Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Kristaq Xharo: UÇK e bëri historinë. Quo vadis Hagë...

Shkruar nga Liberale

EKSPERTIZË nga Kristaq Xharo: UÇK e bëri historinë. Quo

Prof. Dr. Kristaq Xharo *

Haga ndodhet në hallë... Në pamundësi për t’u përballur me ngjarjet e mëdha të kohës me rreth 110 konflikte të ndezura në botë ku 61 janë midis shteteve, me numrin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore dhe pa asnjë mundësi të ketë ndonjë rol në konfliktin në luftën e Rusisë në Ukrainë e aq më pak në luftën në Gaza, ajo përpiqet me intensitet të plotë propagande ‘të japë drejtësi’ për atë që ndodhi në Kosovë 20 vite më parë...

Gjykata e Posaçme e Kosovës, jashtë Kosovës, në Hagë po zhvillon një dramë që do ja kish zili ta shkruante as makineria më e sofistikuar e propagandës, ku për të gjithë është e qartë se skenari i saj nuk është aspak produkt i drejtësisë ndërkombëtare, por fryt i tabulateve të vjetra të shërbimeve sekrete serbe. Paradoks në parodi, një gjykatë e ngritur për të ndëshkuar krimet më të rënda të luftës ka zgjedhur të merret jo me ata që dogjën, masakruan, përdhunuan e dëbuan, por me ata që i ndalën ato krime.

Shfaqja e aktakuzës së prokurorit Smith, pak ditë para takimit Thaçi-Trump-Vuçiç, në Uashington, ishte si një lojë ku arbitri vendos të luajë sulmues. Beogradi, pa dyshim, kishte gati fishekzjarrët. Kur skenari vjen nga bodrumet e shërbimeve sekrete serbe, premiera në Hagë është vetëm formalitet. Ishte qershor 2020 kur Smith publikoi një aktakuzë ende të pakonfirmuar, por të përsosur për efekt politik, duke minuar takimin që mund të sillte një marrëveshje historike. Drejtësia, në vend të paanshme, zgjodhi të bëhej lojtar-një goditje që do hapte shishet e shampanjës në Beograd.

Akuza, në letër, është kundër individëve, por në realitet vinte si një proces kundër gjithë luftës. Arrestimi i gjithë zinxhirit komandues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte thjesht një akt juridik, por një pozicionim politik: gjykohej drejtimi, fryma dhe kuptimi i një lufte çlirimtare. Avokati i famshëm amerikan Pierre-Richard Prosper, një nga njohësit më të shquar të tribunaleve ndërkombëtare dhe ish-ambasador i SHBA për krimet e luftës, paralajmëroi më qartë: “Në Hagë nuk po gjykohen individë, por po gjykohet historia, narracioni i luftës dhe e ardhmja e Kosovës.” Dhe kur një gjykatë merr përsipër të gjykojë historinë, ajo nuk është më gjykatë – ajo është paradoksi i një redaksie politike.

Dhe paradoksi më i madh është shmangia e plotë e kontekstit. Nga qershori 1999, sigurinë në Kosovë e garantonin UNMIK, EULEX dhe NATO. Por, kjo nuk përmendet, sepse do të rrëzonte fabulën se UÇK-ja kishte kontroll absolut mbi territorin dhe humbiste koncepti i ‘krim lufte’, lufta kish mbaruar... apo autoriteti i kontrollit ishte diku tjetër. Në vend të fakteve, akuza u mbështet në trillimet e Beogradit dhe në dëshmitarë që nuk kanë parë asgjë, por “kanë dëgjuar”, por edhe mund të kenë parë diçka – dëshmi me aromë skenari të lirë filmi, jo procesi serioz gjyqësor.

Kjo nuk është hera e parë që Haga operon me standarde të dyfishta. Carla Del Ponte, ish-kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, pranoi në kujtimet e saj se kishte ngritur akuza për trafik organesh në Kosovë, por më pas e pranoi se “asnjë provë konkrete nuk iu paraqit ndonjëherë gjyqtarëve”. Megjithatë, dëmi ndaj reputacionit të Kosovës dhe UÇK-së mbeti i pakrahasueshëm mbështetur edhe nga indiferenca dhe miopia e elitave politike në të dy anët të asaj kohe.

Akuza aktuale përshkruan UÇK-në si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pa asnjë ndryshim me gjuhën që përdorte Millosheviçi. Paradoksi: një ushtri që respektonte rregullat ndërkombëtare të luftës, paraqitej nën uniformë me shenja dalluese, strukturë të qartë dhe refuzonte kategorikisht bashkëpunimin me grupe islamike, në aleancë dhe bashkëveprim me NATO-n dhe me fuqitë e mëdha të perëndimit a mund të etiketohet si një bandë kriminale? Me këtë logjikë, edhe batalioni i dashur e i famshëm “Atlantiku” me vullnetarët shqiptarë që lanë punët e jetën e qetë në Perëndim për të luftuar për lirinë e Kosovës, sipas kësaj gjykate të mbushur me parodi e paradokse i bie të jenë pjesë e një mafie ndërkombëtare... fale këtë gjykatë o zot..

Çdo fjali e aktakuzës mban erën e rëndë të komunikatave të luftës së Beogradit (1998–1999). Edhe zgjerimi absurd i “ndërmarrjes kriminale” në territorin e Shqipërisë verilindore është një kopje e propagandës serbe që justifikonte bombardimet e Kukësit. Kjo nuk është rastësi. Është bashkëpunim i heshtur: Serbia furnizon me “prova” dhe Haga e reciton në sallë. Çfarë bëjnë shtete shqiptare...të zënë në dilemat e mëdha të pushtetit... jo të kombit nuk kanë asnjë strategji e në mungesë të saj, Alvin Toffler thotë: “Në mungesë të strategjisë tënde, shpejt ose pak më vonë bëhesh pjesë e strategjisë së dikujt tjetër” .

Në këtë rrëfim të stisur, mbi 100 masakrat e dokumentuara të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë janë zhdukur. Dhjetëra mijëra viktima janë zëvendësuar në tekst me shifra të përshtatura, aq të përshtatura sa përkojnë çuditërisht me versionin serb të ngjarjeve. A është ky një akt i hapur falsifikimi historik, i ndihmuar nga mungesa e një reagimi mbarëkombëtar strategjik shqiptar.
Rezultati është që viktimat reale – populli shqiptar i Kosovës – zhvendosen në periferi të procesit.

Gjykata, në parodi pretendon se po jep drejtësi për ta, por në fakt po bën shërbimin më të vyer për agresorët. Dosjet prej krimeve serbe pluhurosen në sirtarë, ndërsa në tavolinën e punës merren në shqyrtim vetëm dosjet e përgatitura në Beograd.
Më 7 gusht 2025, rrugët e Prishtinës dhanë përgjigjen që duhet t’i shkundë jo vetëm muret e Hagës, por edhe Prishtinës e Tiranës: qindra mijëra veteranë dhe qytetarë, por më shumë të rinj marshuan duke brohoritur “UÇK është lavdi, jo aktakuzë”. Ishte një kujtesë e gjallë se historia nuk rishkruhet me vendime të porositura. Ishte një mesazh se legjitimiteti i luftës nuk do të mund të zbëhet nga asnjë vendim i stisur, por për këtë heshtja është vetëvrasëse.

Protestat, sado madhështore, nuk mjaftojnë, dhe asnjë betejë nuk fitohet vetëm me retorikë, por një mobilizim i plotë institucional, moral dhe shoqëror. Në Prishtinë e Tiranë duhet të lënë mënjanë ‘hesapet’ e vogla dhe të përqendrohen në çmontimin e akuzave. Parlamentet duhet të flasin me një zë. Juristët të dalin në ballë. Shoqëria civile të dalë nga gjumi dhe të marrë pjesë në këtë proces. Mediat të ekspozojnë absurditetin me fakte.

Akademia të prodhojë argumente dhe studime të pakundërshtueshme.

Sepse në Hagë nuk po gjykohet thjesht një grup individësh. Po gjykohet historia e Kosovës, legjitimiteti i lirisë dhe e ardhmja e saj politike. Siç ka thënë Nelson Mandela: “Të mohosh historinë e dikujt është të mohosh identitetin e tij.” Nëse sot rrimë spektatorë, nesër do të zgjohemi pa historinë tonë dhe pa të drejtën tonë. Dhe atëherë, as paradoksi, as parodia nuk do të jenë më argëtuese – do të jenë epitafi ynë.

* Prof.Dr. Kristaq Xharo: Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET

Artikuj te tjerë nga autori me këtë subjekt:
• Përballja e Kosovës për në Hagë nis nga Beogradi.
• Të (pa) braktisur atje në Hagë…
• Haga në hall… ndihmoni prokurorin!
• Kosova: një udhëkryq mes politikës dhe gjeopolitikës…
• A mund të mbijetojë Kosova pa njohjen nga Serbia...
• Ku po shkon Kosovë...
• Kosova: Një udhëkryq mes politikës dhe gjeopolitikës
• Për kë po bien kambanat në Ballkan...
• Pa Beogradin, Haga mbetet e papunë...
• Kambana alarmi në Hagë…a po i dëgjon kush...

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH