Bashkëpunimi i Artan Lames me Universitetin Europian të Tiranës daton në vjeshtën e 2007-ës, kur universiteti po zhvendosej në ambientet e reja në Bulevardin “Gjergj Fishta”. Ideja e themeluesve të universitetit ishte që hapësirat e mëdha të ambienteve të thyheshin me veshjen e mureve. E ku më mirë se me fotografi domethënëse, që i flisnin kujtdo që e kishte përditshmërinë në këto ambiente apo edhe atyre që vinin për ta vizituar, për forume e leksione të hapura, qofshin shqiptarë apo të huaj.
Artan Lame është i mirënjohur për punën e tij si koleksionist, përmes botimeve që ka sjellë apo kontributit që ka dhënë gjatë mbajtjes së detyrës së nënkryetarit të Federatës së Koleksionistëve Shqiptarë, ai anëtar i klubeve ndërkombëtare të koleksionistëve apo edhe si drejtues i Qendrës Shqiptare të Trashëgimisë.
Në atë kohë ai zotëronte në arkivin e tij personal mbi 12 mijë fotografi, shumicën prej të cilave i kishte të vetat e të tjerat i dispononte si imazhe. Kur iu propozua që këto fotografi historike, të cilat shprehnin thelbin e identitetit shqiptar dhe dokumentonin aspekte të ndryshme të jetës në Shqipëri, e përqafoi menjëherë idenë. Filloi puna e organizimit dhe grupimit të fotove të printuara dhe më tej renditja në mure sipas tematikave të përcaktuara. Shumë prej tyre e humbën renditjen e të tjera u dhanë si dhuratë për miq e vizitorë të ndryshëm të UET, të cilët mbeteshin pa fjalë nga këto imazhe.
Meqenëse skema fillestare mbeti e parealizuar plotësisht siç ishte strukturuar, u vendos që kjo ide të rindërtohej përmes një botimi në formën e një albumi të plotë, me shpjegime më të hollësishme rreth kontekstit të fotografive, kohës, origjinës së tyre, duke u botuar kështu 2 vjet më pas.
Lame përzgjodhi 140 fotografi, të cilët u grupuan sipas gjashtë tematikave në përshtatje me programet e studimit, të tilla si: Edukimi, Shoqëria, Politika, Ekonomia, Ligji dhe Komunikimi. Jo pa qëllim u titullua “ECJE SHQIPTARE”, pasi përmes fotove tregohen ecjet e pareshtura të njerëzve të këtij vendi, ecje vendimtare, ecje të gabuara apo pa udhë në histori, me dëshirën për të injektuar te të rinjtë dëshirën për të mos e ndalur kurrë rrugëtimin.
Në parathënie, Artan Lame shkruan se ky album nuk është për turistët, që të mahniten dhe të tërhiqen si me magnet, pasi ai mendonte se ata që vinin për të vizituar Shqipërinë, do të largoheshin ose me ndjenjën e dashurisë ose të urrejtjes.
“...ky vend nuk është ujë, se me ujin as dashurohet e as e neveritet njeriu, po thjesht e përdor se ja do trupi. Ky vend është si një pije e fortë, a raki e nxjerrë dy herë të themi dhe, ashtu siç ngjet me rakinë, o do të pëlqejë e do bëhesh rob i saj për tërë jetën, edhe pse të çon në greminë, o do e neveritësh që me të parën e s’do ja shohësh më sytë. E tillë është Shqipëria”, shkruante Lame.
Më tej ai deklaronte se Albumi “Ecje Shqiptare” nuk është as për ata që i kanë kaluar të tridhjetat, moshë në të cilën njeriut i mbushet mendja se tashmë e ka të formuar dhe vulosur mendimin e tij për botën.
Ka një vend, thoshte Lame, që duhet të shndërrohet në Tempullin e Shqiptarëve të Rinj dhe kjo ishte shkolla. Jo ajo shkollë që kuptohej dikur si vendi që të përgatiste për një jetë të rehatshme, por ajo shkollë që të fuste në gjak dëshirën për t’u përpjekur në jetë. “Në grupin e këtyre shkollave, do radhisja edhe Universitetin Evropian të Tiranës, që u bë sebep e nxitës i këtij botimi.”
“Nëse çdo shqiptar të ri, pasi t’i shohë këto fletë, do ta zërë dëshira më nj’anë ta dashurojë më fort vendin e tij, e m’anë tjatër t’u japë këmbëve për ta ndryshuar atë, atëherë e paskam bërë punën time. Në mos po, ndaluni atje te fotografia e fundit dhe le të vazhdojmë të sillemi si kali në lëmë edhe për njëqind vjet të tjerë”, e përmbyllte fjalën e tij Lame.
Pas punës së palodhur me albumin, një trashëgimi e çmuar për historinë dhe të kaluarën tonë, Artan Lame do të vijojë bashkëpunimin e me Universitetin Europian të Tiranës në forma të tjera. Edhe atëherë kur mbante postin e drejtorit të ALUIZNI-t, do të bëhet pjesë e një leksioni të hapur me studentët e UET për të folur për Tiranën dhe historinë e saj të urbanizmit, e më tej do të marrë pjesë në shumë ngjarje kulturore që universiteti zhvillonte.
Përmes pasionit dhe përkushtimit të palodhur në veprimtarinë e vet, gjurmët e Artan Lame mbeten të dukshme e të paçmuara, jo vetëm si funksionar publik dhe drejtues, por edhe si publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe kontributor i rrallë në ruajtën e trashëgimisë.