Florian Çullhaj PhD*
Në orët e para pas sulmit të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, Donald Trump shpalli një fitore dërrmuese. Të ‘shkatërruara plotësisht’, u mburr ai, duke iu referuar infrastrukturës iraniane që ishte shënjestruar. Fjalët e tij u përsëritën nga kryeministri izraelit, Netanyahu dhe të tjerë, ndër ta edhe Rama e Berisha, të cilët nxituan ta lavdëronin sulmin si të guximshëm dhe brilant. Por implikimet më të thella ligjore, morale dhe botërore, shkojnë shumë përtej këtij guximi fillestar.
Për t’i dhënë një kuptim këtij momenti politik realist, ia vlen ta shohim atë përmes një qasje alternative, atë normative të parashtruar në librin ‘E Drejta e Popujve’ të John Rawls-it. Rawls parashikoi një botë në të cilën shtetet apo popujt, siç i quante ai, mund të ishin ‘të arsyeshëm’, që do të thotë se ata do të vepronin me një ndjenjë reciprociteti, do të toleronin diversitetin në sistemet politike dhe do të përpiqeshin për paqe edhe kur interesat kombëtare ishin në rrezik. Njëjtë, ai paralajmëroi edhe për regjime të paarsyeshme, ata që i hedhin poshtë këto parime dhe i japin përparësi dominimit ose ideologjisë mbi stabilitetin dhe respektin reciprok. Gjegjësisht, ai shquajti pesë tipologji popujsh: Popujt liberalë; Shtete demokratike që respektojnë të drejtat dhe parimet e drejtësisë. Popujt e ndershëm hierarkikë; Shtete joliberale por të drejtë dhe dinjitarë. Shtetet jo të drejta; Regjime që shkelin ligjin dhe të drejtat ndërkombëtare. Shoqëritë e rënduara; Popuj që nuk arrijnë të ndërtojnë institucione të drejta për shkak të kushteve të vështira. Popujt agresivë; Shtete që kërkojnë dominim dhe nuk e pranojnë barazinë midis popujve.
Këtu, paradoksi bëhet edhe më i dukshëm. Trump shpesh e ka paraqitur botën në terma të ashpër, e mira kundër së keqes, rendi kundër kaosit. Por duke vepruar kështu, ai vepron më pak si një ‘kujdestar’ i rendit ndërkombëtar liberal dhe më tepër si një aktor i paarsyeshëm, të cilëve Rawls u frikësohej.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të goditur Iranin, pa një kërcënim të qartë dhe të menjëhershëm, shkel normën ndërkombëtare të vetëmbrojtjes. Ky akt injoron diplomacinë në favor të pushtetit ushtarak dhe nuk është një devijim i vogël. Perspektiva e Rawls-it supozon se popujt e ndershëm hierarkikë, të cilat i quante ‘dinjitarë’ mund të bashkëjetojnë nën një angazhim të përbashkët për paqe dhe drejtësi. Marrëveshja bërthamore e Iranit, e negociuar gjatë administratës Obama, ishte një angazhim i tillë. Ajo përfaqësonte një shpresë rawlsiane, që edhe shtetet joliberale të mund të bëheshin pjesë e një sistemi ndërkombëtar të mirërregulluar, me kusht që të angazhoheshin me mirëbesim.
Tërheqja e Trump nga ajo marrëveshje dhe përshkallëzimi i tij ushtarak, e çmontuan këtë arkitekturë të brishtë, sa hap e mbyll sytë. Më keq akoma, ky veprim dërgon një mesazh të rrezikshëm, përkatësisht, negociatat ftojnë për ndëshkim, jo për mbrojtje. Nëse armatosja agresive e Koresë së Veriut i jep asaj një trajtesë të kujdesshme dhe diplomaci, ndërsa bashkëpunimi i Iranit çon në sulme ajrore, çfarë stimuli kanë shtetet që të zgjedhin rrugën e arsyes?
Udhëheqja izraelite, veçanërisht Netanyahu, ka kohë që bën presion për një qasje të ashpër kundër Iranit. Trump, i joshur nga premtimi për t’u dukur i fortë dhe ai që vë pikën në fund të fjalisë, e ndoqi shembullin e parsyeshëm. Marrëdhënia Izrael-ShBA, e përshkruar nga vetë Trump si një koordinim i paparë e ka larguar politikën e jashtme amerikane nga koncepti i arsyes publike të Rawls, por drejt një qasje më afër Hobsit, një lufte të të gjithëve kundër të gjithëve.
Rawls bëri dallimin midis veprimeve racionale dhe të arsyeshme. Një shtet mund të ndjekë interesat e tij dhe është racional. Në të kundërt, një shtet i arsyeshëm, i zbut këto kërkesa bazuar mbi respektin për drejtësinë dhe të drejtat e të tjerëve. Në rastin e Iranit, as Shtetet e Bashkuara dhe as Izraeli nuk vepruan me një përmbajtje të tillë. Llogaritja ishte afatshkurtër dhe politike. Për Netanyahun, bëhet fjalë për ndryshimin e regjimit dhe për devijimin e vëmendjes nga apokalipsi në Gaza. Për Trump, bëhet fjalë për kapital elektoral dhe për iluzionin e pushtetit presidencial.
Kjo kthesë militariste jo vetëm që shkel sovranitetin e një shteti, por edhe ndëshkon popullin e tij. Civilët iranianë, tashmë nën sanksione ekonomike, tani përballen me një paqëndrueshmëri më të madhe. Siç Rawls kishte paraparë, shoqëritë e ‘ndershme hierarkike’ nuk janë pa të meta të brendshme, por ato meritojnë përfshirje dhe jo shfarosje. Dhe kur lufta bëhet mjeti i parë, jo i fundit, bashkësia ndërkombëtare largohet edhe më shumë nga çdo vizion koherent i drejtësisë.
Akoma më keq është rasti në fjalë. Angazhimi në luftë parandaluese, me pak mbështetje ndërkombëtare dhe në shkelje të drejtpërdrejtë të Kartës së OKB-së, fuqizon aktorë të tjerë autoritarë të bëjnë të njëjtën gjë. Rusia, Kina dhe autokratët e ardhshëm po mbajnë shënime. Nëse Shtetet e Bashkuara mund të godasin në mënyrë parandaluese përballë një kërcënimi të dyshimtë, pse nuk mund ta bëjnë edhe ata? A nuk është rasti Ukrainës një shembull aktual?
Ideali i Rawls për një shoqëri popujsh bazohet në njohje reciproke dhe mundësi për besim. Ky vizion tani duket i largët. Veprimet e administratës Trump kanë gërryer çdo ndjenjë se Shtetet e Bashkuara japin një shembull të mirë. Në vend të kësaj, Amerika është bërë një shembull paralajmërues se si një demokraci liberale mund të veprojë me të njëjtën papërgjigjshmëri që dikur e dënonte.
Trump mund të mos jetë udhëheqësi ‘më i paarsyeshëm’ në kuptimin rawlsian. Ai është i zgjedhur dhe ende vepron brenda kufizimeve demokratike. Por sjellja e tij i përshtatet gjithnjë e më shumë modelit të një sundimtari të paarsyeshëm, atij që refuzon të luajë sipas rregullave, hedh poshtë konsensusin ndërkombëtar dhe i jep përparësi pushtetit mbi të drejtën. Edhe nëse kriza e menjëhershme në Lindjen e Mesme mund të frenohet, dëmi ndaj rendit ndërkombëtar dhe ndaj besueshmërisë së negociatave paqësore do duhen dekada për t'u riparuar.
Si përfundim, Rawls ofron një kundër argument sfidues. Ai shtron pyetjen, po sikur udhëheqësit e shteteve të fuqishme të vepronin jo vetëm në mënyrë racionale, por edhe në mënyrë të arsyeshme? Pra, sikur ata, përpara se të urdhëronin sulme ajrore, të pyesnin veten jo vetëm nëse do mund të fitonin, por nëse veprimet e tyre do të ishin të justifikuara edhe nga pjesa tjetër e njerëzimit? Derisa ky parim i fundit të bëhet standardi ynë, paqja do të mbetet një iluzion i brishtë dhe lufta një pasojë e parashikueshme.
* Florian Çullhaj, politolog me mbi një dekadë përvojë në mësimdhënie, është pedagog me kohë të plotë në Universitetin Europian të Tiranës dhe aktualisht drejton Qendrën për Metodologji dhe Kërkim Shkencor në UET