Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Prof. dr. Andonaq LONDO: Pse 3/4 e buxhetit për arsimin e lartë duhet të shkojë për programet STEM-teknologji e inovacion

Shkruar nga Liberale

EKSPERTIZË nga Prof. dr. Andonaq LONDO: Pse 3/4 e buxhetit për arsimin


* Nga Prof.dr Andonaq Londo Lamani

Ndërsa kryeministri Rama e ka artikuluar në më shumë se një rast si prioritet të qeverisë së tij investimin në teknologji - madje duke nisur nga klasat fillore - dhe ka folur për një të ardhme me ministra të zëvendësuar nga inteligjenca artificiale, apo për ngritjen e një Këshilli për Teknologjinë dhe Inovacionin që do të ndihmonte në marrjen e vendimeve strategjike, duket se në planin konkret është bërë fare pak.

Mjafton të shohim orientimin konkret të buxhetit për arsimin e lartë. Po t’i bëjmë një analizë të thelluar shifrave të ndarjes buxhetore në këtë sektor, zbulojmë se teknologjia ende nuk ka zënë vendin që i takon.

Universitetet shqiptare sot përballen me një sfidë ekzistenciale – të përgatisin një brez të ri që jo vetëm di të përdorë teknologjinë por, që e krijon dhe e zhvillon atë. Kjo nuk arrihet me dëshirë, as me retorikë politike, por vetëm me një vendimmarrje të guximshme dhe të orientuar strategjikisht. Nga njëra anë, ne flasim për zhvillim, për digjitalizim, për epokën e inteligjencës artificiale. Nga ana tjetër, universitetet tona mbeten të lidhura me realitete të së kaluarës, ku degët e teknologjisë trajtohen ende si periferike dhe jo si boshti kryesor i zhvillimit kombëtar.

Ministria e Arsimit dhe Sportit parashikoi një buxhet prej 62 miliardë lekësh për arsimin, me një rritje prej 18.8% nga viti 2024 – një shifër historike në letër. Nga kjo, 14.5 miliardë lekë i shkojnë arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, ku përfshihen mësimdhënia, infrastruktura dhe një pjesë e kufizuar për kërkimin. Sipas një raporti të fundit të UNESCO-s, Shqipëria shpenzoi vetëm 3.1% të PBB-së për arsimin në vitin 2021, shifër kjo ndër më të ulëtat në rajon. Për më tepër, pjesa e buxhetit të shtetit që i dedikohet arsimit ka rënë nga 12% në fillim të viteve 2010 në vetëm 9.5% të planifikuar për vitin 2023.

Rënie që tregon se investimi real mbetet larg nevojave.
Në një realitet ku teknologjia është oksigjeni i çdo zhvillimi, Shqipëria duhet të ndërmarrë një veprim vendimtar: të orientojë 75% të buxhetit të arsimit të lartë drejt degëve teknologjike. Kjo nuk është një ide utopike. Është një nevojë kombëtare.

Së pari, kjo është çështje mbijetese ekonomike

Vendet që investojnë sot në teknologji, nesër do të udhëheqin. Shqipëria nuk mund të mbetet vetëm një treg për produktet teknologjike të huaja. Ajo duhet të krijojë vetë – përmes një brezi të ri inovatorësh, programuesish, inxhinierësh dhe ekspertësh të AI-së, energjisë së pastër dhe teknologjive industriale.

Viti 2025 pritet të shënojë një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e teknologjisë në arsim (EdTech), me tregun global që pritet të rritet me një normë vjetore prej 14.2%, nga 146 miliardë USD në vitin 2023, në mbi 549 miliardë USD deri në vitin 2033. Ndër trendet kryesore që pritet të dominojnë janë mësimi i kombinuar (hibrid) – që bashkon edukimin tradicional me platformat online dhe inteligjencen artificiale që, personalizojnë përmbajtjen dhe përmirësojnë përfshirjen e studentëve; realiteti i shtuar dhe virtual (AR/VR) – që sjellin përvoja imersive, veçanërisht në fushat STEM; si edhe mikro-mësimi – me module të shkurtra për ata që kërkojnë mësim fleksibël dhe të shpejtë.

Rritja e edukimit në teknologji (EdTech) është e ndikuar nga përparimi teknologjik në AI, VR, etj., rritja e aksesit në internet dhe pajisje digjitale, kërkesa për mësim gjatë gjithë jetës, zhvendosja globale drejt platformave digjitale dhe dominimi i sektorit K-12 (nga kopshti deri në klasën e 12-të) në tregun EdTech.

Në vitin 2005 pata rastin të merrja pjesë në një simpozium në Universitetin e Siegenit në Gjermani. Aty takova Prof. Dr.-Ing. Bernd Freisleben i cili ka vizituar disa herë edhe Universitetin Politeknik të Tiranës. Ishte koha kur arsimi inxhinierik në Shqipëri ishte në krizë dhe shumica e kandidatëve për studime të larta zgjidhnin të studionin për shkencat humane. Inxhinieria ishte në krizë totale. Gjatë bisedave me të ai theksonte se zhvillimi i ekonomisë shqiptare, nxjerja e vendit nga ajo prapambetje e trashëguar nga koha e modelit të ekonomisë së centralizuar komuniste do të vinte vetëm nga investimet në teknologji dhe inovacion. Dhe merrte si shembull dy vende të BE; Irlandën dhe Portugalinë. Ai citonte një raport të Brukselit të atyre viteve ku jepeshin investimet e BE në këto dy vende dhe orientimet ku do përdoreshin këto para. Për Irlandën orientimi i Brukselit ishte të investoheshin në arsimin e lartë, teknologji dhe inovacionin, duke krijuar një fuqi punëtore të kualifikuar dhe të adaptueshme.

Për Portugalinë orientimet ishin të investoheshin në sektorët tradicionalë si turizmi, bujqësia dhe industrinë prodhuese. Ishte kjo edhe si një eksperiment për të parë leverdishmërinë e investimeve në rritjen e GDP së këtyre dy vendeve. Çfarë më rezulton sot në 2025 po t’i krahasosh këto dy vende vetëm me GDP/banorë.
Irlanda ka një rritje të këtij treguesi me 2,29 herë GDP /banorë nga 2010 në 2025, që tregon nivel shumë më të lartë të të ardhurave dhe produktivitetit për banor.

Irlanda ka qenë shumë e suksesshme në tërheqjen e kompanive multinacionale, veçanërisht në sektorë si teknologjia (Google, Facebook, Apple, Microsoft), farmaceutika dhe shërbimet financiare.

Portugalia ka një rritje me 1,4 herë të GDP/banorë në këtë hark kohor: ka pasur një ekonomi më të fokusuar në sektorët tradicionalë si turizmi, bujqësia dhe industrinë prodhuese, që shpesh kanë më pak vlera të shtuar dhe janë më të ndjeshëm ndaj krizave.

Së dyti, tregu i punës po ndryshon me shpejtësi

Ekonomitë më të zhvilluara kanë prioritizuar arsimin në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM). Shqipëria nuk mund të pretendojë zhvillim pa një fuqi punëtore të përgatitur në këto fusha.

Diplomimi në fusha teknologjike po bëhet kriter bazë për punësim cilësor dhe të mirëpaguar. Kjo nuk është më një çështje opsionale, por emergjencë kombëtare. Duhet të krijojmë kushte që rinia të mos shohë emigracionin si zgjidhjen e vetme për karrierë, por të gjejë këtu, në Shqipëri, arsyet për të qëndruar.

Investimi në STEM ka efekt shumëfishues në ekonomi. Të diplomuarit në STEM jo vetëm që punësohen më shpejt dhe paguhen më mirë, por kontribuojnë në rritjen e konsumit dhe të të ardhurave për shtetin. Mungesa e aftësive (skills gap) është reale. Në Shqipëri dhe në botë, punëdhënësit kanë vështirësi të gjejnë njerëz me aftësi teknologjike të përditësuara. Universitetet duhet të përshtaten me kërkesat reale të tregut të punës.

Së treti, teknologjia nuk është vetëm industri; ajo është kulturë zhvillimi

Ajo prek çdo fushë të jetës: bujqësinë, mjekësinë, ndërtimin, sigurinë, administratën. Nuk mund të kemi spitale moderne pa inxhinierë bio-mjekësorë. Nuk mund të kemi bujqësi të qëndrueshme pa sisteme smart. Nuk mund të kemi administratë efikase pa teknologji digjitale të avancuar.
Fokusi në teknologji duhet të përfshijë gra, minoritete dhe studentë nga zonat rurale, për të ndërtuar një fuqi punëtore gjithëpërfshirëse dhe të drejtë. Programe si Project Lead The Way, FIRST Robotics, apo organizata si Girls Who Code tregojnë se edukimi praktik dhe i integruar me industrinë sjell sukses.

Së katërti, koha e humbur nuk rikuperohet pa investim serioz

Vendet e rajonit kanë nisur tranzicionin drejt një ekonomie të bazuar në dije dhe teknologji. Edhe në vendet më të zhvilluara, qeveria luan rol në sigurimin e një mase kritike të aftësive teknologjike që më pas nxisin investimet private.

Le të jetë në qender të vëmendjes së politikbërësve, institucioneve arsimore, bizneseve dhe organizatave të komunitetit bashkimi i forcave për të mbështetur rritjen e financimit për nismat arsimore në fushën e STEM-it (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë).

Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur, ku çdo student ka mundësinë të përparojë në një botë të përcaktuar nga shkenca dhe teknologjia.

Le të veprojmë tani për të siguruar që brezi ynë i ardhshëm të pajiset me aftësitë që i nevojiten për të inovuar, për të udhëhequr dhe për të formësuar botën për vitet që vijnë.
Nëse nuk veprojmë tani, rrezikojmë jo thjesht të mbetemi pas, por të mos kemi më mundësi për ta zënë hapin.

A do të thotë kjo të braktisim humanitetet?

Kjo nuk do të thotë të heqim dorë nga studimet humanistike. Përkundrazi, duhet të ruajmë dhe mbështesim programet që kanë vlerë kombëtare si albanologjia, gjuha shqipe, letërsia, historia dhe filozofia. Por, për çdo degë tjetër, qasja duhet të jetë pragmatike dhe e orientuar kah zhvillimi real: teknologjia.

Vetëm përmes buxhetimit strategjik mund të kapim kohën dhe të ndërtojmë themelet e një Shqipërie konkurruese.

Universitetet nuk janë ndërmarrje statike. Ato janë laboratorë të së ardhmes.

Për të pasur një Shqipëri moderne, teknologjike, të sigurt dhe të konkurrueshme, duhet që nga viti i ardhshëm të bëjmë një hap të madh: të alokojmë ¾ e buxhetit të arsimit të lartë në funksion të edukimit teknologjik.

Sepse kush investon në teknologji, investon në zhvillim.

Investon në të ardhmen.

*Rektori i Tirana College of Technology (TCT)

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH