Studentët ndërkombëtarë në Universitetin Europian të Tiranës kanë tashmë klubin e tyre studentore. Krahas pjesëmarrjes në klubet e tjera të universitetit, të letërsisë, arteve, sporteve, marketingut, psikologjisë, arkitekturës, mjekësisë, ata kanë edhe një klub dedikuar vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me organizimet, sugjerimet dhe propozimet në procesin mësimor, mbështetjen dhe asistimin e tyre të vazhdueshëm, në funksion të përshtatjes së plotë me Shqipërinë dhe universitetin.
UET Club for International Students do të shërbejë si një hapësirë që bën bashkë studentët nga vende të ndryshme si Pakistani, Rusia, Gana, Turqia etj., të cilët ndjekin studimet në UET, por edhe për studentë që vijnë me shkëmbimet Erasmus+ dhe qëndrojnë për një semestër në këtë universitet. Gjatë takimeve, studentët do të njihen me njëri-tjetrin, do të ndajnë eksperiencën dhe përshtypjet pas ardhjes në Shqipëri, vështirësitë e përshtatjes me një kulturë të re mesdhetare, me njerëzit, gjuhën, por edhe do të japin sugjerime për të lehtësuar dhe maksimizuar jetën studentore, e cila luan një rol të rëndësishëm në jetën e çdo të riu.
Nuk do të mbeten jashtë diskutimeve çështjet që kanë të bëjnë me procesin akademik dhe mësimor, sugjerimet për lëndët dhe kurset që ofrohen në UET, mundësitë e internshipeve, praktikave apo punësimeve në kompani shqiptare dhe të huaja që operojnë në vendin tonë.
Themelimi i UET Club for International Students vjen në vazhdën e traditës shumëvjeçare të Universitetit Europian i Tiranës, duke krijuar kështu përtej procesit akademik një strukturë që e bën më të bukur dhe domethënëse jetën e çdo studenti.
Prej vitesh vijojnë punën një sërë klubesh nga fakultete dhe programe të ndryshme studimi në UET, të tilla si: Klubi Le Corbusier – Arkitekturë & Dizajn; Klubi Adam Smith – Ekonomiks & Financë; Klubi Philip Kotler – Menaxhim; Klubi Freud – Psikologji; Klubi Steve Jobs – Inovacion; Klubi Kadare – Letërsi; Klubi John Locke – Drejtësi; Klubi i Hipokratit – Mjekësi; Klubi Mc.Luhan – Komunikim; UET Sport Club; UET Musical Band; Klub i Arteve etj.
Me rritjen e numrit të studentëve ndërkombëtare dhe me aspiratat e qarta të Universitetit Europian të Tiranës për të arritur ndërkombëtarizimin e plotë me studentë dhe pedagogë të huaj, lindi nevoja e themelimit të UET Club for International Students, në funksion të përshtatjes sa më të shpejtë të studentëve ndërkombëtarë.
Përtej klubeve, ata janë pjesë e çdo aktiviteti që UET organizon. Këtë muaj do t'i bashkohen një organizimi të përvitshëm veror në Jalë, në një mjedis argëtimi me muzikë e kërcime. Albanian Night for International Students është një tjetër aktivitet vetëm për studentët e huaj, ku ata njihen me elementë të trashëgimisë sonë kulturore jo materiale, me vallet, veshjet popullore dhe me kulinarinë e pasur.