Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Ermela Kripa: Domosdoshmëria e një debati mediatik dhe akademik, para anëtarësimit në BE

Shkruar nga Liberale

EKSPERTIZË nga Ermela Kripa: Domosdoshmëria e një debati mediatik

Mungesa e një debati të shëndoshë ekonomik në vendin tonë, veçanërisht një i tillë mungon aty ku duhet të lulëzojë; në oborrin akademik dhe në media si dhe cili duhet të jetë rrugëtimi i  Shqipërisë para anëtarësimit në BE, për të performuar më mirë ekonomikisht

Ermela Kripa*

Siç dihet, media dhe bota akademike janë dy shtylla të rëndësishme në shoqëritë e lira demokratike për të ofruar modele të suksesshme të cilat mund të kopjohen, përmirësohen dhe zhvillohen më tej. Në çdo kohë, debatet politike, ekonomike e sociale vazhdojnë të kenë në thelbin e tyre gjetjen e mjeteve dhe mënyrave për të nxitur rritjen ekonomike si rruga kryesore e zhvillimit ekonomik.

Informimi i saktë e koherent, e drejta e informimit dhe transparenca çon në marrjen e vendimeve të duhura në çdo fushë, e sidomos në atë ekonomike.

Tani që Shqipëria duket gjithmonë e më afër familjes së madhe europiane, sigurisht që një nga çështjet me më shumë peshë do të jetë ajo ekonomike. Sa të informuar jemi mbi ekonominë , vendim-marrjet në këtë fushë dhe modelin që duhet ndjekur për të qenë të suksesshëm.

Ajo që vihet re, jo vetëm tani që në çdo medium mediatik, zgjohemi e flemë me debatin politik në prag të zgjedhjeve të 11 majit, por prej shumë kohësh lidhet me mungesën e debatit konstruktiv ekonomik sidomos në media apo edhe në ambientet akademike. Edhe kur na bie rasti të dëgjojmë një debat të mirëfilltë ekonomik , ai shpesh është i mbytur nga ai politik, shpesh pa asnjë kompetencë dhe tepër kaotik.

Por, ky realitet duhet të shmanget, si një domosdoshmëri që e kërkon koha dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ku ekonomia është parësore, madje më parësore se vetë politika. 

Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mbi ecurinë tonë të deritanishme dhe të ardhmen a mund të themi se jemi aty ku duhet të ishim?

Përgjigja është se ka ardhur koha që politika të ketë një qasje më reale kundrejt fushës së ekonomisë, t’ia lerë këtë fushë ekspertëve, sepse zhvillimi do të vijë prej tyre dhe përgjegjësinë duhet ta kenë ata.

Çelësi i suksesit?

Ndryshimet e shumta globale me të cilat përballet ekonomia e vendit, kanë për qëllim të mbledhin ekspertizë dhe të sugjerojnë rrugë të reja për progres, duke u mbështetur mbi analizimin dhe forcimin e potencialeve të ekonomisë, si dhe në ekzaminimin e themelit të modelit ekonomik. Shqipëria është pjesë e një konteksti ndërkombëtar të udhëhequr, kryesisht, nga një paradigmë ekonomike, e cila, ende e gjen zgjidhjen vetëm nën “pushtetin” e tregut, pavarësisht dështimeve që ky model ka prodhuar në Evropë dhe në mbarë globin.

Megjithë rritjen ekonomike të stabilizuar në Shqipëri në vitet e fundit, ndjekja e kësaj paradigme nuk ka qenë e mjaftueshme për të shfrytëzuar efektivisht potencialin e madh që ofron ekonomia.

Përkundrazi, sektorë premtues, janë ende të pazhvilluar edhe si disa shtete të tjerë evropianë, pabarazia afekton kohezionin social duke sjellë një ndarje jo të drejtë të të mirave publike.

Ndërsa paradigma mbizotëruese ekonomike, që mbivlerëson rolin rregullues të tregut dhe të shtetit ka rëndësi vetëm nëse merr përgjigje konkrete nga veprime specifike të politikës. Në këtë drejtim, kanë rëndësi lidhjet midis fushave të ndryshme të politikave.

Për këtë arsye, tryeza bisedimesh, forumet dhe nxitja e debatit mes ekspertësh të ekonomisë dhe të politikës së vendit janë një domosdoshmëri, ku duhet të përfshihen diskutime mbi çështje të tilla si tranzicioni dhe modeli ekonomik, borxhi publik, qeverisja e mirë dhe investimet, integrimi ekonomik rajonal, modeli fiskal dhe taksimi euroizimi, ndikimi i partneriteteve publike private dhe lidhja midis papunësisë dhe emigracionit. Ekspertiza të tilla janë një ndihmë shumë e madhe dhe mund të shërbejnë si shtylla për diskutimin dhe rishikimin e modelit ekonomik të Shqipërisë.

Forume diskutimi mbi “modelin ekonomik” me akademikë, ekspertë të njohur dhe me kontribut në vendin tonë, përfaqësues nga biznesi, por edhe me pjesëmarrjen e politikës janë të domosdoshme që të shpalosen idetë dhe sugjerimet, mbi politikat që duhen ndërmarrë, për të ndjekur modelin e duhur ekonomik, që të garantojë zhvillim të qëndrueshëm.

Ish-dekane e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, UET

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH