Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka filluar përgatitjet për ndeshjen e kthimit kundër Letonisë, që zhvillohet më 3 qershor në Riga, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ekipi është grumbulluar dhe ka zhvilluar stërvitjet e para me futbollistet që kanë përfunduar sezonin me klubet e tyre. Sipas trajnerit Afro Sejdi Sermaxhaj, qëllimi është rikthimi i formës fizike te lojtaret që kanë qenë larg fushës për disa javë.
“Shumica e vajzave që luajnë në kampionatin turk nuk kanë pasur ndeshje prej rreth 25 ditësh. Këto ditë na ndihmojnë që t’i fusim sërish në ritëm,” tha Sermaxhaj.
Të mërkurën, Kosova do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj klubit KFF Dukagjini, për të testuar skema dhe lëvizje taktike para sfidës me letonet.
Sermaxhaj theksoi se nga ndeshja e parë, ku Kosova pësoi humbje, janë nxjerrë mësime dhe tani ekipi është më i përgatitur për të përballuar stilin e lojës së Letonisë.
“Besoj se kemi potencialin për ta fituar këtë ndeshje dhe për t’u kualifikuar në Ligën B,” tha ai.
Futbollistet Kaltrina Biqkaj dhe Donjeta Halilaj gjithashtu shprehën besimin për një rezultat pozitiv, duke theksuar atmosferën e mirë në ekip dhe përkushtimin e secilës lojtare.