Mes 24 institucioneve akademike nga vendet e Europës, Azisë, Lindjes së Mesme dhe Afrikës, Kolegji Profesional i Tiranës ishte i vetmi përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare të UNAI SDG Hub 7.
Aktiviteti u zhvillua më 22 maj dhe mikpritës i kësaj ngjarjeje ishte Qendra për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë (KEPA) në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës në Greqi.
Ky organizim mblodhi rreth 45 përfaqësues të universiteteve apo qendrave të ndryshme shkencore nga Hungaria, Rumania, Serbia, Polonia, Turqia, Qipro, Greqia, Azerbajxhani, Kazakistani, Kenia, Jordania, Uzbekistani, Nigeria etj. Nga Shqipëria ishte i ftuar Kolegji Profesional i Tiranës, i cili u përfaqësua nga rektori i këtij institucioni, Prof. Dr. Andonaq Lamani.
Përtej proceseve të brendshme administrative, pjesë e diskutimit ishte jo vetëm përpjekja për të zgjeruar më tej Komunitetin e Energjisë, i cili deri më tani ka ftuar 300 anëtarë, por edhe realizimi i aktiviteteve që do të lehtësojnë zbatimin e SDG7, duke synuar grupet vulnerabël, ekonomitë dhe vendet në zhvillim.
Për të çuar para Agjendën 2030 të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, United Nations Academic Impact (UNAI) ka krijuar partneritete të reja brenda Qendrave të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG Hub) për dy vitet e ardhshme, 2025-2027. Një faktor mjaft i rëndësishëm ka qenë përfshirja e akademisë, e për rrjedhojë universitetet dhe qendrat kërkimore janë ftuar të kontribuojnë për të krijuar ndryshime pozitive sociale, ekonomike dhe mjedisore.
UNAI SDG Hub janë krijuar për të shërbyer si katalizatorë për zgjidhje inovative në sfidat globale, duke bashkuar akademinë, studentët, komunitetet lokale dhe partnerët për të adresuar një gamë të gjerë çështjesh. Ato synojnë të shfrytëzojnë ekspertizën dhe burimet e institucioneve akademike për të përshpejtuar progresin drejt një bote më të qëndrueshme dhe të barabartë për të gjithë.
Mes 17 qendrave të krijuara, UNAI SDG Hub 7 është Komuniteti i Energjisë që trajton Objektivin 7 të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Përmes përfshirjes së institucioneve akademike, kërkimore, studentëve e pedagogëve, synohet gjetja e mënyrave për të siguruar energji të përballueshme, të qëndrueshme dhe moderne për të gjitha vendet. Aktualisht, UNAI SDG Hub 7 drejtohet nga Qendra për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë (KEPA) e Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës.