Blendi Lami *
Ndarja gjeopolitike mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian po thellohet për shkak të shumë faktorëve. Qasje të ndryshme ndaj luftës në Ukrainë kanë krijuar tensione: ndërsa BE kërkon mbështetje afatgjatë dhe stabilitet në rajon, SHBA ka lëkundur angazhimin e saj, madje është vënë qartazi në anën e Rusisë, gjë që ka sjellë një formë kundërvënieje nga Evropa (krijimin e “coalition of the ëilling”). Më tej, çështja e tarifave dhe proteksionizmit ekonomik është një tjetër burim përçarjeje. Po ashtu, ka një divergjencë gjithnjë e më të madhe në vizionin për të ardhmen e NATO-s, gjë që e ka detyruar BE-në përpiqet të zhvillojë “autonomi strategjike”. Mund të përmendet gjithashtu tensioni që lidhet edhe me rendin multilateral: BE-ja mbështet një sistem të bazuar në rregulla ndërkombëtare, ndërsa SHBA e Trump-it po mbështet një format unilateral me negociata dypalëshe – me pak fjalë, hedhje në erë e sistemit Bretton Woods.
Megjithatë, qëllimi i këtij shkrimi është dështimi i MAGA-s në Shqipëri – dhe jo vetëm. Hyrja e mësipërme u dha për të krijuar idenë e një përçarjeje që u synua të reflektohej edhe në Shqipëri, por dështoi.
Mbështetësit e Donald Trump-it duket se janë të angazhuar fort në zgjedhjet e vendeve evropiane, veçanërisht në mbështetjen e forcave nacionaliste dhe populiste. Për shembull: Elon Musk, një nga figurat më të zëshme të krahut të djathtë amerikan, shprehu hapur mbështetjen për “Alternativa për Gjermaninë” përpara zgjedhjeve të shkurtit. Ndërkohë, Donald Trump Jr. është takuar me kandidatë të ekstremit të djathtë në Rumani. E njëjta mbështetje ka ndodhur për partinë “Refroma” në Britani apo në Bullgari, ku partia nacionaliste “Revival” ka ndërtuar lidhje me figura republikane në SHBA.
Fryma trampiste ka sjellë deri tani tre dështime – me dy grushta të fortë në Kanada dhe Australi. Kryeministri aktual kanadez Mark Carney – partia e të cilisht nuk kishte gjasa të zgjidhje nëse Trump nuk do të pretentonte aneksimin e Kanadësë - fitoi mbështetje për shkak të vizionit të tij për një kapitalizëm globalisht të koordinuar dhe ofroi një alternativë ndaj proteksionizmit amerikan. Carney përfaqëson një qasje evropiane ndaj rregullimit financiar dhe ndryshimeve klimatike, në kontrast me politikat e fragmentuara të SHBA-së. Po ashtu, në Australi, Anthony Albanese erdhi në pushtet përsëri me një platformë që theksonte multilateralizmin, aleancat rajonale dhe përkushtimin ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Kjo e vendos Australinë më pranë vizionit evropian sesa kursit unilateral të ndjekur nga Trump dhe aleatët e tij.
Grushti i tretë – i lehtë në fakt - ndodhi në Shqipëri. Një nga menaxherët e fushatës së Trump-it, Chris LaCivita, mbështeti përpjekjen Partisë Demokratike për të ardhur në pushtet. Është ofruar gjithashtu mbështetje nga “Heritage Foundation”, një grup konservator që ka hartuar “Project 2025” (një plan konservator për të riformësuar qeverinë federale të SHBA-së nën një presidencë të mundshme republikane). E gjitha kjo nën moton “Making Albania Great Again”.
Në kuadër të këtij konflikti gjeopolitik SHBA vs BE, dy partitë kryesore shqiptare u pozicionuan qëllimisht në llogore të ndryshme – njëra me frymë evropiane, tjetra me frymë amerikane. Një zgjidhje sigurisht e përkohshme.
Fushata e PS-së u bazuar në integrimin në Bashkimin Evropian – me moton “Shqipëria 2030 në BE”, ndërsa PD – me moton “Ta bëjmë Shqipërinë Madhështore Përsëri” si jehonë e motos trampiste “Making America Great Again”.
Çfarë lidh dy MAGA-t? Asgjë, por ishte një tentativë për vota duke shfrytëzuar MAGA-n amerikane. PD u përpoq të bënte një kopjim nga MAGA përtej Atlantikut. Ashtu si Partia Konservatore Amerikane, PD tentoi ta bazohej në një retorikë nacionaliste me slogane të fuqishme: evokimi i ndjenjave patriotike dhe theksimi i nevojës për një rikthim të vlerave tradicionale shqiptare, një qasje e ngjashme me sloganin e Trump “Make America Great Again”. Po ashtu edhe një stil fushate i personalizuar dhe i drejtpërdrejtë - me liderin Sali Berisha në qendër, duke përdorur retorikë të fortë dhe duke sfiduar kundërshtarët politikë në mënyrë të hapur, një stil i ngjashëm me atë të Trump-it. Kjo ishte një strategji që synonte mobilizimin e elektoratit përmes emocioneve të forta dhe premtimeve të mëdha.
Paradoksi është se këto dy fryma nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën në Shqipëri – por këto u konsideruan formate të përkohshme për zgjedhjet. Pas zgjedhjeve, përplasja BE – SHBA nuk do të reflektohet në Shqipëri – ashtu si në Kanada apo Australi. Pavarësisht retorikave nuk u mendua asnjëherë nga elektorati shqiptar se ekzistonte përplasje të vërtetë, por vetëm për teatër.
Eksperimenti i transplantimit të MAGA-s në terrenin shqiptar doli huq, jo sepse sloganet nuk tingëllonin bukur, por sepse realiteti politik dhe kulturor në Shqipëri nuk e ushqen dot atë lloj fryme. Tentativa për të importuar retorikën e nacionalizmit emocional dhe modelin e polarizimit amerikan rezultoi në një formë sipërfaqësore - më shumë stil sesa substancë. Rezultoi se zgjedhësit shqiptarë nuk qenë të përgatitur për të pasur sërish një “Shqipëri Madhështore” – pa qenë asnjëherë e tillë më parë.
* Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, UET