Dr. Sofiana Veliu
Prof. Dr. Kristaq Xharo
Një vend përballë emergjencave: a jemi gati? - Një mëngjes i zakonshëm mund të shndërrohet në kaos për pak sekonda. Një tërmet, një përmbytje, apo një zjarr mund të rrëzojnë shtëpi, të bllokojnë rrugë dhe të lënë njerëz të pastrehë e të pambrojtur. Sikurse e kemi parë në tërmetin e vitit 2019, ne zjarre të pakontrolluar e në përmbytje të mëdha, emergjencat nuk na japin kohë për të menduar – ato kërkojnë veprim të menjëhershëm. Por, çfarë ndodh kur ky veprim mungon? Mbrojtja civile është ajo që e ndan një fatkeqësi nga një katastrofë e pakontrollueshme. Në vendet e zhvilluara, mbrojtja civile nuk është vetëm një koncept teorik, por një sistem i integruar, i testuar dhe i gatshëm për të ndërhyrë. Në Shqipëri, megjithëse janë bërë përparime, sfidat mbeten të mëdha. Ndërsa vende si Gjermania, Franca apo Suedia kanë një sistem të centralizuar për menaxhimin e emergjencave, Shqipëria ende lufton me mungesën e pajisjeve moderne, infrastrukturës rezistente dhe koordinimit efektiv në rast krizash.
A ka një model për t’u ndjekur : Sistemi Evropian i Mbrojtjes Civile. Mbrojtja civile në Bashkimin Evropian është pjesë e një mekanizmi të koordinuar që siguron përgjigje të shpejtë dhe efektive në rast fatkeqësish natyrore ose emergjencash të shkaktuara nga njeriu. Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së (UCPM) funksionon si një rrjet solidariteti, ku shtetet anëtare ndajnë burime dhe ekspertizë për të ndihmuar vendet në nevojë (European Commission, 2021). Krahasuar me këtë model, Shqipëria ende përballet me sfida në koordinimin dhe reagimin emergjent. Ndërsa vende si Gjermania kanë ekipe të trajnuara për të ndërhyrë brenda minutave, Shqipëria shpesh varet nga ndihma ndërkombëtare. Përmbytjet e vitit 2021 në Belgjikë dhe Gjermani treguan efektivitetin e UCPM, ndërsa përmbytjet në Shqipëri shpesh kanë ekspozuar mungesën e pajisjeve dhe vonesat në ndërhyrje. Për të përmirësuar mbrojtjen civile, Shqipëria duhet të përafrohet me praktikat evropiane dhe të rrisë kapacitetet e saj emergjente.
Nga tërmetet tek zjarret e përmbytjet: a jemi ne një zone të përhershme rreziku? - United Nations Office for Disaster Risk Reduction (UNDRR, 2020) e vendos Shqipërinë në një zonë me rrezik të lartë për fatkeqësi natyrore, kryesisht për shkak të aktivitetit sizmik, përmbytjeve të shpeshta dhe rritjes së premisave per zjarre pyjore. Sipas vlerësimeve të UNDRR, Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve në Evropë, duke pasur një histori të goditjeve të fuqishme, siç ishte tërmeti i vitit 2019, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme në jetët njerëzore dhe infrastrukturë. Gjithashtu, raporti thekson se përmbytjet janë një kërcënim i vazhdueshëm, veçanërisht në zonat e ulëta të veriut dhe jugperëndimit të vendit, duke ndikuar negativisht në ekonominë dhe jetesën e popullsisë. Përveç kësaj, ndryshimet klimatike kanë rritur rrezikun e zjarreve pyjore, duke ndikuar në mjedisin dhe stabilitetin ekologjik të Shqipërisë. Këta faktorë e bëjnë të domosdoshme forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile dhe përafrimin me standardet evropiane për menaxhimin e emergjencave.
Mbrojtja Civile në kohë lufte: nga Ukraina në Gaza – një paralajmërim edhe për ne. Mbrojtja civile nuk është e rëndësishme vetëm për fatkeqësitë natyrore, por po aq edhe për skenarët më të errët të konflikteve të armatosur. Ukraina, përpara vitit 2022, ishte një vend i qetë dhe i zhvilluar, por brenda pak muajsh, u shndërrua në një zonë lufte. Mijëra civilë u detyruan të fshiheshin në strehime të improvizuara, ndërsa qytetet e tyre u bombarduan. Në Gaza, situata është edhe më e rëndë. Mungesa e një sistemi të mirëfilltë të mbrojtjes civile ka lënë popullsinë të ekspozuar ndaj sulmeve, me spitale dhe qendra emergjence të paafta për të përballuar krizën.
Po Shqipëria? Nëse një konflikt shpërthen në rajon, a kemi strehime të sigurta për civilët tanë? Gjatë Luftës së Dytë Botërore, popullsia u detyrua të strehohej në bodrume apo në male. Gjatë Luftës së Ftohtë u ngrit një sistem I pakrahasueshëm për mbrojtjen e popullsisë. Por sëbashku me mallkimet që mori sistemi, shteti ri anatemoi, apo injoroi mirëmbajtjen e tij duke e braktisur dhe shkatërruar. A jemi më të përgatitur sot? Nëse një konflikt do të ndodhte nesër, a do të mendohet ku do të strehohet popullata? A do të kemi një sistem të organizuar evakuimi, apo do të mbetemi të papërgatitur nëse historia përsëritet? Një kujtesë për mbrojtjen civile, jo vetëm për fatkeqësitë natyrore, por edhe për skenarët e sigurisë kombëtare.
Çfarë Duhet Të Bëjmë? - Nëse duam të shmangim pasojat shkatërrimtare të emergjencave të mundshme, nevojitet një sistem i fortë të mbrojtjes civile që garanton reagim të shpejtë dhe efektiv. Ndërtimi i infrastrukturës rezistente ndaj fatkeqësive është një hap thelbësor, duke filluar që nga rregulla të rrepta ndërtimi për të minimizuar dëmet nga tërmetet, siç kanë bërë vendet e zhvilluara. Po aq e rëndësishme është trajnimi dhe pajisja e forcave të emergjencës me teknologji moderne për një ndërhyrje të koordinuar dhe efikase edhe për përmbytjet e zjarret. Shqipëria duhet të përafrohet me standardet evropiane të mbrojtjes civile, duke shfrytëzuar programet e BE-së për ndihmë dhe bashkëpunim. Gjithashtu, ndërtimi i strehimeve dhe zhvillimi i sistemeve të evakuimit duhet të jetë prioritet për mbrojtjen e popullsisë si në raste fatkeqësish natyrore, ashtu edhe në skenarë konflikti. Së fundmi, edukimi dhe ndërgjegjësimi i popullsisë janë vendimtare për të krijuar një kulturë të reagimit të shpejtë dhe përgjegjësisë kolektive. Vetëm përmes këtyre hapave, Shqipëria mund të garantojë një sistem mbrojtjeje civile të aftë për të përballuar sfidat e së ardhmes.
Në përfundim: A jemi gati për nesër? - Historia na ka treguar se emergjencat nuk pyesin kur vijnë. Një tërmet, një përmbytje, zjarret por edhe lufta – të gjitha mund të ndodhin papritur, dhe në atë moment, vetëm përgatitja mund të bëjë diferencën. Nëse duam një vend të sigurt, duhet të mësojmë nga modelet e suksesshme të mbrojtjes civile në Europë dhe të ndërtojmë një sistem që mund të shpëtojë jetë kur ka më shumë nevojë. Nuk është çështje nëse një emergjencë do të ndodhë, por kur – dhe koha për të vepruar është tani.
*.... Ky artikull, botohet në kuadrin e projektit FloodNorthALB, mbështetur nga Komisioni Europian DG-ECHO Top of Form