Universitet

Nga kolegj profesional në kolegj universitar, merr jetë Tirana College of Technology (TCT)

Shkruar nga Liberale

Nga kolegj profesional në kolegj universitar, merr jetë Tirana College

Një dekadë pas hapjes së dyerve per herë të parë, Kolegji Profesional i Tiranës ka hedhur një hap të rëndësishëm për të ardhmen e këtij institucioni të arsimit të lartë në Shqipëri. Me urdhër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është vendosur riorganizimi i Kolegjit të Lartë Profesional në Kolegj Universitar, i cili tashmë do të mbajë emrin Tirana College of Technology (TCT).

Urdhri Nr.266, i datës 19 qershor 2025, iu është dërguar institucioneve përkatëse për njohje dhe zbatim të institucionit më të ri të arsimit të lartë shqiptar, i cili vjen me një ofertë të pasuruar akademike për të gjithë studentët që duan të formohen në drejtim të inxhinierive kompjuterike dhe industriale.

Kalimi në kolegj unversitar vjen në kushtet kur KPT është në konsolidimin e një dekade veprimtarie në fushën e arsimit të lartë profesional në vendin tonë, me përvoje dhe rrjetëzim në projekte të ndryshme ndërkombëtare, me kapacitete të bollshme burimore në dispozicion, më një infrastrukturë moderne, pra në kohën e duhur për të zgjeruar dhe përmirësuar ofertën
akademike aktuale, edhe me programe BACHELOR.

Me riorganizimin nga kolegj profesional në kolegj universitar, Tirana College of Technology do të përbëhet nga dy fakultete: Fakulteti i Inxhinierisë Kompjuterike dhe Fakulteti i Inxhinierisë Industriale dhe Civile. Fakulteti i Inxhinierisë Kompjuterike ka në përbërjen e tij dy departamente dhe një qendër kërkimi: Departamenti i Informatikës së Aplikuar; Departamenti i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit; Qendra për Kërkim, Inovacion dhe Zhvillim në Teknologji Informacioni.

E njëjta strukturë do të jetë edhe për fakultetin tjetër, atë të Inxhinierisë Industriale dhe Civile, i cili do të ketë Departamentin e Inxhinierisë Civile, Departamentin e Inxhinierisë Industriale dhe Qendrën për Kërkim, Inovacion dhe Zhvillim në Inxhinieri Industriale dhe Civile.

Prej disa vitesh tashmë, Kolegji Profesional i Tiranës përgatit profesionistë me aftësi praktike, teknikë të lartë, zbatues projektesh, aq të nevojshëm për ekonominë e vendit. Ai lindi si një domosdoshmëri për të plotësuar boshllëkun në tregun arsimor te punës, të cilit i mungonin profesioniste të aftë në mjaft fusha të natyrës profesionale.

Kolegji Universitar Tirana College of Technology (TCT) do të vijojë ofrimin e programeve ekzistuese me karakter profesional, si dhe do të shtojë pesë programe në ciklin bachelor në fushën e inxhinierive. Po ashtu, do t’iu nënshtrohet periodikisht procedurave të akreditimit nga institucionet e brendshme dhe ato ndërkombëtare, për të garantuar cilësi dhe standarde të larta akademike.

Për rektorin e këtij institucioni Prof. Dr. Andonaq Lamani, ky vendim ishte më se i pritur, ndërsa vijon puna për të zbatuar vizionin që ka Tirana College of Technology (TCT) për të bërë diferencën në tregun e arsimit të lartë në Shqipëri dhe për të ofruar mundësi të reja profesionale për të rinjtë.

Hapja e këtyre programeve të studimit me fokus në teknologji sjell shumë avantazhe dhe rrit potencialin për zhvillim të vazhdueshëm në këtë fushë të rëndësishme për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare. Ky është një hap pozitiv drejt modernizimit, rritjes së cilësisë dhe përmirësimit të sistemit arsimor në vend.

Theksi kryesor i programeve të studimit është aplikimi i njohurive shkencore në zgjidhjen e problemeve reale, çka sjell inovacion dhe adreson sfida praktike në industri të ndryshme dhe për më tepër adreson një nevojë reale që ka tregu i punës dhe dinamika e tij për një forcë pune të aftë dhe profesioniste.

Rrugëtimi i institucioneve të arsimit të lartë që nisin si kolegje dhe më tej shndërrohen në universitete, nuk është një praktikë e panjohur në arsimin e lartë ndërkombëtar. Madje ka praktika shumë të suksesshme që sot janë rast suksesi dhe kanë sjellë novacion dhe zhvillim.

Mjafton të përmendim këtu institucionin privat të arsimit në SHBA, Massachusetts Institute of Technology- MIT, i cili mori jetë në vitet ’60 të shekullit të XIX, duke u përqendruar në fushat e teknologjisë dhe shkencës. Që në fillesë, ai ofroi arsimin e një lloji të ri, duke qenë i hapur për të gjithë, gra, njerëz me ngjyrë, studentë ndërkombëtarë etj.

Historia e MIT është shënuar vazhdimisht nga novacione dhe zhvillime të mëdha shkencore, duke dhënë kontribut të rëndësishëm për shoqërinë amerikane dhe më gjerë. MIT është gjithashtu një rast që tregon se kur pasioni dhe puna janë të mëdha, ato që numërohen nuk janë startet, por arritjet, impakti dhe transformimi që i sjell shoqërisë.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH