Që me nisjen e mandatit të dytë presidenti Donald Trump ka bërë të qartë politikat për të riformatuar sistemin universitar në SHBA. Presionin e tij e nisi me kërcënimin për të ndaluar fondet federale që janë kryesisht të destinuara për kërkime.
Shumë universitete u bindën, por Harvard u bë universiteti i parë i madh amerikan që hodhi poshtë kërkesat e administratës Trump, duke akuzuar Shtëpinë e Bardhë se po përpiqet të kontrollojë komunitetin e saj. Dhe ajo që nisi si luftë deklaratash në fillim, u shndërrua shumë shpejt në masa konkrete dhe kufizime.
Jo shumë kohë pasi Harvard refuzoi të binte dakord me listën gjithëpërfshirëse të kërkesave të Shtëpisë së Bardhë - e cila përfshinte udhëzime se si të qeveriste, punësonte dhe zhvillonte mësimi - administrata Trump ngriu 2.2 miliardë dollarë fonde federale për institucionin. Më tej ai shënjestroi statusin e përjashtimit nga taksat të universitetit dhe së fundi ka ndaluar që Harvard të regjistorjë studentë ndërkombëtarë.
Në një analizë të shkurtër, gazetari dhe analisti amerikan Fareed Zakaria shpjegon disa prej arsyeve pse SHBA-ja deri më sot ka qenë në model për arsimin e lartë ndërkombëtar, me një numër të lartë universitetesh në krye të listës së rankimeve. Më tej, ai parashikon fundin aspak të mirë të kësaj luftë mes administratës Trump dhe universiteteve amerikane, që me shumë mundësi do të impaktojë globalisht.
“Me 4% të popullsisë së botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë 75% të universiteteve më të mira. Shumica prej tyre funksionojnë njësoj. Pse ndodh kjo?
SHBA ka krijuar një kombinim të jashtëzakonshëm, një sinergji midis qeverisë federale dhe universiteteve. Qeveria paguan për kërkime, sponsorizon kërkime, por nuk përpiqet t’i drejtojë universitetet sikur të jenë entitete nën pronësinë e tyre. Dhe kjo liri i ka lejuar universitetet amerikane të lulëzojnë dhe të rriten.
Ky është edhe basti që po luhet në luftën e administratës Trump kundër universiteteve. Kjo luftë do të vrasë patën që bën vezën e artë në kërkime, në novacione, në teknologji.
Kur administrata e Trump thotë se do që universitet të drejtojnë siç ata duan, të punësojnë ata që ata duan, të pranojnë ata që ata duan, nuk është thjesht një abuzim me pushtetin. Kjo do të vrasë burimin më të madh amerikan të novacionit”, thekson analisti i njohur.