Florian Çullhaj
Ndërsa Shqipëria hyn në dekadën e tretë të tranzicionit demokratik, fitoret e përsëritura zgjedhore të Edi Ramës, tani në mandatin e tij të katërt radhazi, kanë ngritur pyetje të rëndësishme në lidhje me gjendjen e demokracisë shqiptare. A është dominimi i Ramës një shenjë e një rendi të shëndetshëm politik apo një sinjal paralajmërues? Ose, çfarë mjetesh duhet të ketë një demokraci për të mbrojtur veten nga autoritarizmi në rritje që nuk del nëpërmjet grushteve të shtetit, por nëpërmjet zgjedhjeve?
Në Gjermani, koncepti i ‘demokracisë militante’ është rikthyer në qendër të debatit publik, pasi shumë zëra bëjnë thirrje për veprime ligjore për të ndaluar partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Ligji gjerman, i etabluar në traumat historike, lejon përjashtimin e partive që kërkojnë të minojnë rendin demokratik. Ky parim, i përcaktuar në Ligjin Bazë të pasluftës, pasqyron një mësim të thellë nga e kaluara, se demokracia nganjëherë duhet ta mbrojë veten jo vetëm me bindje, por edhe me garanci ligjore.
Ky diskutim duhet të ketë jehonë edhe në Shqipëri, ku kufiri midis demokracisë kushtetuese dhe qeverisjes së personalizuar është ulur këmbëkryq. Marrja e pushtetit nga Rama, megjithëse formalisht e legjitimuar, zbulon dobësi strukturore në sistemin politik shqiptar. Demokacia, nuk ka të bëjë vetëm me fitimin e zgjedhjeve, por edhe me gërryerjen e kushteve për konkurrencë të ndershme, dobësimin e institucioneve të pavarura dhe margjinalizimin e kundërshtarëve.
Problemi sot nuk është nëse Rama i fiton zgjedhjet, por si i fiton ato. Kontrolli i tij mbi median, përdorimi i rrjeteve të patronazhistëve, kapja e Partisë Socialiste dhe ndikimi mbi drejtësinë e ‘re’ kontribuojnë në një përqendrim pushteti që i ngjan zbrazjes graduale të sistemeve demokratike njëjtë në Hungari, Serbi dhe Turqi. Kjo do të thotë që Shqipëria tashmë nuk është më një demokraci liberale, por vendi ka rënë në atë klasifikim që shkencëtarët politikë e quajnë ‘autokraci konkurruese’, regjime në të cilat mbahen zgjedhje, por rregullat e lojës janë skicuar në favor të pushtet mbajtësit.
Këtu bëhet e rëndësishme ideja e demokracisë militante ose ndryshe të angazhuar. E zhvilluar nga juristi gjerman Karl Löwenstein në vitet 1930, demokracia militante argumenton se demokracitë liberale duhet të jenë në gjendje të mbrojnë vetveten nga aktorët që shfrytëzojnë procedurat demokratike për të shkatërruar etosin demokratik. Ngjitja e Hitlerit në pushtet përmes sistemit ligjor dhe zgjedhor të Republikës së Vajmarit mbetet një ende një sinjal i fortë paralajmërues. Një demokraci që u lejon armiqve të saj të fitojnë pushtet pa kufizime, rrezikon vetëvrasje.
Rama nuk është Hitleri, dhe Shqipëria nuk është Gjermania e viteve 1930. Por modeli i prishjes institucionale dhe konsolidimit të ekzekutivit është shqetësues. Kur të gjithë zërat e opozitës pikturohen si armiq të progresit, kur mediat vetëcensurohen ose janë në pronësi të miqve të pushtetit, kur gjykatat dhe organet zgjedhore funksionojnë me komandë nga lart, atëherë vetëm një proces zgjedhor nuk garanton më për qeverisje demokratike. Një ‘demokraci popullore’, në stilin e populistëve autoritarë, pretendon se përfaqëson vullnetin e popullit, duke i shpërfillur kontrollet ligjore, partitë opozitare dhe institucionet e pavarura si pengesa. Në sisteme të tilla, udhëheqësit nuk qeverisin nëpërmjet maturisë kushtetuese, por nëpërmjet karizmës, kontrollit dhe narrativës.
Pra, mbrojtja e demokracisë shqiptare do të thotë rindërtimi i rregullave të lojës, rivendosja e transparencës në qeveri, sigurimi i aksesit të barabartë në media, mbështetja e pavarësisë së gjyqësorit dhe mbrojtja e hapësirave për debat konstruktiv. Do të thotë gjithashtu të pranosh se demokracia nuk është vetëm një qëllim, por një proces delikat që duhet mbrojtur me vendosmëri.
Si arrihet kjo, me presion mbi aktorët ndërkombëtarë, veçanërisht institucionet e BE-së, që të lidhin mbështetjen dhe ndihmën politike me standarde të matshme demokratike, jo vetëm me stabilitetin dhe ‘reformat’. Kjo lëvizje nuk do ta rrëzonte Ramën nesër, por e riformulon luftën, duke e larguar atë nga një cikël steril majtas-djathtas por duke e vendosur në një perspektivë fondamentale, a duam demokraci të vërtetë apo jo? Beteja politike duhet zhvendosur nga spektri elektoral në atë ekzistencial.
Si përfundim, një demokraci që nuk vetërregullohet, ka gjasa të shkatërrohet. Një sistem ku opozita nuk ka hapësirë reale, ku mediat vetëcensurohen dhe ku qytetari sheh vetëm një alternativë ‘të pashmangshme’, jemi në autokraci. Sot, Rama nuk ka nevojë të shtypë me dhunë, ai e ka fituar betejën, është kthyer në njeriun që kontrollon gjithçka dhe e quan këtë normalitet. Por kjo nuk është demokraci, është një ‘rend i qëndrueshëm personal’, ku pushteti nuk rrezikohet realisht, dhe çdo zë kundër relativizohet si ‘destruktiv’.
