Kristaq Xharo*
Një botë në amulli – dhe një Ballkan me skenar tensioni… Për shumë liderë perëndimorë, mjedisi i sotëm i sigurisë ngjan me një ‘déjà vu’ të zymtë – një rishfaqje e hijeve të viteve ’20–’30 të shekullit të kaluar. Dhe vërtetë: agresioni (rus), që përsëritet çdo 6 deri 8 vjet; "tërheqje strategjike" (SHBA), reflektim aleancash; buxhete galopante për luftë, populizëm dhe liderë absolut, organizata ndërkombëtare në ngrirje funksionale dhe ligji ndërkombëtar në karantinë morale. Në këtë mes, zëra të moderuar – ose të alarmuar, nuk ngurojnë të ngrenë flamuj të kuq: Starmer thotë se “bota është në udhëkryqin më të madh të historisë”, Macron paralajmëron “fundin e një epoke dhe fillimin e një të reje”, Ursula von der Leyen deklaron se “siguria jonë është në rrezik” dhe jep zgjidhjen me një mijë miliard euro buxhet ushtarak. E ndërsa vendet europiane po ndërtojnë bunkerë, shpërndajnë postera për mbrojtje nga bombardimet dhe diskutojnë strehimin në raste lufte, në Ballkan – ku historia më tepër se kudo preferon të përsëritet – rajoni bëhet edhe më i turbullt. Është fjala për një rajon që siç thotë Eric Hobsbawm, një nga historianët më të njohur dhe më me ndikim të shekullit XX ‘ ... Ballkani ku shekulli i shkurtër i luftërave të mëdha, përfundoi aty ku kishte filluar...’ .
… dhe Shqipëria: nga fantazia e Fukuyama-s, te skrapimi i arsenaleve të mbrojtjes. Ndërkohë, është e udhës të kujtojmë se Shqipëria, dikur me një sistem të organizuar të mbrojtjes, të ndërtuar me djersë, që prej 1912, anatemoi dhe shkatërroi me entuziazëm çdo mjet e strukturë, deri te fishekët e fundit. Ndoshta, të dehur pas idesë së Fukuyama-s për “fundin e historisë”, ‘Fundi i historisë dhe njeriu i fundit’, në vend të riorganizimit, u zgjodh shpërbërja; në vend të modernizmit u zgjodh Gerdeci. Dhe kështu, në një fat ironik të historisë, Shqipëria si përpara çdo lufte, ndodhet sot me minimumin e kapaciteteve për mbrojtje, në 50 deri 80 vende më larg se fqinjët (shih Indeksi global i fuqisë). Të dëshiruar vetëm për ‘artikullin 5’ të NATO-s, për mbrojtjen nga të tjerët (kolektive) nuk arritëm të lexonin ‘artikullin 3’, nevojën për kapacitete kombëtare. Ju desh presidentit Trump tu mësoi të gjithë vendeve të NATO-s radhën e leximit të Traktatit të Aleancës...Prej pak vitesh, reflektimi ka filluar,. dhe marrëveshja për një orientim strategjik midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës është ndoshta veprimi më i natyrshëm racional në një dekadë paqëndrueshmërie konceptuale në fushën e sigurisë.
‘Smart Defense, dhe jo Smart Offense’, përndryshe, ‘mbrojtje e zgjuar dhe jo sulm i maskuar...’ Për saktësi historike, marrëveshja trepalëshe nuk është ndonjë shpikje ballkanike me ngjyra nacionaliste, por reflektim i drejtpërdrejtë i konceptit të NATO-s për Smart Defense, një filozofi e shpallur që prej Samitit të Lisbonës më 2010. Ajo synon ndarjen e burimeve, shmangien e duplikimeve dhe krijimin e kapaciteteve të përbashkëta për mbrojtje. Në këtë kuptim, ajo që Shqipëria, Kroacia dhe Kosova po bëjnë është të mësojnë nga më të mirët – nga Norvegjia, Holanda, Vishegradi, Franca, Anglia, Gjermania e Italia, madje edhe vendet balltike, që bashkëpunojnë në siguri, pa frikë se po humbasin sovranitet apo po kërcënojnë fqinjët.
Kur fqinjët bashkëpunojnë, Serbia alarmohet... kur fqinjët nënshkruajnë për paqe, dikush përgatitet për skenar lufte... Rajoni ynë, i përmendur aq shpesh në librat e historisë për luftë, se për paqe jeton në avazin e hershëm. Ndërsa Shqipëria, Kroacia dhe Kosova nënshkruan një memorandum për bashkëpunim strategjik – një marrëveshje në përputhje me logjikën euroatlantike të NATO-s për “smart defense” – Beogradi reagoi me alarm. Nuk duhet mohuar se është merita e Presidenti Vuçiç, me tonin e tij të zakonshëm midis dramatizmit dhe paternalizmit, që na dha sensibilitet për vlerën e kësaj marrëveshje, por që shkoi edhe më larg duke paralajmëruar për tensione të rënda dhe përplasje të mundshme.
Sipas kësaj logjike, çdo tryezë ku nuk është Serbia është një konspiracion. Dhe çdo partneritet që nuk e përfshin Vuçiçin është një kërcënim. Duket se deklaratat e tij e qeveritarëve të tjerë tingëllojnë më shumë si një testament emocional i gjendjes së brendshme ku është klasa politike serbe, por edhe nevojës për të drejtuar publikun, që po mbush rrugët e Beogradit, drejt frikës së një kërcënimi të jashtëm, që po i vjen nga bashkëpunimi fqinjësor. Propagandë apo qëndrim strategjik...! Në kontrast me afrimin, Serbia e Vuçiçit vepron sikur çdo bashkëpunim ndërfqinjësor është një skenar për rrethim të Beogradit. Vetëm një strategji mund ta shpjegojë këtë: “nëse nuk mund t’i kontrollosh fqinjët, frikësoji!”
Përse duket kaq i irrituar Vuçiç? – Ndërsa këtë pyetje ja drejtova edhe IA (inteligjencës artificiale) e ajo është ende në kërkim..., mendoj ndoshta sepse presidenti është jashtë skenarit ose ndoshta nuk i mbetet asgjë veçse të anatemojë çdo aleancë që nuk e fton në tryezë. Ndërsa ka meritën për zhurmën që u krijua pas nënshkrimit të memorandumit, ai duke luajtur rolin e viktimës, por gjithnjë të armatosur, mobilizoi retorikën e frikës për të prodhuar ndikim politik. Jo shumë larg në kohë, gjatë publikimit të doktrinës ushtarake nga shtabi i përgjithshëm serb, në fund të vitit 2023, ai do të shprehej: “... Serbia duhet të ketë një kapacitet ushtarak 110% më të madh se të gjitha vendet që e ‘kërcënojnë...Shqipëria, Kroacia, Kosova, Maqedonia bile edhe Mali i Zi...’ si për të thënë: nëse nuk jemi më të fortët, nuk ndihemi të sigurt.
Habia dhe ironia qëndron se askush nga tre shtetet e marrëveshjes (Shqipëri, Kroaci, Kosovë) nuk reaguan ndonjëherë për këtë deklaratë. Për të shkuar pak më tej ka qenë pikërisht presidenti serb ai kërkoi kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë duke flirtuar me idenë e një skenari të stilit Nagorno-Karabak, pas Banjskës. Serbia ka investuar më shumë se 740 milionë euro në armatim, ka një industri ushtarake që tregton armatim në çdo pjesë të globit dhe shprehet e kërcënuar kur fqinjët kërkojnë të mbrohen. Nëse kjo nuk është ofensivë e kamufluar si mbrojtje, atëherë ndoshta ‘smart offense’ po vjen si një koncept i ri serb që NATO s’e ka dëgjuar ende.
Në përfundim: është koha për t’u përshtatur, jo për të frikësuar. Në një kohë kur bota përgatitet për rreziqe të reja, dhe vendet perëndimore flasin për transformim strategjik, Serbia vazhdon të sillet si djali i llastuar i Ballkanit: do të jetë në qendër, ose përndryshe do të përmbysë tavolinën, sjellje që nuk i pranon as historia, as realiteti e as gjeopolitika. Rajoni ka nevojë për partnerë, jo për kontrollorë apo tutorë të vjetër. Ndoshta dhe vetë Mr. Vuçiç e ka kuptuar, por ndryshe nga çfarë dëshiron marrëveshja është “Smart Defense, jo “Smart Offense”, apo qartësisht: quhet ‘mbrojtje me mend, jo sulm me marifet.’
Kristaq Xharo* Prof. Dr. Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Çështjet e Sigurisë në UET