"Shtëpia e Nik Gjonit, Nicaj, Shosh", 1938, © Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi"
Në vitin 1938, fotografi Shan Pici kapi një nga imazhet më përfaqësuese të identitetit dhe jetës së përditshme të malësisë shqiptare, brenda kullës së Nik Gjonit në Nicaj, Shosh. Hapësira, e zbrazur nga mobiljet, bëhet një skenë autentike ku njerëzit e mbledhur rreth vatrës duken të pashqetësuar nga prania e kamerës. Në të djathtë të skenës qëndron i zoti i shtëpisë duke pozuar me dinjitet dhe vetëdije të plotë për identitetin e tij shoqëror dhe kulturor. Imazhi i malësorit përcjell një elegancë natyrore dhe një dinjitet të palëkundur fizik dhe moral, të paprekur nga varfëria e veshjeve të tij apo modestia e stilit të tij të jetesës.
Përmes kësaj fotografie, Pici prezantoi një narrativë të re vizuale për përfaqësimin e malësorëve. Ai zëvendësoi fondalet e studios Marubi ku kishin pozuar për breza të tërë, me realitetin e papërpunuar të mjedisit alpin. Për herë të parë, miti dhe legjenda u paraqitën në një format vizual profesional, duke i ofruar një fytyrë të vërtetë një populli të mbuluar prej kohësh me idealizim. Duke vepruar kështu, Pici jo vetëm që dokumentoi jetën e përditshme, por e ngriti malësorin në një figurë arketipe, duke ruajtur thelbin e trashëgimisë kulturore shqiptare në një mënyrë të vetëdijshme historike dhe vizualisht autentike.
Shan Pici
Shan Pici ka qenë fotograf shqiptar dhe i pari fotograf turistik, i njohur si “fotografi i maleve”. Ai lindi në Shkodër më 5 gusht 1904 dhe vdiq më 2 shkurt 1976. I ati e dërgoi te studio Marubi, ku Shani punoi dhe u bë më pas çirak i Kel Marubit. Më 1924 doli në vete dhe çeli studion e tij fotografike ku u angazhua së bashku me vëllezërit, Ndrekën dhe Tefën. Veprimtaria e tij shtrihet për gati gjysmë shekulli (1924-1976) duke lënë në arkivin e tij rreth 80,000 pllaka filmi dhe negativë të madhësive të ndryshme.
Përgatiti : Hemelita Boriҫi