Universitet

STUDENTËT ndërkombëtarë në UET, marrëveshje bashkëpunimi me agjencinë në Dubai

Shkruar nga Liberale

STUDENTËT ndërkombëtarë në UET, marrëveshje

Universiteti Europian i Tiranës ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në kuadër të fushatës për ndërkombëtarizimin e plotë dhe thithjen e sa më shumë studentëve të huaj. Medlink Human Resource Consultancy, me qendër në Dubai, është agjencia e radhës që lidh marrëveshje bashkëpunimi për të mundësuar lidhjen e studentëve të huaj me universitetin.

Pjesëmarrja e UET në panairin më të madh të edukimit në Dubai, Global Education & Training Exhibition (GETEX), në fund të muajit prill, ishte një urë lidhëse mes dy institucioneve. Pas informacioneve të para, drejtuesi i Medlink Human Resource Consultancy, Harish Kumar, vizitoi Shqipërinë dhe UET për t’u njohur më afër me campusin, programet e studimit dhe komunitetin e pedagogëve.

Ai u prit nga drejtuesi i Zyrës për Studentët Ndërkombëtarë, prof. asoc. dr. Mateo Spaho, me të cilin firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit, si dhe diskutuan për mundësitë që ofrohen në UET, i cili është i akredituar ndërkombëtarisht nga Quality Assurance Agency (QAA) dhe ofron mbi dhjetë programe studimi në anglisht.

Z. Harish Kumar ka përvojë të gjatë me studentët ndërkombëtarë, pasi prej vitit 2012-të ai mban postin e Drejtorit të Pranimeve Ndërkombëtare në Universitetin Geomedi në Tbilisi, Gjeorgji, duke u angazhuar më së shumti në fushën e mjekësisë.

“Unë jam më shumë i orientuar drejt fushës mjekësore sepse ajo më frymëzon. Jam i angazhuar në workshope, konferenca ndërkombëtare për studentët dhe aktivitete të kësaj natyre” shprehet ai, duke shtuar se programet  e mjekësisë janë shumë të kërkuara sot në treg, pasi në të gjithë botën ka nevojë për mjek.

Prej vitit 2018-të, krahas katër fakulteteve të tjera, UET themeloi Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, duke ofruar programet Bachelor dhe Master,në degët Fizioterapi, Infermieri dhe Imazheri. Ky fakulteti lindi prej nevojës së shoqërisë shqiptare për të pasur profesionistë cilësorë nga fusha e mjekësisë, duke bërë pjesë të tij emra të njohur si prof. dr. Isuf Kalo, prof. dr. Aleksandër Dhima, prof. dr. Tahir Hysa, prof. dr. Fedhon Meksi, prof. dr. Nikollaq Kaçani etj.

Kumar thotë se Shqipëria dhe UET ofrojnë një sistem arsimor shumë cilësor, konkurrues, por edhe shumë benefite për studentët, që kanë të bëjnë me koston më të ulët të jetesës sesa në vendet e tjera, me klimën e mirë, mundësitë e punësimit etj.

“Pikërisht për këtë arsye kam ardhur në Shqipëri, sepse kam parë që është është shumë e mirë në sistemin arsimor. Universiteti Europian i Tiranës ka një qendër mjekësore shumë të mirë. Ka aktivitete të shumta ndërkombëtare, partneritete, programe shkëmbimi, diploma të dyfishta.”

Nën ambicien e ndërkombëtarizimit të plotë, për vitin akademik 2025-2026 UET ofroi më shumë se 10 programe mësimore të cikleve Bachelor dhe Master në gjuhën angleze. Bëhet fjalë për programe të tilla, si: Financa, Menaxhimi, Inxhinieria Informatike, Teknologjia e Informacionit dhe Shkencat Politike. Së shpejti UET do të mundësojë edhe programe në gjuhën angleze në Shkencat Mjekësore, në Inxhinieri dhe Arkitekturë për ta bërë sa më të kompletuar ofertën ndaj studentëve të huaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH