Policia Kufitare në Rinas ka parandaluar një rast të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit, duke arrestuar në flagrancë dy shtetas me kombësi turke. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimit pranë Komisariatit të Policisë Rinas.
Gjatë kontrolleve të imtësishme në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, shërbimet kufitare ndaluan shtetasin H. K., i cili po tentonte të udhëtonte drejt Lutonit me një pasaportë greke të dyshuar si e falsifikuar. Ai, së bashku me bashkëkombasin A. H., u shoqëruan menjëherë për verifikime të mëtejshme.
Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, policia zbuloi dokumente të dyfishta dhe identitete të rreme. Tek H. K. u gjetën dokumente të tjera që nuk përputheshin me identitetin e pasaportës së paraqitur. Ndërsa në çantën e A. H. u gjet një pasaportë turke me të dhënat e H. K., e cila rezultoi të ishte e rregullt.
Të dy shtetasit akuzohen për “Falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikim dokumentesh”, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, vepra të kryera në bashkëpunim.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.
Policia Kufitare e Rinasit ka deklaruar se do të vazhdojë kontrollet e rrepta, sidomos gjatë sezonit turistik, për të siguruar rend, siguri dhe lëvizje të rregullt të udhëtarëve.