Bashkëpunimi ndëruniversitar për arsimin e lartë 2030 është në fokus të forumit të dytë të Ligës së Universiteteve “John Durrahium”, i cili do të zhvillohet më 25 qershor, ora 9:00, në Hotel Tirana International.
Takimi do të bëjë bashkë drejtues të universiteteve partnere, të cilët do të diskutojnë disa prej çështjeve më të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndërkombëtarizimin dhe rritjen e numrit të studentëve të huaj në Shqipëri.
Pas kryetarit të Bordit të Ligës, prof. dr. Ethem Ruka, rektor i Universitetit Luarasi, forumi do të përshëndetet nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, e cila do të flasë për strategjitë dhe prioritetet e qeverisë shqiptare dhe dikasterit që ajo drejton.
Presidenti i Universitetit Evropian, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, do të theksojë më tej nevojën e ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare, parë përmes perspektivës së zhvillimit ekonomik e social. Rektori i Universitetit “Polis”, prof. dr. Besnik Aliaj, në fjalën e tij do ta vendosë theksin te bashkëpunimi ndëruniversitar në fushën e projekteve dhe kërkimit shkencor.
E ndërsa është lakuar prej kohësh nevoja për ndryshime në kuadrin ligjor të arsimit të lartë, rektori i Kolegjit Universitar “Qiriazi”, prof. dr. Gjokë Uldedaj, do të trajtojë pikat më emergjente që sipas tij duhet patjetër rishikohen.
Presidenti i Universitetit “Metropolitan”, Arian Çukaj, do të flasë më tej për bashkëpunimin ndëruniversitar ndërmjet studentëve, për të krijuar kështu një komunitet më të madh studentor që zhvillohet përmes shkëmbimit të praktikav më të mira.
Komunikimi, si fushë e bashkëpunimit ndëruniversitar, është në qendër të trajtimit që do të realizohet nga Altin Sholla, administrator i Tirana Business University. Më tej, Agim Alia, drejtues i NJBSC i Universitetit Luarasi, do të sjellë një analizë të kuadrit ligjor dhe zhvillimeve të mundshme, gjithmonë në funksion të kuazës për studentët e huaj.
Forumi do të vijojë me konstituimin e komisioneve të Ligës nga prof. dr. Ethem Ruka dhe më tej prezantimin e secilit prej tyre, të objektivave dhe çështjeve që synojnë të çojnë përpara.
Ky është forumi i dytë i Ligës së Universiteteve “John Durrahium”, i cili vjen tetë muaj pas forumit të parë, në nëntor të 2024-ës, kur ky organizëm, në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të tjerë të qeverisë, trajtoi nevojën emergjente të kthimit të syve nga studentët e huaj, e cila jo vetëm ka impakt ekonomik dhe shoqëror, por është domosdoshmëri për hyrjen e universiteteve shqiptare në rankimet globale.