Ornela Çuçi, PhD *
Ora është 07:15 e mëngjesit, dita e dytë e konferencës. Pjesëmarrësit e parë kanë filluar të hyjnë në sallë, por tek hyrja ende ka pritje. Kontrollet e sigurisë janë të rrepta. Një përzierje nervozizmi dhe padurimi ndihet në ajër. Dje në mbrëmje, të gjithë flisnin për këtë sesion. E për këtë arsye, erdha më herët.
Zgjedh një tavolinë ku është ulur vetëm një person. Një vend i mirë për të parë panelin, mendoj. “Kjo është tavolina e izraelitëve,” më thotë ai.
Tavolina e dikujt? Në konferenca të këtij formati, zakonisht nuk ka ndarje të tilla. Nuk them asgjë, thjesht largohem dhe shkoj në një cep tjetër, duke pritur kafen.
Salla mbushet shpejt. Në atë tavolinë, truprojat janë vendosur tashmë në të gjitha anët. Në lëvizjet e tyre ka një lloj qetësie të stërvitshme. Ata nuk duken të shqetësuar, por as të qetë.
Brenda pak minutash, nuk ka më vende të lira. Disa mbeten në këmbë, të mbështetur pranë dyerve. Moderatorja fillon. Në zërin e saj ndihet një lloj pasigurie e fshehtë. Nuk jep detaje për panelistët, vetëm emrat dhe pozicionet e tyre. Mbi ekran shfaqet titulli:
“Beyond the Crises: Prospects for Peace and Progress in the Middle East”
Moderatorja nuk e fsheh aspak sikletin. Diskutimet para panelit nuk kanë qenë edhe aq të frytshme. Të gjithë presin me vëmendje ndërsa i pari merr fjalën gjenerali David Petraeus, ish-drejtor i CIA-s dhe partner në KKR. Ai flet me siguri të plotë, duke ripërsëritur çdo fjali që është dëgjuar më parë nga Trump. "SHBA nuk është më elefanti në dhomë," thotë ai. "Është energjia e dhomës." Ai shton se historia ka humbur shumë mundësi në rajon, por zgjidhja nuk është më multinacionale. Madje, nuk është as një zgjidhje me dy shtete. Fjalimin e tij e mbyll me një fjali të prerë: "Radikalizmi nuk mund të tolerohet më."
Me këtë fjalë e nis edhe Eden Bar Tal, Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Izraelit. "Show radikal në Lindjen e Mesme duhet të marrë fund njëherë e mirë. Një radikalizëm që fillon që në parashkollor dhe vazhdon të ushqehet më tej." Ai nuk përmend asnjëherë fjalën Palestinë. Flet vetëm për rajonin. Sepse sfida, sipas tij, nuk është vetëm me një shtet, por me të gjithë rajonin.
Më pas, merr fjalën Abla Abdel-Latif, drejtoreshë e Qendrës Egjiptiane për Studime Ekonomike. Ajo nuk kthen kokën nga panelistët e tjerë. Thekson që është profesoreshë në shkenca ekonomike dhe se ka ardhur në këtë panel për të folur për të ardhmen ekonomike të rajonit. Por pas dy panelistëve të parë, ajo nuk mund të rrijë pa thënë atë që i vjen natyrshëm: "Palestina edhe para Tetorit të kaluar ka qenë një burg në qiell të hapur." Ajo shtrëngon fort mikrofonin dhe ngrit zërin kur thotë fjalën "vrasje". Nuk mund të ketë zhvillim në rajon, sipas saj, kur ka vdekje masive. "Hamas dhe Izraeli janë dy forca të së njëjtës natyrë," thekson ajo. Por e mbyll duke u rikthyer te çështja për të cilën ka ardhur: "Nuk mund të ketë marrëveshje pa marrë parasysh të drejtën e tokës së palestinezëve."
Ministri izraelit nuk e mbledh dot veten. Merr sërish fjalën. Pas tij, edhe gjenerali. Në sallë nisin pyetjet. Pranë tavolinës së fundit, dy djem rrethohen nga truprojat. Nuk e kuptojmë dot pse. Mikrofoni kalon tek organizatorët. Nuk lejohen më shumë pyetje.
Ndërkohë që u përgjigjet të pranishmëve, ministri ankohet se salla e shikon vëngër.
E fundit që flet është përfaqësuesja evropiane, Oana Popescu Zamfir, drejtoreshë e GlobalFocus Center në Rumani. "Evropa është shumë burokratike, është e vërtetë," thotë ajo me një buzëqeshje si e pafajshme, "por kjo ndodh për të siguruar standardet." Pastaj hedh një frazë që mbetet pezull në sallë: "Evropa nuk është më fare pjesë e negociatave. Dhe për këtë ndjehemi të margjinalizuar. Por pikërisht sepse ndjehemi të margjinalizuar, mendojmë se mund të bëhemi ndërmjetës në këtë konflikt."
Moderatorja kërkon një foto të përbashkët për panelistët. Abla kalon në fund, nuk i jep dorën askujt. Ministri nga ana tjetër. Nuk e kuptojmë dot nëse fotoja u bë apo jo.
Radhë e madhe për të dalë. Tek dera takoj zonjën Abla. "Je grua e fortë," i them, pa e njohur. Më përqafon fort, shumë fort, pa më lëshuar për disa sekonda. Dridhet. Kur shkëputet, më kërkon falje. Nuk e di pse. As vetë ajo nuk e di pse.
Gratë dinë të jenë të forta, paçka nga cila anë e historisë vendosen.
* Paneliste në The Raisina Dialogue 2025
Eksperte në Çështje Mjedisore dhe Politika Publike