Klajdi Logu, pedagog i Universitetit Europian të Tiranës dhe ekspert në çështje sociale dhe gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, analizon për "Liberale" rrezikun e mundshëm të përshkallëzimit të konfliktit edhe në rajonin tonë
Operacioni "Luani në Ngritje" i Izraelit është kulmi më domethënës deri më sot i konfrontimit ushtarak që filloi midis Izraelit dhe Iranit dhe partnerëve të tij jo-shtetërorë pas sulmeve të 7 tetorit 2023. Izraeli ka prerë “kokën” e udhëheqjes ushtarake të Iranit, ka goditur instalime të shumta bërthamore dhe ka lëkundur aftësitë mbrojtëse dhe ofensive të Iranit duke përdorur sulme ajrore dhe operacione speciale. Irani është hakmarrë me breshëri raketash balistike dhe mjetesh ajrore të papilotuara (UAV). Në konfliktin aktual midis Izraelit, një fuqie bërthamore e padeklaruar, dhe Iranit, një shteti në prag të zhvillimit të armëve bërthamore, e ardhmja e rajonit varet në fije të perit.
Në situatën e krijuar, mediat ndërkombëtare raportojnë se konflikti në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohet me ndërhyrjen e mundshme të SHBA-ve, në Iran, nxitur edhe nga thirrje populiste të politikanëve në zonat e nxehta dhe jo vetëm.
Klajdi Logu, pedagog i Universitetit Europian të Tiranës dhe studiues në fushën e Shkencave Sociale, me përvojë të pasur akademike rreth çështjeve të sigurisë, i pyetur nëse siguria jonë kombëtare është në nivelin e duhur për t’iu përgjigjur rrezikut të një lufte më të gjerë e të mundshme, vë në dukje për “Liberale” se “mbrojtja nuk është vetëm ushtarake – është sociale, informative dhe institucionale”.
“Përgjigja duhet të ndahet në dy plane: kapacitetin real dhe arkitekturën simbolike të sigurisë. Shqipëria, si një shtet i vogël periferik në strukturat euroatlantike, e ka sigurinë e saj kombëtare të ndërlidhur ngushtë me garancitë e kolektivit, dhe jo me kapacitetin e saj të brendshëm. Sipas qasjes së Hans Morgenthau mbi realizmin klasik, siguria është funksion i fuqisë, por në një rend ndërkombëtar multilateral, ajo realizohet edhe përmes aleancave strategjike. Në këtë kuadër, përfshirja e mundshme e SHBA-ve në një konflikt me Iranin do të krijonte tensione gjeopolitike që mund të kenë efekte valëzuese në Ballkan, por jo drejtpërdrejt kërcënuese për territorin shqiptar. Siç vëren Herbert Marcuse, “paqja sigurohet nga kërcënimi i vazhdueshëm i luftës”. Shqipëria, si anëtare e NATO-s, gëzon një siguri që tejkalon mundësitë e saj reale. Megjithatë, kjo nuk përjashton nevojën për të rritur kapacitetin strategjik të analizës së rrezikut, edukimin për sigurinë, dhe bashkërendimin më të mirë civil-ushtarak. Mbrojtja nuk është vetëm ushtarake – është sociale, informative dhe institucionale”, shprehet eksperti i çështjeve të sigurisë, Klajdi Logu.
Vendet e Ballkanit shprehën shqetësim për pasojat e sulmit të Izraelit ndaj centraleve bërthamore të Iranit dhe zyrtarëve të lartë të sigurisë - mes frikës se kriza do të thellohet. - 'Qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po përpiqet ta fusë rajonin tonë dhe të gjithë botën në katastrofë me veprimet e saj të pamatura, agresive dhe të paligjshme', - tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i japë fund konfliktit. Izraeli nisi sulme ajrore në të gjithë Iranin javën e kaluar, duke pretenduar se synonte të godiste kapacitetet bërthamore të Iranit. Sulmet izraelite vranë Hossein Salami, shefin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, figura të tjera të larta ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë, njoftoi Irani. Teherani u zotua t'u përgjigjet sulmeve me një "ndëshkim të rëndë.
Temat kryesore të kërkimit shkencor të Klajdi Logut përfshijnë mënyrën se si liderët populistë shfrytëzojnë tensionet gjeopolitike për të konsoliduar pushtetin e tyre dhe sfidat që kjo sjell në integrimin rajonal dhe ndërkombëtar. Shqipëria është anëtare e NATO-s se dhe kësisoj a mund të themi se është më e kërcënuar Kosova në një rast të zgjerimit të mundshëm të konfliktit, çështje për të cilën eksperti i sigurisë, Klajdi Logu, shprehet:
“Po të ndjekim logjikën e gjeopolitikës klasike dhe të teorive të zonave gri në rendin ndërkombëtar (siç argumenton Zbignieë Brzezinski në analizën e “arc of instabilit”), Kosova mbetet më e ekspozuar për shkak të statusit të saj të pasigurt në sistemin ndërkombëtar dhe mungesës së një anëtarësimi formal në NATO. Në një kontekst përshkallëzimi global, zonat me sovranitet të paqëndrueshëm apo me arkitekturë të brishtë të sigurisë janë më të prekshme nga ndikimet gjeopolitike të aktorëve të tretë”.
“Shqipëria, nga ana tjetër, është e mbrojtur nga neni 5 i traktatit të NATO-s, por kjo mbrojtje nuk është e transferueshme automatikisht në rastin e Kosovës. Kjo e fundit është më e ekspozuar, jo vetëm për shkak të statusit ndërkombëtar, por edhe për shkak të pranisë së interesave të kundërta në rajon, si dhe dobësisë së institucioneve të brendshme. Në këtë kuptim, ajo që Giorgio Agamben quan “gjendje përjashtimi” bëhet konceptualisht e rëndësishme: Kosova mbetet një entitet në kufijtë e rendit juridik ndërkombëtar dhe, si e tillë, më e cenueshme në periudha turbulencash. Për këtë arsye, është e domosdoshme të forcohen më tej mekanizmat e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, të investohet në strukturat e përbashkëta të sigurisë, por mbi të gjitha të avancohet statusi ndërkombëtar i Kosovës në mënyrë që ajo të mos jetë më “pika e dobët” në hartën strategjike të Ballkanit”.
E ndërsa konflikti mbetet i ndezur dhe rreziku i lartë se mund të përshkallëzohet, Ministria e Jashtme e Rusisë në orët e fundit paralajmëroi të enjten Shtetet e Bashkuara të mos ndërmarrin veprime ushtarake kundër Iranit, mes spekulimeve nëse Uashingtoni do të hyjë në luftë përkrah Izraelit. Moska lëshoi paralajmërimin e saj pasi Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping në një telefonatë dënuan sulmet izraelite ndaj Iranit dhe kërkuan një zgjidhje diplomatike të konfliktit.