Ekspertizë

EKSPERTIZË/ Emergjencat civile ose fuqia e shtetit në provë: nga parandalimi tek rimëkëmbja...

Shkruar nga Liberale
EKSPERTIZË/ Emergjencat civile ose fuqia e shtetit në provë: nga

Prof. Dr. Kristaq Xharo

Dr. Sofiana Veliu

Gjatë viteve të fundit, bota ka përjetuar tronditje të thella nga një sërë krizash, të cilat kanë vënë në provë forcën dhe zemrën e njerëzimit. Pandemia e COVID-19 goditi papritur, duke kthyer rutinën e përditshme në ankth e pasiguri, ndërsa mijëra familje humbën të dashurit e tyre dhe sistemet shëndetësore arritën limitet. Në anë tjetër, uraganet shkatërruan lagje të tëra në Shtetet e Bashkuara, duke lënë pas qindra njerëz pa strehë. Përmbytjet masive në Pakistan dhe zjarret e pakontrolluara në Australi e Kaliforni i shndërruan zonat e gjelbra në shkreti të djegura e të përmbytura, ndërsa çdo ditë shihnim pamje rrëqethëse të njerëzve që humbnin gjithçka. Këto fenomene nuk janë thjesht lajme tragjike në ekrane televizive; ato janë plagë të prekshme në ndërgjegjen tonë kolektive, duke na kujtuar se si forca e natyrës dhe fatkeqësitë e papritura mund të ndryshojnë përgjithmonë jetën tonë brenda një çasti.

Shqipëria është një vend që është prekur shumë herë dhe rëndë nga emergjencat civile. 26 nëntori i vitit 2019. Një tërmet me magnitudë 6.4 goditi Shqipërinë, duke lënë pas një panoramë të dhimbshme: 51 jetë të humbura, qindra të plagosur, dhe mijëra që humbën gjithçka kishin ndërtuar gjatë jetës së tyre. Fëmijë të përqafuar nga prindërit në çadra emergjente, lot në sy dhe një pyetje që mbetej pezull: "A mund ta përballojmë këtë si shtet?" Në dekadën e fundit, Shqipëria është përballur me sfida të shumta – nga përmbytjet periodike deri te pandemia globale e COVID-19. Por si është përgjigjur shteti ynë këtyre krizave dhe çfarë vlerësojmë për kapacitetet tona si shtet e shoqëri?

Por, çfarë konsiderohen emergjenca civile? - Emergjencat civile janë situata të papritura dhe shpesh herë të jashtëzakonshme që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin nga rreziqe të konsiderueshme. Këto emergjenca mund të jenë natyrore, si tërmetet, përmbytjet dhe zjarret pyjore, ose të shkaktuara nga njeriu, si aksidentet industriale, krizat shëndetësore apo konfliktet sociale. Ato sfidojnë kapacitetet e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë në përgjithësi, duke testuar aftësinë për të parandaluar, menaxhuar dhe rimëkëmbur nga pasojat e tyre. Në mënyrë që të minimizohen dëmet, emergjencat civile kërkojnë një përgjigje të koordinuar, burime të mjaftueshme dhe plane të qarta për veprim të shpejtë

Emergjencat civile jo vetëm vënë në provë fuqinë institucionale të një shteti, por kërkojnë gjithashtu një bashkëpunim të gjerë shoqëror nga parandalimi deri tek rimëkëmbja. Në fazën e parandalimit, është thelbësore hartimi i planeve strategjike dhe investimi në infrastrukturë, në mënyrë që të zvogëlohen rreziqet dhe pasojat e katastrofave. Por, kur godet kriza, mobilizimi i shpejtë i autoriteteve, shërbimeve emergjente dhe qytetarëve bëhet kyç për shpëtimin e jetëve dhe ruajtjen e rendit publik. Procesi i rimëkëmbjes, pastaj, nënkupton jo vetëm rindërtimin e zonave të prekura, por edhe forcimin e kapaciteteve administrative dhe shoqërore për përballimin e fatkeqësive të ardhshme. Kësisoj, çdo situatë emergjente kthehet në një test real për fuqinë e shtetit, dhe, njëkohësisht, një mundësi për të përmirësuar mekanizmat ekzistues me qëllimin e mbrojtjes së jetës dhe mirëqenies së qytetarëve.

Kur toka lëviz: tërmeti i 2019-ës. Tërmeti i 2019-ës është një nga ngjarjet më të dhimbshme në historinë e vonë të Shqipërisë. Dëmet materiale vlerësohen mbi 1 miliard euro, ndërsa mbi 17,000 shqiptarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre (INSTAT, 2020). Por përtej numrave, ajo që mbetet në mendjet e njerëzve janë historitë e individëve: një baba që humbi dy fëmijët e tij, një grua e moshuar që refuzonte të largohej nga gërmadhat e shtëpisë së saj duke pëshpëritur, "këtu është jeta ime". Angazhimi i shtetit, me të gjitha strukturat e tij, ndihma ndërkombëtare, si ajo e Bashkimit Europian, apo vendeve - miq të përhershëm ishte e pazëvendësueshme  për Shqipërinë. Megjithatë, koordinimi i brendshëm institucional u ndodh jo rrallë përballë sfidave serioze, që nga mungesa e pajisjeve për shpëtim deri te shpejtësia për familjet në nevojë.

Përmbytjet: një kërcënim i përsëritur.   Shqipëria përballet rregullisht me përmbytje, sidomos në ultësirën perëndimore. Në vitin 2015, përmbytjet prekën mbi 42,000 hektarë tokë bujqësore, duke shkatërruar ekonominë lokale të mijëra familjeve (UNDP, 2016). Por problemi nuk qëndron vetëm te natyra. Ndërtimet pa leje dhe mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese shfaqen si një bombë me sahat që përsëritet vit pas viti. Në shumë raste, këto ndërtime janë vendosur në zona të prirura ndaj përmbytjeve, duke bllokuar rrjedhën natyrore të ujërave dhe përkeqësuar situatën gjatë reshjeve të dendura.

Ndërkohë, ndryshimet klimatike kanë sjellë reshje më të forta dhe më të paparashikueshme, duke rritur intensitetin dhe frekuencën e përmbytjeve. Përveç dëmeve bujqësore, përmbytjet shkaktojnë humbje të pronës, përkeqësojnë infrastrukturën publike dhe dëmtojnë sistemet e furnizimit me ujë dhe energji. Për shembull, përmbytjet e vitit 2021 në zonën e Shkodrës zhvendosën qindra familje dhe lanë shumë të tjerë pa energji elektrike për ditë të tëra. Nevoja për një plan afatgjatë  për menaxhimin e baseneve ujore dhe përforcimin e argjinaturave do të vazhdojë të mbetet një nga sfidat kryesore. Përmbytjet nuk janë vetëm një krizë natyrore, por edhe një ballafaqim i politikave urbane dhe detyrimit në rritje për masa parandaluese efektive.

COVID-19: një luftë e padukshme. Pandemia globale e COVID-19 tregoi një tjetër fytyrë të brishtë të sistemit tonë. Deri në fund të vitit 2021, Shqipëria kishte regjistruar mbi 200,000 raste të konfirmuara dhe mbi 3,000 vdekje (Ministria e Shëndetësisë, 2021). Në fillim, mbylljet e rrepta dhe masat e distancimit social dukeshin efektive. Por teksa kalonin muajt, presionet mbi sistemin shëndetësor, mungesa e burimeve, dhe vonesat në furnizimin me vaksina e zbuluan dobësinë tonë. "Nuk kishim as maska të mjaftueshme për mjekët," rrëfen një infermiere nga spitali COVID në Tiranë.

Përtej krizës shëndetësore, pandemia si kudo do të shoqërohej edhe me  një tronditje të madhe sociale dhe ekonomike. Mbyllja e aktiviteteve prodhuese  goditi sektorët kryesorë të ekonomisë, si turizmin dhe tregtinë, duke rezultuar në një tkurrje të PBB-së prej 3.5% në vitin 2020 (IMF, 2021). Në zonat rurale, ku qasja në shërbime shëndetësore është më e kufizuar, shumë individë mbetën të pambrojtur, duke ekspozuar pabarazitë ekzistuese. Njëkohësisht, ndikimi psikologjik i pandemisë ishte i thellë, duke përfshirë rritjen e rasteve të ankthit dhe depresionit, veçanërisht te të rinjtë dhe personat që humbën të dashurit e tyre. Ndërsa vaksinimi gradualisht përmirësoi situatën, pandemia la pas një mësim të rëndësishëm: nevojën për një sistem shëndetësor më të fortë, të përgatitur dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.

Zjarret: një emergjencë në kohë të nxehtë. Zjarret në gjithë territorin, veçanërisht në pyje janë një sfidë e përsëritur në vend gjatë muajve të verës, të nxitura nga temperatura të larta, thatësira të zgjatura dhe, shpesh, nga veprimet e pakujdesshme apo të qëllimshme. Vetëm gjatë verës së vitit 2021, mbi 200 zjarre u raportuan në pyje dhe zona rurale, duke shkatërruar mijëra hektarë pyje dhe bimësi (Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, 2021). Zjarret në zona të vështira malore  shkaktuan dëme të mëdha ekologjike, ndërsa në disa raste, flakët kërcënuan edhe zona të banuara. Përgjigja ndaj këtyre emergjencave e ka sfiduar shtetin në  dobësi në pajisjet dhe burimet për shuarjen e zjarreve. Një pjesë e madhe e operacioneve mbështetet ende vetëm te zjarrfikësit lokalë me pajisje të vjetruara dhe ndërhyrja nga ajri është e kufizuar. Edhe angazhimi I forcave të armatosura për shkak të terrenit dhe teknikës së pamjaftueshme jo gjithmonë ka rezultuar efektive. Megjithëse janë marrë masa për të rritur ndërgjegjësimin publik, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë, vendi vazhdon të përballet me sfida të mëdha në menaxhimin e zjarreve dhe në mbrojtjen e pasurisë natyrore.

A jemi gati për të nesërmen?  - Çdo krizë që kemi kaluar është një mësim, por a i kemi nxjerrë mësimet që duhen? Ekspertët thonë se vendi  ka bërë përparime, sidomos në planet për rindërtim pas tërmetit, në rinovimin e teknologjisë, por edhe në bashkëpunimin ndërkombëtar. Megjithatë, dobësitë e koordinimit ndërinstitucional në nivelet qendrore dhe lokale dhe mungesa e ndërgjegjësimit dhe edukimit të popullsisë për situatat e emergjencës mbeten sfida madhore. Po kështu një  sfidë  e vështirë  mbetet  ndikimi i ndryshimeve klimatike, i cili po rrit rrezikun e fatkeqësive natyrore si përmbytjet dhe zjarret.

Nuk mjaftojnë  vetëm plane në letër, por kërkohet  edhe një ndryshim i thellë qytetar e  kulturor, ku banorët dhe institucionet bashkëpunojnë për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Përkundër gjithçka, një gjë është e qartë: morali dhe solidariteti i shqiptarëve, në raste emergjencash janë të pakrahasueshme. Nga banorët që hapën dyert për ata që humbën shtëpitë, te mjekët që punuan pa pushim gjatë pandemisë, tek vetëmohimi i ushtrisë për shuarjen e zjarreve te grupet vullnetare e deri te rinia shkollore e universitare.  Emergjencat civile do të jenë një test i fuqisë së shtetit, por edhe një pasqyrë e humanizmit shpirtëror të një kombit. Dhe pavarësisht sfidave, ka gjithmonë shpresë, besim e mundësi  për një të nesërme më të mirë.

*.... Ky artikull, si edhe artikujt  “A është mbrojtja e ‘infrastrukturës kritike’ si garanci për sigurinë kombëtare?” dhe “Nga rreziqet tek përballja: sfida për një strategji moderne të emergjencave civile” botohet  në kuadrin e  projektit FloodNorthALB,  mbështetur nga Komisioni Europian DG-ECHO

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH