Kristaq Xharo*
Nderim për Shkollën Ushtarake “Skënderbej” - një vatër që nuk mund të shuhet kurrë. 28 Marsi shënon një datë që nuk mund të kalojë në heshtje – pikërisht 80 vjet më parë, mbi gërmadhat e luftës dhe në agimin e një shteti të lodhur, por me shpresë, lindi Shkolla Ushtarake “Skënderbej”. Ishte më shumë se një institucion – ishte një emblemë, një dritë në horizontin e një kombi që kërkonte të ndërtonte të ardhmen me themele të forta karakteri, atdhedashurie dhe disipline.
Samuel Huntingon, një nga ndikuesit më të mëdhenj në politikën botërore për të dy shekujt shprehej se shkollat ushtarake nuk janë institucione të zakonshme. Ato janë bartëse të një kujtese kolektive dhe të një kontrate të pashkruar me shtetin. Siç thekson Samuel Huntington, një nga shkencëtarët më të mëdhenj politik të këtyre dy shekujve : “Akademitë ushtarake nuk janë vetëm vende arsimimi . Ato janë simbole kombëtare dhe çdo përpjekje për t’i minimizuar ose eliminuar është një akt kundër vetë identitetit të kombit.” (Soldier and State). Ka më pak lidhje me sistemin...lidhet me kombin.
Në Perëndim, këto institucione sot më tepër se më parë, ruhen me shumë fanatizëm. Napoleoni i shihte si kështjella morale të kombit, ndërsa modeli prusian e vendosi edukimin ushtarak në zemër të shtetformimit. Sot, çdo shtet i konsoliduar ka akademi të tilla. SHBA ka mbi 20 të tilla. Franca, Italia, Gjermania, Turqia i ruajnë si pasuri strategjike të identitetit të tyre. E ndërsa bota i mbron, Shqipëria e 1992-shit zgjodhi t’i shkatërrojë. Në veprën “Shqipëria çka qenë , ç ‘është e çdo të bëhet’ , strategu ‘burrështetasi’ ynë i famshëm Sami Frashërit në 1897, ende pa u krijuar shteti shqiptar, mendoi me gjenialitet, në strategjinë e shtetit shqiptar, veç dhe mbi të tjera edhe vendet ku do të ngriheshin akademitë ushtarake, pavarësisht se kjo mundi të realizohej dekada më pas lindjes së shtetit.
E ndërsa bota i mbron, Shqipëria e 1992-shit zgjodhi t’i shkatërrojë. Dhe jo çdo shkollë – vetëm një. Vetëm Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, atë që për dekada kishte formuar breza me ndjeshmëri e përkushtim kombëtar. Nën urdhrin e “gjeniut konstant”, me logjikën e sunduesit që fillon historinë nga dita “zero”, mbi këtë vatër simbol u lëshua rrufeja politike, duke e etiketuar si “vatër jeniçerësh”. Një gjest që nuk lidhej me buxhetet, nuk lidhej as me truallin , por si një akt hakmarrjeje ndaj çdo vlere që nuk i nënshtrohej pasionit të liderit të ri suprem.
Paradoksalisht, një vend me histori mijëra vjeçare, me një përvojë shteti jo më pak se 90-vjeçare, që kishte mbijetuar nëpër histori të përgjakshme dhe të lavdishme, nisi të sillet si një shtet i sapokrijuar, pa kujtesë dhe pa dinjitet. ‘Fundi i historisë’ se Fukojamës, për një paqe të përjetshme e përbotshme, dukej se po niste nga ne. Duke shkatërruar jo reformuar çdo institucion vetëm shkatërrohej... Dhe për fat të keq apo pa asnjë ide, ata që duhej të mbronin atdheun, u nisën të përgatiteshin jashtë vendit, në akademi të huaja dhe kur përfundonin, do tu duhej të këndonin himne të huaja e të betoheshin para flamujve që të tyret nuk ishin. Një absurditet që, në vetvete, përbën fyerje ndaj çdo koncepti të sovranitetit. Siç shprehet gjenerali i madh Uesley Clark, ish-komandant i NATO-s: “Oficeri i ri përfaqëson mishërimin e kombit në uniformë. Edukimi i tij është akt sovraniteti dhe besnikërie ndaj shtetit.” Nëse ky akt ndodh jashtë kufirit, me vlera të huaja, kombi vetë zbehet në thelb.
A mund ta rrëzosh një simbol të tillë vetëm sepse të kujton një kohë që ti s’ke fuqi ta kuptosh? Askush nuk ka dhënë një përgjigje. Atëherë, ishte vetëm një gjest brutal kundër çdo vlere që mbarti Shqipëria e mëparshme. Ne mungesë të përgjigjes vjen zbrazëtia.. Shkolla “Skënderbej” ishte vendi ku formohej ideali. Aty këndohej himni jo për efekt ceremonie, por si thirrje në zemër. Ishte vendi ku brezat e rinj mësonin se liria nuk është dhuratë, por përgjegjësi. Ajo ishte institucion, por mbi të gjitha ishte kujtesë, por kujtesa, për ata që kanë frikë nga historia, është armiku më i madh. Por, koha rrotullohet, sot, në një botë ku siguria është në rrezik, ku paqja po venitet dhe ku krizat shumëfishohen, më shumë se kurrë kemi nevojë për simbolet tona. Për simbole që na bashkojnë, na orientojnë , na japin një piramidë referimi. Ringritja e Shkollës Ushtarake “Skënderbej” nuk është nostalgji – është rikthimi i logjikës, i dinjitetit dhe i vetëdijes kombëtare. Jo për t’u kthyer pas, por për të ndërtuar sigurte e më mirë përpara.
Një thirrje për rikthimin e Shkollës Ushtarake “Skënderbej” në zemër të kombit. Le të jetë ky 80-vjetor një kambanë për ndërgjegjen kombëtare ku Shkolla Ushtarake “Skënderbej” nuk është vetëm një kujtim – është një mision i ndërprerë dhe ai mision duhet të rifillojë.. Nuk mund të mbrojmë kombin me postime Facebook-u, apo me këngë që zgjasin sa një ndeshje futbolli. Është nevoja për kapacitete reale, ku ato humane janë mbi të gjitha, për shtetarë me ideal, dhe të ruajmë e të ngremë simbolet që i japin identitet kombit. Ajo mund të vlejë shumë më tepër se një shkollë ushtarake, mund të jetë shkollë kombëtare për shtete shqiptare për elita dhe për patriotizëm, kur kemi aq shumë nevojë. Edhe më e pakta duke ringritur simbolet, sepse kur një i tillë e rrëzojnë, rreziku është më i madh, ndërsa kur ai ringrihet, shtohen kolonat që i japin kombit më tepër dinjitet. Koha është tani. Sepse kur bien simbolet, bien në heshtje. Por kur ringrihen – ringjallet kombi.
Kristaq Xharo*: Prof. Dr. në UET ; ish – skendërbegas