Universitet

Mbyllja e paharrueshme e një koncerti në UET, studentët përlotin pedagogun e violinës, Ramazan Peku

Shkruar nga Liberale

Mbyllja e paharrueshme e një koncerti në UET, studentët

“Sot nuk jemi vetëm tre vajza që luajnë violinë, jemi tre vajza që mbajnë me vete fuqinë dhe kujtimin e një profesori që na ndryshoi jetën.”

Ishin këto fjalët e tre studenteve të Departamentit të Arteve të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës dedikuar profesorit të tyre të violinës, Ramazan Peku.

Bebjana Shijaku, Patrizia Gostivari dhe Klaudia Sula, pritën fundin e mbrëmjes muzikore, ku ato performuan bashkë me kolegët e tyre, për të bërë një falënderim shumë special për profesorin e tyre, i cili i udhëhoqi dhe mentoroi në rrugëtimin e tyre të afirmimit si violiniste.

Tashmë në mbyllje të studimeve master në UET, studentet dhuruan dyfish emocione pas koncertit që preku kompozimet më të bukura shqiptare dhe të huaja, duke shprehur përmes një letre gjithë mirënjohjen e tyre, për një njeri që i frymëzoi dhe i bëri të kthehen pa asnjë pishman te violina.

Mbyllja e paharrueshme e një koncerti në UET, studentët

“Ti nuk ke qenë thjesht profesori ynë i violinës, ti je bërë pjesë e jetës sonë, si një mentor i palodhur, që nuk është tërhequr asnjëherë. Si një figurë prindërore na ke trajtuar gjithmonë si vajzat e tij... Për ne të trija, çdo orë me ty ka qenë më shumë se një mësim teknik. Ishe një përvojë e thellë, një mësim zemre. Na mësove të dëgjonim me kujdes, të kuptonim tingëllimin, të jepnim ndjenjë dhe mbi të gjitha të mos dorëzoheshim.

Nuk na dhe thjesht dijen, na dhe shembullin e dikujt që jep nga vetja, që nuk largohet nga përgjegjësia edhe kur vetë ka nevojë për mbështetje. Në klasën tonë nuk na dëgjoje thjesht me shpirtin e një profesori, por me shpirtin e një njeriu që kujdesej për ne, na trajtove si vajzat e tua dhe sot ndjehemi me të vërtet kështu.

Na ke mësuar se muzika nuk është perfeksion, është ndjenjë, dhe kjo është ajo që ne do të mbajmë gjithmonë me vete...Faleminderit për çdo gjë që bëre për ne! Faleminderit që na dhurove forcën! Faleminderit që u bëre simbol i durimit, i dashurisë dhe ngrohtësisë! Faleminderit për gjithçka, profi më i mirë në botë!”, përmbylli leximin e letrës Bebjana Shijaku, e cila tha se mori përsipër këtë përgjegjësie si më e madhja e grupit.

Ajo rrëfeu më tej se pas largimit për disa vite nga violina, ishte prof. Peku që e shtyu sërish drejt instrumentit dhe i dha shpresë për një fillim të dytë. “Më bëre ta kujtoj pse e kam dashur violinën dhe më bëre ta dua akoma më shumë.”

Mbyllja e paharrueshme e një koncerti në UET, studentët

Ky koncert erdhi në përfundim të vitit akademik, si një nismë që profesor Peku organizon me studentët e tij. Tashmë që ata po mbyllin studimet, ai tha se dëshironte që përmes këtij koncerti të kishin një kujtim të bukur të përbashkët.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH