Etleva Haxhihyseni *
Nëse filozofia është arti i të pyeturit dhe të menduarit thellë, atëherë fëmijët janë natyrshëm filozofë. Çdo “pse?” që shfaqin, çdo pyetje për botën, jetën dhe drejtësinë është një shkëndijë drejt mendimit filozofik. Tek po diskutoja me një kolege më dha të drejtë, fëmijët bëjnë pyetje sfiduese. Tronditen kur zbulojnë konceptin e vdekjes (përkohshmërisë) dhe pyetja që vajza më bën është “A ka një mundësi të evitohet ikja nga kjo botë?”, “Vetëm kjo botë është? Nuk ka mundësi.” Ose mënyra si e shohin të ardhmen dhe përpiqen t’i japin një kuptim human teknologjisë, është po aq e habitshme për arsyen tonë: ”Jam e sigurt që dikur robotët do të krijojnë ndjenja/ndërgjegje, se edhe në historinë njerëzore, në mijëra vjet evoluimi e kemi zhvilluar ndërgjegjen.” Raste të tilla sporadike apo sistemike, të gjithë prindërit mund të tregojnë nga përvojat me fëmijët.
Por si mund ta zhvillojmë këtë aftësi të lindur? Si mund ta ndihmojmë një fëmijë të ndërtojë ide të qarta, të dëgjojë me vëmendje dhe të diskutojë duke respektuar mendimin e të tjerëve? “Filozofia për Fëmijë” është një “udhëtim” që nxit kuriozitetin, forcon arsyetimin dhe hap dyert e një bote ku pyetjet janë po aq të rëndësishme sa përgjigjet. Shkrimi argumenton pse filozofia duhet të jetë një dhuratë e jona për fëmijët dhe për botën që ata do të ndërtojnë nesër.
Philosophy for Children (P4C) vjen si një përgjigje natyrale ndaj pyetjes: “Çfarë mund të bëjmë për t’u garantuar nxënësve jo vetëm informacion, por edhe aftësi të mendimit të pavarur?”
- Në vetvete, P4C është një metodë pedagogjike që e kthen klasën në një “komunitet hulumtimi”, ku çdo fëmijë ftohet të formulojë pyetje, të sfidojë supozimet dhe të ndërtojë përgjigje bashkë me shokët, nën udhëheqjen e mësuesit mentor. Nuk bëhet fjalë për biseda të lira, por për një proces të strukturuar ku dialogu, reflektimi dhe vlerësimi i argumenteve bëhen instrumente qendrore të procesit mësimor.
Lindja e P4C-së zë fill nga fundi i viteve ’60, në reflektimet e filozofit dhe pedagogut Matthew Lipman në Universitetin Montclair të New Jersey-t. Ai vuri re se nxënësit e përjetonin mësimin si dhënie informacioni të gatshëm për t’u procesuar e riprodhuar, pa marrë hapësirën e mendimit të lirë, përplasjes së ideve me mësuesin dhe bashkëmoshatarët. Sipas Lipman, ky model kufizon mendjen, duke e mësuar të pranojë njohurinë në mënyrë pasive. Për t’i kthyer gjërat “vice versa”, ai propozoi përdorimin e letërsisë, imazheve apo fragmenteve filmike, si stimuj që ngrenë pyetje. Kjo ishte pikënisja e strukturës së komunitetit hulumtues.
Por a duhet P4C të marrë vendin e vet brenda kurrikulës shkollor? Sepse në një botë ku informacioni qarkullon me shpejtësi marramendëse, aftësia për të dalluar një argument të mirë nga një tezë pa themel bëhet jetike. Një mendje e zhvilluar sipas parimeve të P4C-së nuk mëson vetëm faktet apo rregulla, por fiton aftësi reflektimi: të formulojë pyetje të hapura, të identifikojë supozime, të ndajë idetë me të tjerët duke respektuar dhe dëgjuar pa paragjykuar. Studime shkencore kanë treguar se pjesëmarrja në seanca P4C përmirëson dukshëm performancën në provimet standarde, sepse mendimi kritik është themeli i çdo njohurie të qëndrueshme. Përtej pikëzimit dhe notave, fëmijët fitojnë vetëbesim kur e kuptojnë se ideja e tyre ka peshë reale dhe se çdo përgjigje e nisur nga një pyetje e menduar mire, ka vlerë të veçantë. Aftësitë sociale: empatia, bashkëpunimi, dëgjimi aktiv, zhvillohen natyrshëm, pasi secili nxënës kupton se biseda filozofike është një “lojë”, ku rregullat e dialogut respektohen nga të gjithë.
Që nga fillimi i viteve ’70, kur Lipman propozoi krijimin e një “komuniteti hulumtues”; thënë ndryshe një mjedisi dialogues, ku nxënësit analizojnë ide, sfidojnë supozime dhe zhvillojnë arsyetimin e tyre përmes bashkëbisedimit kritik dhe reflektimit të udhëhequr. Me integrimin e P4C në kurrikulat shkollore, studiuesit janë përpjekur të vlerësojnë ndikimin e kësaj qasjeje. Studimet tregojnë se P4C sjell përfitime të prekshme, jo vetëm në mendim kritik, por edhe në zhvillimin social dhe performancë akademike, duke argumentuar me fakte përfshirjen e tij në kurrikula. Një nga vlerësimet më të hershme dhe gjithëpërfshirëse është rishikimi sistematik i publikuar në Research Papers in Education (2004), i cili analizoi dhjetë studime për aftësi leximi, arsyetim dhe vetëvlerësim, me efekte që tregojnë pasoja pozitive të qëndrueshme të P4C. Për të thelluar këtë gjetje, një tjetër meta-analizë e vitit 2016, përqendruar në dhjetë studime mbi nxënës nga klasa e dytë deri në të dymbëdhjetën, raportoi një efekt të përgjithshëm pozitiv mbi rezultatet njohëse të nxënësve. Përveç këtyre studimeve, Topping dhe Trickey (2007) realizuan matje specifike në shkollat skoceze dhe konkluzionet flisnin për përfitime të konsiderueshme në arsyetimin verbal dhe jo-verbal. Një post ndjekje dyvjeçare e këtyre nxënësve tregoi se rezultatet e arritura u ruajtën edhe pas shkollës së mesme, duke dëshmuar jo vetëm përmirësim afatshkurtër, por edhe konsolidim të mendimit kritik në kohë. Më tej, një rishikim i botuar në PMC (2022) evidentoi ndikime pozitive mbi aftësitë sociale dhe emocionale, duke vënë gjithashtu në pah edhe sfida praktike në zbatimin e programit në shkolla të ndryshme. Së fundi, një studim i vitit 2024, i cili ndoqi integrimin e seancave P4C në mësimin e gjuhës turke, dëshmoi rezultate të dukshme në përmirësimin e të folurit, vetëbesimit dhe kureshtjes së nxënësve të talentuar. Edhe fëmijët e moshës 5–6 vjeçare përfituan ndjeshëm kur ndoqën një kurrikul të dizajnuar me metoda P4C në një model eksperimental, duke shfaqur avancime të dukshme në mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve.
A mund të integrohet P4C në programet shkollore?
Sipas praktikave në institucione shkollore, nuk kërkon më shumë se një orë në javë dhe një trajnim bazik për mësuesit, që të mund të kalojnë nga roli i transmetuesit të informacionit në atë të lehtësuesit të reflektimit. Materialet stimuluesee mund të jenë historitë tona folklorike, fragmente nga letërsia shqiptare apo diskutime mbi çështje bashkëkohore; me pak fjalë, çdo lëndë mund t’i shtojë një theks filozofik bisedës në klasë.
A është një hallkë që mungon në procesin e mësimdhënies e nxënies, ai reflektim i sinqertë, që bën nxënësit autorë të vetes së tyre dhe qytetarë që mendojnë? P4C nuk është shtojcë, por investim në një sistem që kërkon të formojë jo vetëm individë të aftë për tregun e punës, por mendje të lira, krijuese dhe të përgjegjshme. Duke e shtuar metodën e “komunitetit hulumtues” në mjedisin e klasave, ne nuk i mësojmë fëmijët çfarë të mendojnë, por si të mendojnë: aftësi kjo që do t’u shërbejë për gjithë jetën.
Nëse sot përballemi me sfida komplekse shoqërore nga digjitalizimi masiv, atëherë përgjigja fillestare nuk mund të jetë: më shumë informacion, por më shumë mendim kritik. “Philosophy for Children” duhet të hyjë në shkolla jo si modë, por si një paradigmë thelbësore: për të ndërtuar brezin që nuk druhet nga pyetjet e mëdha, që sheh vlerën e dialogut dhe shkon përpara përmes arsyetimit. Nëse arsyeja është ajo që duhet të na udhëheqë, duhet të fillojmë duke i mësuar fëmijët të pyesin dhe të mendojnë vetë.
Mbështetur në studime, përfshirja e Philosophy for Children në programet shkollore ndjehet si një domosdoshmëri pedagogjike. Duke lidhur së bashku përfitimet në ndërtimin e njohurive me zhvillimin social-emocional, P4C ndihmon në ndërtimin e një mjedisi mësimor ku nxënësit jo vetëm mësojnë të dhëna, por mësojnë të mendojnë për to, por edhe të bashkëpunojnë dhe të rriten si individë të përgjegjshëm.
*Pedagoge në UET
Lipman, M. (2003). Thinking in Education.
Fisher, R. (2006). Philosophy for Children: How and Why.
Thommen, E. (2010). Guide to P4C Facilitation.
'Philosophy for children': a systematic review - Discovery - the University of Dundee Research Portal
https://journal.viterbo.edu/index.php/atpp/article/download/1160/967?utm_source=chatgpt.com
Collaborative philosophical enquiry for school children: cognitive effects at 10-12 years - PubMed
Impact of Philosophy for Children and Its Challenges: A Systematic Review - PMC
https://files.eric.ed.gov/fulltext/EJ1448583.pdf?utm_source=chatgpt.com
(PDF) The Effect of Philosophy for Children (P4C) Curriculum on Critical Thinking through Philosophical Inquiry and Problem-Solving Skills