Zhvillimi i qëndrueshëm është sfidë, por njëkohësisht edhe mundësi – për të formuar jo vetëm profesionistë të aftë, por edhe qytetarë të përgjegjshëm dhe mendimtarë kritikë, të gatshëm të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
Nga auditorët në tregun e punës/ Qëndrueshmëria tashmë mision i inxhinierëve
Universitetet duhet të ofrojnë hapësira eksperimentale, ku studentët mund të eksplorojnë ide të reja pa frikë nga dështimi, duke zhvilluar zgjidhje inovative dhe bashkëpunim ndërdisiplinor
* Prof. em. Dr.-Ing. Dr. h.c. Thomas Carolus
Universiteti i Siegenit – Gjermani
Qëndrueshmëria – një fjalë e zbrazët?
Në ditët e sotme, të përmendësh fjalën “qëndrueshmëri” nuk është gjithmonë e lehtë, madje shpesh mund të tingëllojë e tepërt apo e stërpërdorur. A ka mbetur ajo thjesht një fjalë bosh, e mbushur me fraza klishe? A është bërë aq e zakonshme, sa që rrezikon të perceptohesh si "i gjelbër" apo "woke", sapo e përmend në një diskutim mbi zhvillimin?
W. J. Lindner, ish-ambasador i Gjermanisë në Indi dhe disa vende afrikane, e sheh këtë fenomen nga një këndvështrim praktik: në shumë prej konferencave ndërkombëtare të donatorëve, ku negociohen fonde për bashkëpunim zhvillimor me shtetet e Jugut Global, termat si “qëndrueshmëri” dhe “burime të rinovueshme” janë të pranishëm në pothuajse çdo projekt. Megjithatë, shpesh këto fjalë mbeten pa ndonjë përmbajtje të qartë apo konkrete.
Një vështrim i shpejtë në internet – mjafton të kërkosh “qëllimet e qëndrueshmërisë të kompanisë XY” – zbulon një mori deklaratash të formuluara mirë, por të ngjashme dhe shpesh të vagëta. Ja disa shembuj:
Një prodhues i madh automobilësh deklaron: mbrojmë dhe forcojmë mjedisin tonë; trajtojmë njerëzit me dinjitet dhe respekt; veprojmë me integritet dhe në përputhje me rregullat; marrim përgjegjësi në shoqëri, mundësojmë lëvizshmëri dhe modele biznesi të qëndrueshme.
Ndërsa një kompani e njohur kimike thekson: ndjekim një rrugë fitimprurëse drejt ndryshimit dhe jemi të përkushtuar ndaj arritjes së objektivave tona klimatike për vitet 2030 dhe 2050. Mbrojtja e klimës është pjesë e pandashme e strategjisë sonë. Si një konsumues i madh energjie, kemi përgjegjësi për mbrojtjen e klimës në nivel global dhe mbështesim Marrëveshjen e Parisit. Strategjia jonë synon ende arritjen e objektivave tona klimatike.
Nga deklaratat në veprim konkret?
Edhe kompanitë e prodhimit të turbinave me erë nuk mbeten pas në përdorimin e fjalës “qëndrueshmëri”. Në deklaratat e tyre, mund të lexosh: mbrojtja e klimës dhe mjedisit është pjesë thelbësore e ADN-së sonë korporatave; dëshirojmë të angazhohemi edhe më fuqishëm në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë në aktivitetet tona ekonomike; synojmë të përdorim burimet më me efikasitet, të aplikojmë materiale të ricikluara sa herë që është e mundur dhe të kontribuojmë në ekonominë vendore.
Megjithatë, jo të gjitha premtimet mbështeten me strategji të qarta apo objektiva të matshëm. Shpesh mungojnë indikatorë konkretë që do të bënin të mundur vlerësimin real të progresit. Në këtë mënyrë, qëndrueshmëria rrezikon të shndërrohet në një koncept të vagët – një mjet për të përmirësuar imazhin publik të kompanive, pa angazhim të thellë apo ndryshim substancial. Kjo është ajo që sot njihet si greenwashing – dhe rreziku i një qasjeje të tillë është real.
Qëndrueshmëria – me përmbajtje konkrete?
Ky debat nuk është i ri. Që në vitin 1972, në librin tim gjerman të leximit si nxënës gjimnazi, hasa një tekst nga David E. Lilienthal me titull “Bekimi i teknologjisë – TVA”. Që në paragrafin hapës shkruhej: “Ky libër është shkruar në luginën e një lumi të madh amerikan, Tennessee. Ai përshkruan historinë e një transformimi të madh. Është një raport mbi atë që ka ndodhur në këtë luginë që nga koha kur Kongresi Amerikan i dha Autoritetit të Luginës së Tennessee (TVA), në vitin 1933, detyrën për të shfrytëzuar pasuritë natyrore të këtij rajoni…”
Edhe pse sot jemi shumë më të vetëdijshëm për pasojat ekologjike – për shembull devijimet e lumenjve – ky shembull përfaqëson në mënyrë të natyrshme tri shtyllat që sot përbëjnë bazën e zhvillimit të qëndrueshëm: ekologjinë, ekonominë dhe dimensionin social.
Këto tre shtylla u formalizuan më 9 korrik 1998 në një raport përfundimtar prej 400 faqesh nga Komisioni Hetimor i Bundestagut gjerman, i titulluar “Koncepti i Qëndrueshmërisë – Nga modeli drejt zbatimit”. Ky dokument u ndikua ndjeshëm nga raporti i Brundtland, i publikuar në vitin 1987 nga Komisioni Botëror për Mjedisin dhe Zhvillimin, nën drejtimin e ish-kryeministres norvegjeze Gro Harlem Brundtland.
Nga koncepti në agjendë globale
Një zhvillim thelbësor ndodhi në vitin 2015, kur Kombet e Bashkuara miratuan Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) si pjesë e Agjendës 2030. Kjo agjendë përfshin fusha të qarta veprimi dhe përfaqëson një plan global për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, të jetueshme dhe në përputhje me kufijtë e planetit.
Nga gjithsej 17 objektivat e qëndrueshmërisë, rreth njëmbëdhjetë kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me teknologjinë dhe veprimtarinë inxhinierike. Këto përfshijnë: pa uri; shëndet dhe mirëqenie; ujë i pastër dhe kanalizime; energji e përballueshme dhe e pastër; punë dinjitoze dhe rritje ekonomike; industri, inovacion dhe infrastrukturë; qytete dhe komunitete të qëndrueshme; konsum dhe prodhim i qëndrueshëm; masa për mbrojtjen e klimës; jeta nënujore; jeta në tokë.
Objektivat e qëndrueshmërisë në arsim – nevojë për integrim të thelluar
Nëse trajtohen me seriozitet, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk duhet të jenë thjesht pjesë shtesë, por të zënë një vend qendror në çdo program bashkëkohor të arsimit inxhinierik. Kjo qasje e re kërkon jo vetëm përfshirje teknike, por edhe kuptim të thellë etik dhe filozofik mbi përgjegjësinë e profesionit inxhinierik në ndërtimin e së ardhmes.
Një kontribut i rëndësishëm në këtë drejtim vjen nga filozofi gjermano-amerikan Hans Jonas, i cili në veprën e tij të vitit 1979 “Parimi i përgjegjësisë”, parashikoi shumë nga dimensionet që më vonë u përfshinë në objektiva si “Energji e përballueshme dhe e pastër”. Ai argumenton se përparimi teknologjik nuk duhet të drejtohet vetëm nga ajo që është e mundur, por edhe nga ajo që është moralisht e justifikueshme në afat të gjatë.
Etika si themel i qëndrueshmërisë
Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është një koncept i pastër teknik – ai qëndron mbi bazat etiko-normative, të cilat ndahen në disa qasje themelore:
• Perspektiva deontologjike bazohet në idenë e një detyrimi moral për të mundësuar vazhdimësinë e jetës njerëzore në Tokë. Por, në realitetin e sotëm, kjo ndjenjë e detyrës shpesh zbehet përballë individualizmit në rritje, indiferencës ndaj të tjerëve dhe mungesës së solidaritetit, siç ka vërejtur edhe sociologu Stephan Lessenich.
• Qasja fetare e sheh sjelljen e qëndrueshme si një akt besnikërie: “Mos mëkato kundër urdhrit të Zotit.” Edhe pse koncepti i së shenjtës është relativizuarpërmes iluminizmit dhe shkencës, fetë vijojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në përcjelljen e udhëzimeve morale. Karl Rahner, teolog i njohur i krishterë, ka formuluar idenë e një etike botërore që mbështetet në besime që lidhen me një absolut të përbashkët – qoftë Zoti apo një parim universal.
• Qasja utilitariste, e cila mbështetet në vlerësimin racional të pasojave të veprimeve tona, ka qenë qendrore në mendimin e Hans Jonas. Sipas tij, maksima etike e kohës moderne duhet të jetë:“Vepronë atë mënyrë që pasojat e veprimeve të tua të mos shkatërrojnë mundësinë e jetës njerëzore të vërtetë në Tokë në të ardhmen.” Jonas përmend gjithashtu se, për shkak se evolucioni është i ngadaltë dhe përballues ndaj gabimeve të pjesshme, ne duhet të vlerësojmë më shumë paralajmërimet për rrezik sesa premtimet për shpëtim.
Në një kohë kur ndërhyrjet teknologjike janë masive dhe të menjëhershme, përgjegjësia për të ardhmen kërkon një qasje të matur, të krahasueshme me përgjegjësinë e një prindi për fëmijën e vet – një arketip që Jonas e sheh si themelin e çdo veprimi etik.
Sfida të reja: egoizmi, mohimi dhe mungesa e rezonancës
Përballë këtyre qasjeve qëndron një perspektivë egocentrike, ku interesi personal bëhet kriteri i vetëm. Në këtë logjikë, sjellja e qëndrueshme shihet si e panevojshme, ose edhe pengesë për përfitime afatshkurtra. Ky qëndrim manifestohet shpesh përmes mohimit të fakteve shkencore, veçanërisht sa i përket ndryshimeve klimatike, si dhe në deklarata që nënvlerësojnë çështjen me justifikime të tilla si: “Ka gjëra më urgjente” apo “Ekonomia vjen para ekologjisë.”
Sociologu Hartmut Rosa ofron një qasje të re: ai thekson se sjellja e qëndrueshme nuk duhet parë si një detyrim që na kufizon, por si një burim i thellë përmbushjeje. Ai shkruan:“Kush e përjeton veten si të ndarë nga brezat e kaluar dhe të ardhshëm, ka pak arsye për t’u ndikuar nga parimet abstrakte të drejtësisë. Por ai që ndjen se historia kalon përmes tij dhe ndien lidhje emocionale me paraardhësit dhe pasardhësit, nuk ka nevojë për parime të tilla për të justifikuar sjelljen e qëndrueshme. Kufizimi nuk është më privim, por një formë e rezonancës dhe përbërës i një jete të suksesshme.”
Ky kuptim i rezonancës me kohën, me njerëzit dhe me natyrën është i domosdoshëm për një etike të thellë të qëndrueshmërisë, që nuk mbështetet vetëm në rregulla, por në ndjeshmëri dhe ndërgjegjësim.
Qëndrueshmëria si kuptim i jetës
Në përmbyllje, psikologia sociale Vera King thekson një pikë delikate, por thelbësore: “Jeta humbet kuptimin kur nuk ekziston më asnjë shpresë për të ardhmen.”
Ajo vëren se tërheqja në botë private – si ideja e mbijetesës në bunker me rrethin e ngushtë – nuk është zgjidhje, por shkatërrim i lidhjes kuptimore me botën dhe të ardhmen.
Kuptimi i jetës lidhet me besimin në të ardhmen dhe me ndërlidhjen me të tjerët. Pa këto dy përbërës, nuk mund të ketë as përgjegjësi dhe as qëndrueshmëri.
Qëndrueshmëria – pjesë e arsimit të lartë human
Në veprën e tij me ndikim “Historia e motorit me avull” të botuar në vitin 1901, inxhinieri Conrad Matschossshkruante: “Kush ka në shërbim forcat e natyrës, mund të bëjë pa forcën fizike të tij, e cila është e vogël në krahasim me to. Skllavëria atëherë merr fund…”
Matschoss i përshkruan njerëzit e skllavëruar dhe kafshët e punës në epokat paraindustrialiste thjesht si “forcë” – një lloj makinerie primitive e vlerësuar vetëm për fuqinë e muskujve. Përmes këtij shembulli, ai nënvizon përfitimet e mëdha që ka sjellë teknologjia: çlirimi nga puna e rëndë fizike dhe rritja e përgjithshme e mirëqenies. Kjo mbetet ende një mënyrë e kuptueshme për të vlerësuar ndikimin pozitiv të zhvillimeve teknologjike.
Në veprën tjetër, “Kënaqësitë ekzistenciale të inxhinierisë”(1976), Henry Petroski (i njohur fillimisht si Florman) përshkruan misionin e inxhinierit si një proces të ndërlidhur: të kuptojë ligjet e natyrës, të analizojë nevojat njerëzore, të krijojë zgjidhje, t’i testojë ato dhe të arrijë deri tek realizimi përfundimtar. Sipas tij, kënaqësia ekzistenciale lind në çdo hap të këtij procesi – për vëzhguesin, përdoruesin dhe mbi të gjitha për krijuesin vetë.
Florman ngrinte gjithashtu pyetjen problematike: kush e përcakton se cila zgjedhje teknologjike është më etike apo më morale? Ai paralajmëronte se një theksim i tepërt mbi dimensionin etik mund të ulë efikasitetin e inxhinierit dhe të dobësojë motivimin krijues.
Por sot, pothuaj pesë dekada më vonë, kjo pikëpamje has në një tjetër realitet: provat shkencore mbi ndikimet negative të teknologjisë janë më të qarta se kurrë. Ka një konsensus të gjerë se veprimtaria njerëzore po ndikon thellësisht në klimën e planetit. Gjithashtu, është dokumentuar se përmirësimet teknike në efikasitet nuk sjellin gjithmonë kursime reale, pasi burimet e kursyera shpesh përdoren më shumë – i ashtuquajturi efekt rikthimi (rebound effect). Një tjetër shembull tronditës është ndotja masive me plastikë e ekosistemeve ujore dhe tokësore, që ka hyrë në qendër të kërkimeve globale.
—-------------------------------------
Çfarë roli duhet të luajë universiteti?
Përballë këtyre sfidave, universitetet, veçanërisht ato që përgatisin inxhinierë, kanë një rol thelbësor për të luajtur. Përtej mësimdhënies cilësore dhe kërkimit shkencor, të cilat duhen rishikuar vazhdimisht, universitetet duhet të ndërmarrin hapa të qartë drejt një arsimimi të lartë human, të përqendruar në vlera.
Katër drejtime për universitetin në epokën e qëndrueshmërisë
1. Integrimi i vlerave etike në përmbajtjet teknike
Reinmann e përmend këtë në kontekstin e inteligjencës artificiale, duke theksuar se një studim universitar nuk është thjesht përgatitje teknike, por proces formimi personal, që në rastin më të mirë zhvillon ndërgjegjen për vlera si drejtësia, qëndrueshmëria dhe diversiteti.
Nuk bëhet fjalë për indoktrinim ideologjik – një praktikë e njohur nga regjimet autoritare – por për një ballafaqim të thelluar me konceptet etike, ekonomike dhe ekologjike, si pjesë integrale e formimit profesional të inxhinierëve.
Ashtu si shumë institucione profesionale ndërkombëtare, edhe Shoqata Gjermane e Inxhinierëve (VDI) ka formuluar parime etike për profesionin e inxhinierit. Këto parime nuk duhet vetëm të ekzistojnë në teori, por të zhvillohen, diskutohen dhe rishikohen vazhdimisht, në përputhje me sfidat e reja që sjell teknologjia dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
2. Zhvillimi i të menduarit analitik dhe kritik
Për të përgatitur studentët për realitetin kompleks dhe shpesh kontradiktor të vendimmarrjes në praktikë, universiteti duhet të forcojë në mënyrë të qëllimshme aftësitë për të menduar në mënyrë analitike dhe kritike. Kjo do të thotë të ndihmohet studenti që të: analizojë informacione komplekse duke i ndarë në përbërësit thelbësorë; njohë modele, struktura dhe tendenca; kuptojë lidhje shkak-pasojë dhe mekanizma të fshehur pas dukurive; dallojë midis provave empirike dhe dëshmive subjektive apo anekdotike; identifikojë dhe fokusohet në thelbësoren, duke shmangur të parëndësishmen.
Të menduarit analitik nuk është një talent i lindur, por një aftësi që mund dhe duhet të mësohet – përmes leximit të kujdesshëm të literaturës profesionale dhe shkencore, diskutimeve të strukturuara, eseve analitike dhe veprimtarive që nxisin reflektimin dhe krahasimin e perspektivave të ndryshme.
Qëllimi përfundimtar është të krijohen të diplomuar që janë në gjendje të kuptojnë kompleksitetin e botës, të peshojnë argumente të kundërta dhe të formulojnë gjykime të pavarura, të argumentuara dhe etike.
3. Kontekstualizimi profesional në lidhje me qëllimet e OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm
Në mësimdhënien teknike nuk mjafton që studentët të mësojnë formulat, ligjet dhe zgjidhjet standarde. Po aq e rëndësishme është që ata të jenë të aftë të reflektojnë mbi pasojat që sjellin këto njohuri kur aplikohen në botën reale: si ndikojnë mbi burimet natyrore, mjedisin, kushtet e punës dhe mirëqenien sociale.
Teknologjia nuk duhet parë si një qëllim në vetvete, por si mjet për të adresuar sfida reale, që lidhen me jetën njerëzore dhe ekosistemet që e mbështesin atë. Kjo kërkon një shikim më të gjerë mbi profesionin teknik, përtej funksionalitetit dhe performancës.
Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara ofrojnë një kuadër të dobishëm për të kontekstualizuar dhe ndërlidhur njohuritë teknike me qëllime globale – nga eliminimi i varfërisë dhe reduktimi i pabarazive, deri te ruajtja e biodiversitetit dhe veprimi për klimën.
4. Krijimi i hapësirave për kreativitet
Përveç përvetësimit të dijes së verifikuar dhe metodave të testuara, përparimi teknik dhe zgjidhja e problemeve komplekse kërkojnë gjithashtu mendim të lirë, krijues dhe të guximshëm. Universitetet duhet të ofrojnë hapësira eksperimentale, ku studentët mund të eksplorojnë ide të reja pa frikë nga dështimi, duke zhvilluar zgjidhje inovativedhe bashkëpunim ndërdisiplinor.
Kjo mund të realizohet përmes: moduleve zgjedhore mbi qëndrueshmërinë me tematikë të hapur; laboratorëve të lirë eksperimentalë dhe punëtorive krijuese; konkurseve të ideve dhe sfidave praktike; pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm.
Përvoja personale me procesin krijues forcon vetëbesimin, motivimin dhe ndjeshmërinë e studentëve ndaj sfidave reale dhe shumëdimensionale që shtron e ardhmja.
-----------------------------------------
Përfundim
Në ditët e sotme, zhvillimi i qëndrueshëm si pjesë përbërëse e arsimit të lartë nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri. Por për ta bërë atë realitet të qëndrueshëm dhe efektiv, kërkohet më shumë se retorikë: kërkohet angazhim i sinqertë, planifikim i kujdesshëm dhe veprim konkret nga të gjitha nivelet e sistemit arsimor – nga mësimdhënësit e deri te drejtuesit institucionalë e politikëbërësit.
Nuk mjafton të themi se “qëndrueshmëria është e rëndësishme”. Duhet të përkthehet në plane mësimore të integruara, në objekte kërkimi me ndikim, dhe në një kulturë universitare që promovon reflektimin, përgjegjësinë dhe bashkëpunimin.
Zhvillimi i qëndrueshëm është sfidë, por njëkohësisht edhe mundësi – për të formuar jo vetëm profesionistë të aftë, por edhe qytetarë të përgjegjshëm dhe mendimtarë kritikë, të gatshëm të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
----------------------------
*Autori është Doktor Honoris Causa i Universitetit Politeknik të Tiranës
Materiali u përgatit për botim nga Prof. Dr. AndonaqLondo Lamani, Rektor i Tirana College of Technology