Universitet

FOTO/ Studentët ndërkombëtarë të UET jetojnë traditën shqiptare në një natë festive

Shkruar nga Liberale

FOTO/ Studentët ndërkombëtarë të UET jetojnë

Jo vetëm që ta njohin, por ta jetojnë atë. Ta prekin, të përfshihen e të festojnë njëlloj sikur të kishin jetuar në trevat e qytetet tona brez pas brezi. Të ndjejnë të kaluarën, historitë njerëzore, rrëfimet e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë që shfaqen aq bukur në prerjet, qëndismat, ngjyrat e kostumeve popullore dhe në çdo erëz e përbërës të ushqimeve tradicionale.

Ishte ky qëllimi i organizimit të Albanian Night for International Students për studentët ndërkombëtarë të Universitetit Europian të Tiranës. Ndryshe nga herët e tjera, kur këto organizime bëhen në ambiente të caktuara, të organizuara nga vetë universiteti, këtë radhë ata provuan një nga atraksionet më interesante të kryeqytetit. Vizituan Albanian Night, qendrën e parë kulturore në Tiranë që ruan dhe promovon trashëgiminë kulturore jo materiale të Shqipërisë për turistët dhe shqiptarët.

Ishte për ta një eksperiencë e rrallë të shkuarit në një vend që frymon traditë shqiptare në çdo detaj: nga oda e miqve me dekorimet dhe objektet më karakteristike të shtëpive të shqiptarëve, te veshjet popullore të çdo krahine, nga veriu në jug, elegante e plot gjallëri; nga këngët dhe vallet më të veçanta, që transmetojnë jo jetën, jo përditshmërinë, por dhimbjen, gëzimin dhe shpirtin e një populli e deri te të përjetuarit e një të kaluare të pasur dhe shekullore.

FOTO/ Studentët ndërkombëtarë të UET jetojnë

Studentët e jetuan për disa orë këtë të traditë duke veshur kostume popullore, duke shijuar shfaqjen e kërcimtarëve profesionistë por edhe duke kërcyer vetë vallet më të thjeshta.

Më tej ata u njohën edhe me një pjesë të kulinarisë sonë, pasi provuan ushqime karakteristike lokale që me shumë fanatizëm ruhen edhe sot nëpër fshatrat dhe restorantet tradicionale. Pavarësisht vendit të lindjes, fshatit e qytetit ku jeton, çdo familje shqiptare gatuan ushqimet tipike tradicionale. Përcillet në këtë formë edhe në ditët tona një trashëgimi e vyer që formëson identitetin tonë.

Albanian Night for International Students është tashmë një ngjarje që ka formësuar traditën e  vet në Universitetin Europian të Tiranës dhe vjen në vazhdën e aktiviteteve të ndryshme që organizohen për studentët nga shtete të ndryshme europiane që studiojnë në këtë universitet.

FOTO/ Studentët ndërkombëtarë të UET jetojnë

Përveçse për të festuar, për të shijuar dhe jetuar momente të veçanta, qëllimi i Albanian Night është që studentët të njihen me njëri tjetrin, me kolegët e bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë, por mbi të gjitha të njohin edhe një pjesë tjetër Shqipërie, që nuk e gjejnë në përditshmërinë e tyre. Njohin dhe shkelin atraksionet jo të pakta turistike, njohin vendet tona më përfaqësuese, por në këtë mbrëmje njohin edhe një copë të traditës, trashëgimisë dhe shpirtit shqiptar.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH