Ekspertizë

EKPERTIZË nga Dr. Ornela ÇUÇI: Kur identiteti jepet me çmim oferte

Shkruar nga Liberale

EKPERTIZË  nga Dr. Ornela ÇUÇI: Kur identiteti jepet me

Ornela Çuçi

Në Shqipëri sot flitet për turizëm më shumë se për çdo sektor tjetër. Jo më kot. Vendi ynë është futur në orbitën e Mesdheut si një destinacion në ngjitje. Më shumë se 10 milionë turistë në vit, të ardhurat nga turizmi që për herë të parë kalojnë eksportin e mallrave, dhe një entuziazëm i përgjithshëm që shpesh e përkthen çdo shifër si sukses kombëtar.

Por shifrat edhe pse janë fakte kokëforta, jo gjithmonë janë pasqyrë e mirëqenies. Në shumë raste, ato janë thjesht përshpejtues i një procesi që ecën më shpejt se kujtesa dhe planifikimi.

Shqipëria është kthyer në një shtet me një sektor ekonomik të vetëm: turizmin. Nëse në të kaluarën jemi përpjekur të krijojmë një ekonomi të larmishme, sot realiteti është ndryshe: turizmi është bërë baza e vetme e zhvillimit ekonomik. Dhe ndërkohë që kjo mund të duket si një histori suksesi, në të vërtetë fsheh brishtësi të thella.

Po përjetojmë mungesë të fuqisë punëtore, emigrim të të rinjve, konsum të tepërt të burimeve natyrore, dhe ndërtim pa kriter në zonat më të ndjeshme. Në vend të një turizmi të qëndrueshëm, rrezikojmë të krijojmë një cikël ku rritja e sotme sjell dëme që nesër do të jenë të pakthyeshme.

Turizmi nuk është vetëm ekonomi. Është marrëdhënie me vendin, me komunitetin dhe me të ardhmen. Një resort i ri nuk është gjithmonë shenjë zhvillimi. Mund të jetë edhe shenjë e humbjes së një peizazhi natyror. Një statistikë e rritjes së turistëve nuk tregon domosdoshmërisht përmirësim të cilësisë së jetës së banorëve lokalë.

Në shumë zona rurale dhe bregdetare të Shqipërisë, mungon ende uji i pijshëm gjatë muajve të verës. Mbetjet janë sfidë akute. Rrugët lokale nuk mbajnë fluksin e makinave. Dhe, më e rëndësishmja: shumë komunitete nuk ndihen të përfshira në përfitimet që sjell kjo industri.

Nëse duam një të ardhme të qëndrueshme për turizmin shqiptar, duhet të vendosim disa parime të qarta:
• Turizmi nuk duhet të zëvendësojë çdo sektor tjetër. Duhet të jetë një pjesë e mozaikut, jo gjithë tabloja.
• Zhvillimi duhet të ndjekë planifikimin, jo e kundërta. Ndërtimet pa strategji i vrasin destinacionet.
• Kujdesi për burimet natyrore është kusht për çdo investim të ri. Veçanërisht në një vend që përballet me ndryshime klimatike, thatësira dhe erozion bregdetar.
• Komuniteti duhet të jetë bashkë-autor i politikave turistike. Jo spektator i një zhvillimi që ndodh mbi ta, por pa ta.

Shqipëria nuk ka nevojë të imitojë askënd, aq më pak fqinjët. Shpesh dëgjoj krahasime me vende që kanë ndërtuar marka të forta turistike. Por Shqipëria ka një potencial tjetër: ajo mund të jetë vendi që zgjedh me kujdes, jo që ndërton me ngut. Vendi që ofron autenticitet, jo kopje të pakuptimta të modelit ndërkombëtar.

Në vend që të jemi vetëm të lirë për të vizituar, le të jemi të pasur për të kujtuar.
Në vend që të jemi një sezon i suksesshëm, le të jemi një udhëtim që lë gjurmë — për turistin dhe për banorin.

Turizmi është pasqyrë. Ai na tregon sa e duam vendin tonë, sa e respektojmë trashëgiminë, sa jemi të gatshëm të ndërtojmë një të ardhme që nuk varet vetëm nga sezoni tjetër, por nga vizioni që kemi për Shqipërinë në 10, 20, 50 vitet e ardhshme.

Nëse këtë e bëjmë me mençuri, atëherë po: turizmi do të jetë fati ynë.
Por nëse e ndjekim me epsh, pa busull, ai do të na lodhë dhe rraskapitë më shpejt se sa mendojmë.

E ardhmja nuk pret. Ajo ndërtohet tani, por me vendime të mençura, me politika të guximshme dhe me dashuri për këtë tokë që ka më shumë se plazhe për të ofruar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH