Një aksident rrugor me rrezik të lartë është regjistruar këtë të hënë në aksin Pogradec–Maliq, pranë fshatit Podgorie. Një automjet tip “Nissan”, i drejtuar nga një i ri, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në ambientet e një pike karburanti, duke goditur makinën e furnizimit me lëndë djegëse.
Fatmirësisht, nga përplasja nuk janë shkaktuar shkëndija apo rrjedhje të rrezikshme që mund të çonin në shpërthim, duke shmangur kështu një ngjarje potencialisht tragjike me pasoja të rënda.
Drejtuesi i mjetit ka pësuar plagë në fytyrë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai është transportuar menjëherë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka marrë masa të menjëhershme për bllokimin e përkohshëm të aktivitetit të pikës së karburantit, deri në përfundimin e hetimeve dhe pastrimin e plotë të zonës.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet për humbje kontrolli nga ana e drejtuesit të automjetit.