Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Arlinda Ymeraj: Kush do të paguajë për dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve?

Shkruar nga Liberale

EKSPERTIZË nga Arlinda Ymeraj: Kush do të paguajë për

Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj

Në agimin e 23 marsit 1992, pas natës pa gjumë duke ndjekur ethshëm rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, tejet të ëndërruara, nën entuziazmin e fitores spektakolare të PD, përqafova vrullshëm tim bir 3 vjeçar e bindshëm i pëshpërita: shpëtove bir!

E nesërmja, 23 mars 1992 ishte një ditë tejet e veçantë. Vetëm një ditë pas fitores, që shënoi edhe rënien nga pushteti zyrtarisht të Partisë së Punës, Partia Demokratike organizoi një miting në Sheshin “Skënderbej”, ku morën pjesë mijëra vetë. Një miting shprese, jo vetëm për të gjithë pjesëmarrësit, por për të gjithë popullin. Në atë miting z. Berisha në fjalën e tij tha: “Jemi të gjithë bashkëfajtorë, jemi të gjithë bashkëvuajtës”. Ne nuk ishim të gjithë bashkëfajtorë, aq më pak me një ish sekretar të egër të organizatës të PPSh, as edhe bashkëvuajtës, me një mjek të diplomuar e specializuar jashtë vendit, në Francë, atëherë kur edhe një mize i duhej vizë e veçantë për të dalë nga Shqipëria. Megjithatë pranuam, e brohoritëm, besuam, derdhëm lot lumturie, kontribuam me shpirt për ndërtimin e një shteti ndryshe nga ai I së kaluarës- shtetit të së drejtës.

Atëherë e besoja thellësisht se në dy dekada Shqipëria do të bëhej një “Zvicër” në miniaturë, me bukuritë e rralla e të pashfrytëzuara natyrore, me inteligjencën, dijenitë e vrullin e të rinjve të harmonizuar me eksperiencën dhe ëndrrat e shkelura të paraardhësve tanë. Shpejt u ndërgjegjësova për naivitetin thuajse fëminor jo vetëm timin, por edhe të familjes, miqve e të afërmve, të nxitur nga dëshira e mirë për të shkulur të keqen nga rrënjët e kontribuar në ndërtimin e një Shqipërie të re, të lirë, të qeshur, të shëndetshme, të pasur, ku të gjithë të mund të gëzonin frytet e punës së tyre.

Por, pavarësisht fantazisë, as në ëndrrën më të keqe,  kurrë nuk do të mund të imagjinoja se edhe pas mëse tri dekadash, do të ishim përsëri në kërkim të ëndrrave që diku kanë humbur. Ngjarjet dramatike të fundvitit 1996 e fillimvitit 1997 mjaftuan për të hedhur në erë gjithçka që ishte mbrojtur në shpirtrat e munduar për vite e vite me radhë, nga njeri brez tek tjetri. Veçse tashmë nuk kemi më energjinë e 30 viteve më parë. Tashmë jemi qytetarë të lodhur, të munduar, që vërtitemi nga një fushatë elektorale në tjetrën me shpresën se kushedi dikush do të dëgjojë e do të vërë dorën në zemër.

Sot jemi qytetarë të kërrusur nën peshën e jetesës që shtrenjtohet çdo ditë, të brengës që nuk i mbajmë dot fëmijët pranë vetes, të luftës për t’i shkëputur një buzëqeshje miratuese personelit shëndetësor në spital për të siguruar një trajtim dinjitoz. Sot jemi qytetarë të irrituar nga padrejtësitë dhe paaftësitë e zyrtarëve të korruptuar që na qeshin në fytyrë edhe pas qelizave virtuale të e-Albania,  kur aplikojmë për punë, për kopësht apo shkollë fillore, rimbursim prone, legalizim oborri, pension, vërtetim të vjetërsisë në punë apo kontributeve të derdhura, e sa e sa shërbime të tjera, të shpallura me aq pompozitet nga I nderuari Kryeministri ynë.   

Mund të shkruhet edhe libër mbi politikat e zbatuara që nga 1992 për të konkluduar me vlerësimin se kush e nëpërkëmbi dinjitetin e shqiptarëve dhe shkatërroi ëndrrat dhe përpjekjet e tyre, kush e shkatërroi këtë vend kaq të bukur e me diell. Por, librin nuk e lexon askush. Mbase edhe nuk e boton askush, nëse çështjet cënojnë thellë partitë kryesore politike dhe udhëheqësit legjendarë të tyre. As media nuk do të organizonte ndonjë emision për një libër të tillë sepse më mirë të mos ngatërrohet, ndërsa është shumë e angazhuar me ata që e paguajnë marramendësisht.

Mbase edhe ky shkrim nuk do të lexohet apo nuk do të miratohet. Megjithatë kushdo që ka një zë për të folur, nuk duhet të heshtë, sepse kur heshtin intelektualët gjejnë terren aventurierët, siç e ka treguar më shumë se një herë e gjithë historia e zhvillimit njerëzor.

Vetëm katër ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, të cilave ju ka paraprirë një fushatë e çoroditur, pa bosht, sipërfaqësore, tejet e mbushur me megallomani, premtime boshe, që më shumë ngjan me skenën e “Big Brother” se sa me luftë politike, nga të dy partitë e mëdha të vendit, PS e PD, të dirigjuara nga të pagabueshmit, gjithëditshmit, gjithpushtetshmit, Z.Rama e Z.Berisha. Të dy këta drejtues vijnë në këtë fushatë pasi dakordësuan prapa kuintave ligjin më antidemokratik elektoral të historisë të 30 viteve të fundit. Nga ana tjetër, të dy së bashku kanë qenë në pushtet - pozitë për 25 vite, përkatësisht 13 vite z. Berisha dhe 12 vite z. Rama. Si ka mundësi që asnjeri prej tyre nuk flet për çfarë premtoi dhe çfarë arriti, e nëse I rezulton se nuk I ka mbajtur premtimet, të kërkojë ndjesë përunjësisht, që t'i lindë e drejta të kërkojë besimin përsëri të shqiptarëve!

Sepse në të vërtetë asnjeri prej tyre nuk ka mbajtur asnjë premtim. Për çfarë mund të krenohen këta dy “prijës”? Për faktin se nuk dënuan dot politikisht regjimin më të egër diktatorial të Europës, apo për Ligjin 7501, të vitit 1991, që mban firmën e Ramiz Alisë? Për shkatërrimin e pasurive kombëtare dhe monopolizimin e tyre në duart e satelitëve të vet? Për varrosjen përfundimtare të së drejtës së pronës? Kushedi krenohen për shkatërrimin e plotë të ekonomisë rurale, duke anashkaluar çështjen e industrisë së lehtë, ushqimore apo artizanale! Krenohen mbase për përjashtimin me dhunë të punonjësve nga zotërimi i sadopak aksioneve të ndërmarrjeve ku ata kishin derdhur djersë e gjak!. Vallë krenohen për shkatërrimin e arsimit fillor, të mesëm e të lartë? Për instalimin e paaftësisë e pafytyrësisë në sistemin e kujdesit shëndetësor? Mbi të gjitha, për shkatërrimin e dinjitetit të njeriut të punës e zëvendësimin e tij me një figurë amorfe, pa shprehje, pavarësisht rrobave firmato, makinës luksoze e sjelljes arrogante.

Z. Berisha mund të “krenohet” edhe sepse në 1997, 2008 apo 2011, janë vrarë të pafajshëm, ndërsa  Z. Rama,  me gjithë përpjekjet “heroike”, fajtorët nuk i gjeti dot. Mund edhe të konkurrojnë të dy  se kush ka qenë më inovator në “krijimin e shtresës hajdute politiko-ekonomike”!. Fakti është që pas 33 vite tranzicion, ne jemi të parafundit në Ballkan. Mjafton të analizosh vetëm disa tregues për të kuptuar se sa vlejnë shqiptarët sot, pavarësisht numrit të turistëve që hyjnë e dalin e avionëve që ngrihen e ulen.

Sipas INSTAT ( Matja e nivelit të jetesës, 2023) 545 mijë shqiptarë jetojnë në kufijtë e varfërisë, me të ardhura mujore jo më shumë se 22,200 ALL (220 euro). Ndër këto familje, sigurisht ato që kanë fëmijë nën 18 vjeç janë në kushte edhe më të vështira ekonomike. Një krahasim I thjeshtë ndërmjet Shqipërisë dhe disa vendeve fqinjë, tregon se:

EKSPERTIZË nga Arlinda Ymeraj: Kush do të paguajë për

Edhe këta pak tregues janë të mjaftueshëm për të ilustruar faktin se qytetarët shqiptarë janë shumë më të disfavorizuar në aspektin e nivelit të jetesës në krahasim me fqinjët sepse kanë edhe paga e pensione më të ulëta, edhe fuqi blerëse më të ulët, gjë që konfirmon përballjen me një kosto më të lartë jetese. Për ç’arsye duhet të jetë jeta më e vështirë në Shqipëri në krahasim me tre fqinjët, vende në zhvillim, me të njëjtën trashëgimi të një ekonomie të centralizuar, me sipërfaqe dhe popullsi më të vogël se sa Shqipëria, me probleme etnike e luftëra, pa dalje në det (Kosova dhe Maqedonia e Veriut),  e me më pak pasuri natyrore se sa Shqipëria? Sigurisht që “merita” i takon efektivitetit të punës së qeverisë.

Këta prijësit tanë, lojtarë -iluzionistë të mahnitshëm kanë vijuar pa ndërprerje lojën vetëm duke ndërruar fushat me njeri-tjetrin, e duke qeshur pas shpine me ne, sepse na e hodhën edhe një herë tjetër. Përse duhet t'i lejojmë? Çfarë mund të presim më ne nga këta të papërgjegjshëm? Që të na marrin edhe shpirtin e ta “murosin” tek pallatet e tyre?

Kanë vite që na bindin se ne nuk kemi alternativë tjetër, veç të zgjedhim të keqen më të vogël. Kushedi në 11 maj arrijmë të shohim alternativën e tretë, atë të dënimit të të dy partive bashkë me drejtuesit e tyre, për shkatërrimin që i kanë bërë këtij vendi, për dinjitetin tonë të nëpërkëmbur, e kundër të gjitha sondazheve të servilëve të tyre, t'i besojmë të rinjve, sepse ata janë e ardhmja.

 

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH