emocioni dhe ankthi para shfaqjes. Nga momenti në moment pritet fillimi i mbrëmjes muzikore me studentët diplomantë në master, nën drejtimin dhe udhëheqjen e profesorit Ramazan Peku.
Për Bebjana Shijakun ky nuk është koncerti i parë dhe as e para dalje para publikut. Këto ngjarje janë të natyrshme në përditshmërinë dhe karrierën e saj. E kanë shoqëruar gjithmonë që në moshën 4-vjeçare kur filloi të studionte violinën. Kur shokët e saj kalonin pasditen jashtë, luanin dhe argëtoheshin me njëri-tjetrin, Bebjana duhet të ndiqte mësimet e violinës, që siç thotë u bë lodra e saj.
Ajo që nisi nën shtysën e fortë të mamit, në fakt u bë ëndrra e saj. “Mami kishte dy ëndrra, violinën dhe psikologjinë”, tregon Bebjana. Të parën nuk arriti ta realizojë dot vetë, por e jeton atë ditë pas ditë, shfaqje pas shfaqjeje e koncert pas koncerti, teksa sheh vajzën të performojë e të bëjë atë që ajo e ka dëshiruar aq shumë.
Nuk mund të mungonte as në këtë mbrëmje muzikore, që vjen para diplomimit të Bebjanës në Violinë. Ky është masteri i dytë që ajo po përfundon në Universitetin Europian të Tiranës pas atij për Mësuesi, profili arte. “Një eksperiencë e bukur, por edhe e lodhshme”, tregon ajo, pasi gjatë kohës së studimeve i është dashur edhe të vijojë punën e saj si mësuese violine.
Formimi i saj ka qenë gjithmonë mes instrumentit dhe pedagogjisë, duke kaluar sa nga njëri sektor te tjetri, e duke u gërshetuar herë pas here. Për 12-vite me radhë ka rrugëtuar nga qyteti i lindjes Fushë-Kruja drejt kryeqytetit për të ndjekur Liceun Artistik “Jordan Misja”, duke u profilizuar në instrumentin violinë. Më pas ndoqi studimet në Akademinë e Arteve për pedagogji muzikore, e pas një periudhe pauze u regjistrua në UET për të vijuar masterin e parë.
Në fakt, iniciatore e këtij rrugëtimi do të bëhej sërish mami, e cila kishte dalë me përshtypjet më të mira nga auditori i këtij universiteti, ku kishte ndjekur fillimisht studimet bachelor dhe më pas dy programe studimi master shkencor. “Nëse do që të mësosh, atje merr çdo gjë. Janë pedagogë që të japin dije dhe të mbështesin", ishte këshilla që Teuta Shijaku i dha së bijës, duke e influencuar fort që ajo të bëjë këtë hap të ri.
Në një nga ato orët e zakonshme të leksioneve, do të njihet me pedagogun e njohur të violinës, Ramazan Peku, i cili endet prej një jete mes partiturave e harqeve në koncerte e turne, e mes studentëve në katedrat e universiteteve. Mes bisedave për pedagogjinë, do të zbulojnë të përbashkëtën e tyre, violinën. Duke parë talentin, dëshirën dhe vullnetin e saj, profesori me dëshirën më të madhe të një njeriu ta pasionuar dhe palodhur, nuk ngurroi t’i jepte leksione violine e t’i mësonte atë që atij i janë dashur vite të tëra për të përvetësuar.
“Isha shkëputur që në lice nga violina dhe falë tij vazhdoj masterin e dytë, një nga gjërat më të bukura që kam bërë në jetën time”, rrëfen më tej Bebjana. Me fjalë zemre, ajo shpreh mirënjohjen që ka ndaj profesorit të saj, apo profit më të mirë në botë siç e quan.
Është pikërisht sugjerimi i tij që ajo të hapë një klasë violine në qytetin e saj, ndërkohë që vijon punën si mësuese muzike në një shkollë 9-vjeçare në Fushë- Krujë.
Të “trashëgosh” universitetin
E ndërsa Bebjana jeton emocionet e forta të skenës, Teuta Shijaku ndjehet si në shtëpinë e saj, në një rikthim plot dashuri dhe nostalgji. Godina, auditorët, nuk janë të njëjtët me ambientet ku ajo kaloi shumë vite, por njerëzit dhe ndjesia është po e tillë.
Mes korridoreve njeh dhe përshëndet syresh shumë prej atyre që i ka pasur pedagogë e me shumë dëshirë përmend ata që kanë lënë gjurmë të pashlyera në formimin e saj, si: Aleksandër Dhima, Tonin Gjuraj, Klodiana Turhani, Erika Melonashi, Voltisa Gjergji, Elsida Sina etj. Kujton bisedat, batutat e auditorit dhe punën e jashtëzakonshme që duhet të bënte për të qenë në të njëjtin hap me studentët që ishin shumë më të rinj se ajo në moshë.
Nuk arriti dot të vijojë studimet për violinë, por nuk hoqi dorë kurrë nga ëndrra për psikologjinë. Jetonte përditshmërinë me idenë e një pune dhe një angazhimi që duhet të kryhej, por ai që e nxiti vërtet fort për të hedhur hapin e parë të rikthimin në universitet, shumë kohë pas largimit nga bankat e shkollës, do të bëhej një anëtar i Korpusit të Paqes.
Bill Trunk jetoi për dy vjet në Fushë-Krujë para se të kthehej në SHBA, duke krijuar një rreth të gjerë njohjesh e miqësish në vendin tonë. Teuta ishte një prej tyre, e cila tashmë e konsideron si vëllanë e saj. Edhe pas largimit, ai i shkruante vazhdimisht që të ndiqte ëndrrën e saj, pse jo në universitetet më të mira të Shqipërisë, apo kudo tjetër ku ajo dëshironte të shkonte.
“Meqë kisha vajzën të vogël, e cila atëherë vazhdonte Liceun Artistik në Tiranë, jashtë nuk mund të shkoja. Zgjodha UET-in si një ndër universitetet më të mira të Shqipërisë”, tregon Teuta. Ishte viti 2013-të kur shkeli në këto auditorë dhe nisi një “betejë” të gjatë, të lodhshme, ambicioze, frytet e së cilës i ka vjelë gjatë viteve.
“Ishte një shkëputje e gjatë nga shkolla e mesme dhe më është dashur të studioj fort. Mund të rrija deri në tre të mëngjesit. Studioja dhe punoja”, rrëfen më tej. Madje, kujton batutën që qarkullonte në klasë, për shkak të orëve të gjata që kalonte në bibliotekë, teksa i thonin se ndoshta atje duhet të shtohej një krevat. Kishte raste që përhumbej mes librave, leximeve, saqë vinin punonjëset dhe i kujtonin orarin e mbylljes së bibliotekës. Përfundimi i vitit të parë me rezultate të larta, e bindi se kishte bërë zgjedhjen e duhur. "Kuptova se kisha diçka për të dhënë nga vetja.”
Pas mbarimit të bachelorit në 2016-ën, Teuta Shijaku ndoqi në UET edhe dy programe studimi master shkencor në Psikologji Këshillimi dhe Psikologji Klinike.
“UET më la një shije të jashtëzakonshme. Edhe pse isha e rritur, nuk e ndieja presionin e moshës apo diferencën. Këtu mora dijen, profesionin, njoha njerëz të mrekullueshëm dhe shumë të aftë që është vështirë t’i gjesh”, shton ajo më tej, duke shpjeguar qartë arsyen pse dëshironte që Bebjana të bëhej pjesë e universitetit që e zhvilloi profesionalisht.
Thotë se qëllimi i saj nuk kanë qenë certifikatat e ekslencës, diplomat apo bursat. Ka dashur vetëm të mësojë dhe zgjerojë njohuritë në fushat që asaj i interesonin.
“Formimin që e mora këtu e kam ndjerë kur konkurrova në DRAP (Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar) dhe zura vendin e parë”, thekson më tej, duke shpjeguar se ishte pikërisht ky sukses që i jepte pastaj të drejtën të zgjidhte shkollën që ajo donte të punonte. Kështu që zgjodhi shkollën 9-vjeçare nr. 1 në Krujë, duke gjykuar se ajo ishte më e mira.
Shumë e kënaqur me rezultatet dhe rrugëtimin, thotë se tani është një profesioniste që po lë gjurmën e saj, duke u bërë pjesë e trajnimeve edhe jashtë shkollës. Por sadisfaksionin më të madh e ndjen kur ish-pedagogët e saj e quajnë kolege.