Anjeza Xhaferaj
Në një demokraci parlamentare, kabineti lind nga legjislativi dhe i jep llogari atij. Formimi dhe “mirëmbajtja” e qeverisë, pra, është një nga funksionet kryesore të parlamentit. Në Shqipëri, megjithatë, qeveritë e dyta dhe të treta të Ramës e kanë trajtuar besimin parlamentar si formalitet. Që prej vitit 2013, portofolët kryesorë kanë ndërruar duar me një shpejtësi që të kujton“headhunting”un korporativ, më shumë sesa një kujdes kushtetues; dhoma që duhej t’i mbikëqyrte këto ndryshime ka mbetur spektatore.
Slogani i ri i Partisë Socialiste – “Me Edin, me PS-në” – është brutalisht (për të mos thënë partupësisht) i sinqertë. Ai nënkupton se të jesh me partinë sot do të thotë të jesh me njeriun që e drejton. Kur Edi Rama mori detyrën në vitin 2013, premtoi një ekip të rinjsh në pushtet. Pas dymbëdhjetë vitesh, mund të thuhet se premtimi u mbajt, por jo se pionerët patën sukses, por sepse asnjë ministër nuk qëndroi mjaftueshëm gjatë për t’u bërë veteran.
Një kabinet dhe një kod elektoral në lëvizje të përhershme
Modeli i sjelles tashmë është i qartë. Në vitin 2016, problemet në ekonomi, i kushtuan postin ministrit të Financave dhe Ekonomisë (kush e mban mend Shkëlqim Canin?). Një vit më pas, mes skandaleve të trafikut të drogës dhe tenderimeve, katër ministra u shkarkuan brenda një fundjave marsi.
Në dhjetor 2018, pas protestave studentore që paralizuan Tiranën, u ndryshuan postet e Zëvendës-Kryeministrit (Senida Mesi), Ministrit të Ekonomisë dhe Financave (Arben Ahmetaj), Ministrit të Punëve të Jashtme (Ditmir Bushati), Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë (Damian Gjiknuri), Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (Niko Peleshi), Ministrit të Sipërmarrjes dhe Biznesit Social (Sonila Qato), Ministrit të Arsimit (Lindita Nikolla) dhe Ministrit të Kulturës (Mirela Kumbaro). Skandalet e vitit 2020 rrëzuan sërish drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, Arsimit dhe të Punëve të Jashtme, edhe pse motivi ishte “për të sjellë freski para zgjedhjeve”. Në korrik 2024, drejtpërdrejt në kongresin e PS-së, ende pa u shuar jehona e duartrokitjeve të fjalës hyrëse, Rama shkarkoi ministrat e Brendshëm, të Mbrojtjes dhe të Financave. Pastaj, në janarin që lamë pas, ai shkaktoi një tjetër “shkundje”: krijoi Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e pak ditë më vonë edhe Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsion. Analistët e quajtën manovrën “lyerje të fasadës”, ndërsa ish ministra të tij hetohen nga SPAK-u. Sipas raportit të fundit të BE-së korrupsioni “mbetet shqetësim serioz”, por megjithatë përgjigjja e Ramës ishte sërish zhvendosja e karrigeve.
Rama e quan këtë aftësi për ndryshim – “ndryshojmë formacionin, jo filozofinë”. Në fakt, ritmi i shkarkimeve zbulon një arkitekturë më të thellë. Riformatimi i kabinetit zakonisht shërben për të shpërblyer besnikërinë, për të ndëshkuar kundërshtarët, për të balancuar fraksionet dhe për të freskuar narrativën publike. Por rotacioni i vazhdueshëm çaktivizon memorien institucionale dhe e bën të pamundur kontrollin e parlamentit; komisionet nuk mund t’i kërkojnë llogari ministrave për politika të nisura nga pararendësit e tyre. Ndryshimet në kabinet janë gjithmonë e më pak një mekanizëm korrigjues se sa një stil qeverisjeje; një shfaqje e përhershme ku asnjë aktor, përpos heroit kryesor nuk mbijeton. Përmbysjet në kabinet zhvendosin fajin, dhe mbajnë nën fre rivalët. Politikat shiten si “reformë e përhershme”: asgjë e përkohshme nuk mund të vjetërohet.
Edhe sistemi elektoral është në lëvizje të përhershme. Rregullat për garën elektorale kanë ndryshuar po aq shpesh sa edhe ministrat. Shqipëria ka kaluar nga lista rajonale të mbyllura (2009, 2013, 2017) me formula të ndryshme përllogaritjeje, në lista plotësisht të hapura (2021) dhe këtë maj debuton me formatin pothuaj të hapura/pothuaj të mbyllura - një pjesë e listës e mbyllur nga kryetari, pjesa tjetër “teorikisht” e hapur. Çdo rregull i ri vjen tepër vonë që zgjedhësit ta kuptojnë dhe tepër herët për të dhënë mundësinë e formimit të një modeli sjelljeje. Kandidatët detyrohen të shpikin strategji nga e para çdo katër vjet. E vetmja gjë e pandryshuar është pasiguria – mjedis që favorizon atë që shkruan rregullat.
Logjika e audicionit permanent
Rama e kornizon fluiditetin me një mantra: askush nuk është i përjetshëm. Ministrave, zv.ministrave dhe deputetëve veteranë u thuhet të “fitojnë vendin nga e para”. Në praktikë, kjo shndërrohet në armë. Emra me profil të lartë dërgohen thellë në segmentin “e hapur” të listës, ku kuotat preferenciale janë pothuajse të paarritshme. Formalisht zgjedhësit vendosin; realisht, vendosja në listë funksionon si një gijotinë e kadifenjtë që krasit rivalët pa dramën e një shkarkimi të hapur.
Lista e PS-së për 11 maj e ilustron modelin: 186 kandidatë - 46 në pjesën e mbyllur, 140 në të hapur. Rama kryeson Tiranën; në krah, fytyra të reja. Vetëm 16 nga 74 deputetët aktualë gëzojnë vend të sigurt; 34 garojnë në listën e hapur; 24 nuk rikandidohen. Pesë ish opozitarë bëhen socialistë, duke prodhuar imazhin e një partie që “rinovohet” pafund. Zyrtarisht, mesazhi që kërkohet të jepet është ai i rinimit, transformimit, re-shpikjes, ri-lindjes; në praktikë nuk është gjë tjetër veçse kontroll. “Askush nuk është i përjetshëm” do të thotë që edhe të vjetërit duhet t’ia nisin nga e para, ta fitojnë vetë vendin në parlament dhe ta fitojnë me rregullat që shkruan kryetari. Pse funksionon kjo gjë? Ndryshimet e vazhdueshme i japin jetë cikleve të reja, duke hedhur fajin për çdo skandal në stafin e të djeshmes ndërkohë që zbulojnë “meritokratët” e të nesërmes. Fitoret janë të liderit, dështimet të atyre që ikën.
Pasojat
Rokadat e shpeshta dëmtojnë ekspertizën, mjegullojnë përgjegjësinë dhe paralizojnë mbikëqyrjen e parlamentit. Ndryshimet që ndodhin paralelisht në kodin zgjedhor, e shumëfishojnë dëmin: zgjedhësit nuk krijojnë dot modele të qëndrueshme; partitë nuk ndërtojnë dot makineri të stabilizuara fushate; kontrolli i publikut është gjithmonë në përpjekje për t’u azhornuar me risitë më të fundit procedurale. Politika është kthyer në një sekuencë produksioni që jepet shfaqet vetëm njëherë: skenari shkruhet nga një njeri i vetëm, ndërsa kasti ndryshon gjithmonë.
Nëse socialistët fitojnë më 11 maj 2025, pritet një tjetër “freskim” kabineti. Pyetja nuk është më a do të ketë ndryshim – patjetër që po – por nëse ka më rëndësi gjithçka që është poshtë kryetarit. Një parti që dikur krenohej me fraksione të gjalla brenda saj, është shkrirë në një fushatë të përhershme, e sinkronizuar me tiktaku-n e orës së shefit. “Me Edin, me PS-në” nisi si thirrje mobilizuese, por duket më shumë si epitaf për një parti që nuk dallohet më nga njeriu që i ndryshon të gjithë, përveç vetes.