Analiza ka përfunduar disa javë më parë nga Drejtoria e Kontrollit të Specializuar, njësi e cila është ngritur posaçërisht për të mbikëqyrur deklaratat tatimore të bizneseve me të ardhurat më të larta si dhe me pagesën e taksave nga të ardhurat dhe fitimet që sigurojnë.
Në llogaritjen e njerëzve më të pasur, pavarësisht nëse kontrollojnë një apo më shumë biznese, janë pronarë të vetëm apo aksionerë, janë marrë në konsideratë fitimet e tyre, të ardhurat nga dividenti, që janë fitimet që ndajnë kompanitë për aksionerët dhe kursimet bankare, të ardhurat nga pasuritë e patundshme, fitimet në bursa, apo dhe të ardhura që sigurojnë nga çdo burim tjetër i ligjshëm.
Në planin e tatimeve është zgjerimi i listës me individët më të pasur në 200 deri në fund të këtij viti dhe deri në 300 në fund të vitit që vjen. Njësia ka grumbulluar të dhëna nga policia, agjencitë e inteligjencës, bankat dhe autoritete dytësore, që përdoren për të kryer pagesa.
Fillimisht tatimet kanë nisur ndërkohë me disa prej tyre, por më tej, do të zgjerojnë hartën dhe do të kontrollojnë 100 më të pasurit, nëse kanë bërë të plotë pagesën e detyrimeve tatimore. Njësia antinformalitet nisi punën në shkurt të vitit të shkuar, ndërsa Taks Forca e krijuar me urdhër të kryeministrit nisi kontrollet për deklarimin e të ardhurave të individëve në muajin maj të këtij viti. Kontrollet tashmë janë përqendruar në deklarimin e saktë të pagave në sektorin e ndërtimit, tregtisë, kompanive të sigurimit dhe medias.