Universitet

Konferenca Ndërkombëtare e Kolegjit Profesional të Tiranës: Novacioni, gur themeli për zhvillimin dhe anëtarësimin në BE

Shkruar nga Liberale

Konferenca Ndërkombëtare e Kolegjit Profesional të Tiranës:

Siguria dhe ndikimi i novacionit në zhvillim ishte në qendër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare që zhvilloi Kolegji Profesional i Tiranës. Pjesë e saj u bënë akademikë, studiues dhe inxhinierë të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut etj., të cilët prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e tyre në fushat përkatëse të ekspertizës.

U fol për implementimin e novacionit në fushën e energjisë ripërtëritëse, në industrinë ushtarake, në industrinë mekanike, në fushën e transportit dhe të futjes së automjeteve hibride, në trajtimin e mbetjeve, si dhe për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në mësimdhënie dhe sipërmarrje.

Rektori i Kolegjit Profesional të Tiranës, Prof. Dr. Andonaq Lamani, mikpritësi dhe njëkohësisht drejtuesi i sesionit të parë të konferencës, tha se kjo ngjarje shkencore është e përqendruar në disa fusha shumë sensitive, jo vetëm për vendin por edhe për Bashkimin Europian, pjesë e të cilit aspirojmë të jemi brenda një kohe të shkurtër. Edhe pse një institucion i ri, 10-vjeçar, me fokus në përgatitjen e zbatuesve dhe teknikëve të lartë, Kolegji Profesional i Tiranës nuk lë pas kërkimin shkencor për të dhënë kontributin e tij në sektorë të ndryshëm të shoqërisë shqiptare.

Konferenca Ndërkombëtare e Kolegjit Profesional të Tiranës:

“Siguria nuk është parë në kontekstin e sigurisë konvencionale, por është parë në kontekstin e sigurisë energjetike, infrastrukturore dhe kibernetike. Në këtë kuadër edhe KPT, si një institucion i arsimit të lartë që përgatit kuadro në këto fusha, e pa të nevojshme për të sjellë pjesëtarë, akademikë, studiues me kontribuues në këto fusha”, nënvizoi prof. Lamani.

Rektori theksoi se siguria në përgjithësi dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale janë edhe objektiva të qeverisë shqiptare, por për të janë gur themeli për integrimin dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë.

“Shqipëria është në një pikë ku kërkon të modernizojë ekonominë e saj, të përmirësojë konkurrueshmërinë dhe të integrohet më ngushtë me BE-në. Ekosistemet e inovacionit mbeten të fragmentuara, të pa financuara dhe të koordinuara dobët”, theksoi profesori. Më tej ai sugjeroi ndërmarrjen e politikave dhe masave konkrete për të nxitur një ekosistem inovacioni më të gjallë, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt rezultateve që do ta çojnë vendin tonë në një hap të ri zhvillimi.

Konferenca Ndërkombëtare e Kolegjit Profesional të Tiranës:

Sesioni i teknologjisë: Transporti, energjia, industria

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare e Kolegjit Profesional të Tiranës u organizua në dy sesione. I pari iu dedikua përdorimit të teknologjisë në fushën e energjisë, industrisë dhe transportit, ku referuan një sërë personalitetesh të akademisë dhe kërkimit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Drejtuesi i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Kolegjin Profesional të Tiranës, prof. Piro Cipo, foli për përdorimin e novacionit në fushën e energjisë së ripërtëritshme, duke u ndalur edhe te ndërtimi i parqeve fotovoltaike.

Dr. Ing. Ismet Drenova ndau me të pranishmit problematikat e industrisë ushtarake dhe mënyrat se si ajo mund të rivitalizohet për të sjellë përfitime në ekonominë shqiptare.

Me një eksperiencë të gjatë në institucione drejtuese në sektorin rrugor në Shqipëri, Msc. Mitat Tola, tregoi mënyrat se si përdorimi i teknologjisë dhe sistemeve inteligjente mund të rrisë sigurinë rrugore në vendin tonë.

Studiuesi nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Stevan Kjosevski, foli për trendet e reja në makinat e pasagjerëve në kontekstin e transportit të qëndrueshëm dhe ndikimi i tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa BE vijon agjendat e saj të zbatimit të strategjive që ulin ngrohjen globale. Po në të njëjtën fushë eksploroi pedagogu i Kolegjit Profesional të Tiranës, Ing. Msc. Ilir Palushi, i cili analizoi dhe shpjegoi trendet në rritje të prodhimit dhe përdorimit të automjeteve elektrike dhe hibride.

Ing. Msc. Piro Dhimitri nga Departamenti Elektro –Mekanike dhe Sistemeve të Aplikuara në KPT, në trajtesën e tij theksoi rëndësinë e futjes së novacionit në metodat e prodhimit të çeliqeve në industrinë mekanike.

Konferenca Ndërkombëtare e Kolegjit Profesional të Tiranës:

Zhvillimi dhe përdorimi i teknologjive të reja në prodhimin me kosto të ulët të ventilatorëve ishte në qendër të studimit të radhës të punuar nga Dr. Ing. Spartak Pocari dhe Prof. Dr. Ing. Andonaq Lamani. Një tjetër punim me bashkëuatorë, ishte ai për integrimin e ujit sanitar në sistemet ngrohje-ftohje të banesave, i sjellë nga Ing. Msc. Tauland Spahiu dhe Prof. Dr. Altin Dorri

Konferencës nuk i munguan studimet për sektorët e tjerë të transportit. Ing. Arben Kasoruho foli për sfidat e transportit hekurudhor në Shqipëri, ndërsa Ing. Msc. Stavri Vesho ekspozoi sfidat në transportin ajror në vendin tonë.

Ing. Msc. Ilia Cili solli më tej disa sugjerime se si parku i makinave metalprerëse në Shqipëri mund të përdoret për prodhimet mekanike ushtarake. Futja e novacionit edhe në industrinë ushqimore për të trajtuar mbetjet për prodhimin energjik ishte studimi i prezantuar nga akademiku Prof. Ilirjan Malollari.

Sesioni i novacionit

Paneli i dytë i iu dedikua tërësisht novacionit, përdorimit të AI dhe sipërmarrjes, dhe u drejtua nga Dr. Diana Biba, administratorja e Kolegjit Profesional të Tiranës. Gjithashtu, ajo referoi për integrimin e Inteligjencës Artificiale në mësimdhënie, në procesin e të nxënit dhe në kërkimin shkencor, si një domosdoshmëri në përshtatjen me sistemet ndërkombëtare dhe për të qenë të përgatitur ndaj sfidave të reja në fushën e edukimit.

Konferenca Ndërkombëtare e Kolegjit Profesional të Tiranës:

Referimi i dytë ishte nga PhD(c) Ines Troshani për rëndësinë e bashkëveprimit dhe ndërlidhjes së stafeve administrative dhe akademike, si drejtues të novacionit universitar.

Komiteti Shkencor i kësaj konference përfshiu emra të nderuar të akademisë shqiptare dhe më gjerë, si drejtues e pedagogë të Kolegjit Profesional të Tiranës, nga Universitetit Europian i Tiranës, nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës dhe nga Universiteti “Aldo Moro” në Bari, Itali.

Liberale Newsroom

A duhet ta ftojë PS-ja PD-në në një bashkëpunim më të hapur në qeverisje, për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH