Anjeza Xhaferaj
Partitë e vogla janë një nga ato paradokset shqiptare: pak i votojnë, por të gjithë thonë se duhen. Nuk kanë kohë televizive, por përfliten në çdo studio. Nuk “fitojnë”, por nga ato pritet të ndryshojnë sistemin. Partitë e vogla dhe të reja janë, në fakt, një e mirë publike. Janë mundësia për të rifreskuar politikën pa e rinovuar fasadën e partive të mëdha. Ato përfaqësojnë një mundësi për të rifreskuar agjendën politike, për të futur në debat çështje të shpërfillura nga partitë e mëdha, dhe për të ofruar modele të reja përfaqësimi dhe llogaridhënieje. Nuk janë vetëm alternativa, por edhe nevoja për një sistem politik më të hapur, më të ndjeshëm dhe më përfaqësues. Janë një sinjal se politika mund të bëhet edhe pa oligarki mediatike, nepotizëm apo pazare të mbyllura.
Por kjo nuk ndodh vetiu. Rrjetet sociale, protestat dhe fushatat në media janë mjete të dobishme, por nuk mjaftojnë. Politika nuk është një akt sezonal; është një proces i përditshëm që kërkon praninë e vazhdueshme dhe lidhje të qëndrueshme me komunitetin. Për këtë arsye, krijimi i një orgaizate funksionale në terren është thelbësor. Të kesh degë lokale, aktivistë të angazhuar dhe një strukturë që funksionon përtej fushatës zgjedhore është çelësi i qëndrueshmërisë. Pa këtë, edhe idetë më të mira mbeten në ajër.
Përfaqësimi parlamentar është, natyrisht, i rëndësishëm. Ai ofron një hapësirë të çmuar për të komunikuar ide, për të ndikuar në ligjbërje, dhe për të qenë pjesë e debatit politik në mënyrë institucionale. Por ky përfaqësim nuk duhet parë si qëllimi final, as të zëvendësojë nevojën për ndërtim të bazës. Shumë parti e kanë provuar që hyrja në parlament pa një organizatë reale pas shpine sjell një sukses të përkohshëm dhe një harresë të shpejtë.
Historia politike e Shqipërisë ofron një mësim të rëndësishëm në këtë drejtim. Partia Socialiste që trashëgoi aparatin e Partisë së Punës, i mbijetoi me sukses tronditjes së vitit 1990 jo për shkak të ideologjisë, por për shkak të strukturës. Edhe pse numri i anëtarësisë ra ndjeshëm — nga mbi 100 mijë që deklaroheshin para viteve ’90 në rreth 30 mijë — ajo mbeti e shpërndarë në gjithë territorin, me praninë e saj të vazhdueshme në çdo qytet, lagje dhe fshat. Kjo e mbajti organizatën gjallë dhe funksionale në një kohë kur gjithçka tjetër po rrënohej.
Në të kundërt, Partia Demokratike, me themelimin e saj nuk pati mundësi të ndërtonte një organizatë të fortë sepse iu desh të përballej me fushatën elektorale dhe fitoi përfaqësim institucional që në zgjedhjet e para. Në këtë mënyrë ajo iu përkushtua menjëherë lojës institucionale dhe betejave për pushtet, dhe nuk arriti kurrë të ndërtonte një strukturë organizative të ngjashme me atë të PS. Dhe ky është një fenomen i njohur në shumicën e vendeve post-komuniste, ku partitë e reja për faktorë të ngjashëm si pjesëmarrja në zgjedhje që në fillim të krijimit të tyre, apo rritja e ndikimit të medias dhe rolit të imazhit të kryetarit të partisë përmes saj, neglizhuan ndërtimin e bazës për shkak të fokusit tek institucionet.
Ky është një mesazh për partitë e vogla që synojnë jetëgjatësi dhe ndikim real: suksesi i qëndrueshëm nuk vjen vetëm nga një fitore parlamentare dhe as me numrin e postimeve dhe të klikimeve. Nuk fitohet me studio por në lagje. Ai ndërtohet me durim, me punë në terren, dhe me lidhje të vërteta me qytetarët. Ato duhet të kenë njerëz në çdo lagje, jo vetëm 'followers' në Instagram. Parlamenti është një dritare e rëndësishme, por jo e vetmja. Mund të mos fitojnë në zgjedhjet e para, të dyta apo të treta, por qëndrueshmëria në kohë është e rëndësishme. Në një sistem politik që vuan nga stagnacioni, cinizmi dhe ricklimi, partitë e reja mund të bëhen motorë të ndryshimit vetëm nëse arrijnë të jenë të pranishme në jetën reale të njerëzve — jo vetëm me retorikë. Dhe kjo kërkon më shumë se një ide të mirë: kërkon organizatë, përkushtim dhe besim se ndryshimi fillon nga poshtë.