Blendi Lami*
Më erdhi kjo pyetje nga gazeta “Liberale”: A mendoni se ky konflikt është duke u nxitur nga Perëndimi dha a ka lidhje me luftën në Ukrainë, si dhe cilat janë ndikimet e këtyre dy vatrave të ndezura në marrëdhëniet ndërkombëtare?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje do të tentohet krijimi i një panorame të përgjithshme të konfliktit Izrael-Iran, gjë që ndihmon për të pikasur sadopak këtë nxitje të brendshme apo të jashtme; pastaj, duke pasur një perspektivë disi më të qartë kontekstin, do të tentohet të zbulohet një lidhje me konfliktin në Ukrainë; në fund do të jepet ndikimi që kanë këto dy vatra konflikti në sistemin ndërkombëtar.
Bazuar në paradigmën e autorëve Barry Buzan dhe Ole Wæver për rajonet, konflikti Iran - Izrael mund të konceptohet si një teatër lufte me nivele të ndërlidhura të sigurisë. Në nivelin lokal, përballja ndodh drejtpërdrejt, teksa Izraeli kërkon të parandalojë kapacitetet bërthamore iraniane dhe Irani reagon me kundërsulme. Në nivelin rajonal, konflikti rrezikon të përhapet në disa vende të Lindjes së Mesme, pasi Irani mund të aktivizojë aleatët e tij si Hezbollahu apo Houthi, ndërsa shtetet arabe përballen me tensionin midis opinionit publik dhe interesave strategjike që i lidhin në heshtje me Izraelin. Në nivelin ndër-rajonal, fuqi të jashtme si SHBA, Rusia, Turqia dhe BE përpiqen të ruajnë ekuilibrat e brishtë: SHBA përpiqet të mbështesë Izraelin pa u përfshirë drejtpërdrejt, Rusia shfrytëzon konfliktin për të devijuar vëmendjen nga Ukraina, ndërsa BE dhe Turqia manovrojnë diplomatikisht për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Në nivelin global, konflikti ndikon në sigurinë energjetike, stabilitetin ekonomik dhe rendin ndërkombëtar. Mbi të gjitha, paraliza e institucioneve shumëpalëshe si OKB dëshmon se ky konflikt nuk është thjesht një çështje dypalëshe, por një krizë me pasoja globale.
Nga këndvështrimi i realizmit ofensiv (shkolla e John Mearsheimer-it), konflikti mes Iranit dhe Izraelit është një përplasje e pashmangshme e nxitur nga logjika e politikës së fuqisë (lexo: konkurrencës mes fuqive) në një sistem ndërkombëtar anarkik. Nga kjo pikëpamje, shtetet kërkojnë maksimizimin e fuqisë për të siguruar mbijetesën dhe struktura dikton ndezjen e rivaliteteve. Në këtë kuptim, rivaliteti mes Izraelit dhe Iranit – që tentojnë të ruajnë hegjemoninë në rajon – e ka bërë përplasjen e tyre pothuajse të pashmangshme. Konflikti nuk është thjesht produkt i tensioneve, por më shumë i konkurrencës mes tyre: secila palë vepron për të parandaluar dominimin e tjetrës. Pra, përplasja nuk është thjesht nxitje e jashtme, por nevojë që buron nga vetë natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Konflikti Iran–Izrael është një teatër lufte ku Rusia, si aktor ndër-rajonal, kërkon ta shfrytëzojë për të maksimizuar përfitimet e saj gjeopolitike, ndërsa Ukraina bëhet pjesë e këtij ekuacioni në mënyrë të tërthortë por thelbësore. Nga njëra anë, Rusia përfiton sepse konflikti zhvendos vëmendjen e fuqive perëndimore nga agresioni në Ukrainë, dobëson unitetin transatlantik dhe krijon mundësi për të thelluar bashkëpunimin me Iranin (në fushën ushtarake dhe tregtinë e naftës). Nga ana tjetër, Rusia rrezikon që përshkallëzimi në Lindjen e Mesme të destabilizojë më tej tregjet, gjë që mund të ketë pasoja të paparashikueshme ekonomike edhe për vetë Moskën. Ndërkohë, Rusia mund të shfrytëzojë këtë shpërqendrim për të intensifikuar operacionet në frontin ukrainas. Në thelb, konflikti në Lindjen e Mesme krijon një mundësi për Rusinë në plan afatshkurtër, por me një kosto afatgjata.
Këto dy vatra konflikti thellojnë fragmentimin e sistemit ndërkombëtar dhe rrisin anarkinë në rendin global. Sipas kësaj logjike, krijohet terren për konflikte të tjera. Përshkallëzimi duket i garantuar. Kjo situatë reflekton gjithashtu dështimin e mekanizmave shumëpalësh si OKB për të parandaluar përplasjet mes shteteve. Në të dy rastet, fuqitë e mëdha instrumentalizojnë krizat për të avancuar interesat e tyre strategjike. Në këto kushte, marrëdhëniet ndërkombëtare po shkojnë drejt një epoke rivalitetesh të shumëfishta, ku rendi global bëhet gjithnjë e më i pasigurt.
* Prof. Asoc. Dr. Blendi Lami është lektor në Universitetin Europian të Tiranës, Fakultetin e Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Departamentin e Shkencave të Aplikuara. Ekspertiza e tij mbulon gjeopolitikën, politikën e jashtme dhe diplomacinë.