Nga Luiza Pinderi
Tërhoqi vëmendjen kur nisi shpërndarjen e disa badge scanner. E bashkë me to, edhe kuti me materiale përmbledhëse, posetera e fletëpalosje, të branduara me logon e startup-it “EcoBricks Albania”. Gjatë prezantimit të ilustruar me power point, u kujdes të sqaronte çdo detaj të projektit të saj për prodhimin e tullave ekologjike nëpërmjet përpunimit të plastikës: Nga nevoja e mbrojtjes së mjedisit në përputhje me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, te ulja e kostove prodhuese në industrinë e ndërtimit, përfshirja e grupeve vulnerabël, organigrama, kostot financiare, e deri te ndërtimi i një website të kompanisë.
Mes pesë projekteve finaliste të paraqitura më 13 maj në Start Up Week, në Universitetin Europian të Tiranës, juria nuk e pati të vështirë për të dalë me vendimin unanim. Joana Hoxha u shpall fituese duke u veçuar për idenë, novacionin, punën dhe pasionin me të cilën e paraqiti startup-in e saj, duke marrë edhe çmimin financiar prej 1 mijë eurosh nga Instituti Liberal Pashko.
Për studenten e vitit të dytë të masterit shkencor Administrim Biznesi, në profilin Menaxhim Marketingu, bërja pjesë e këtij Start Up Week nuk ishte sfidë. Sfida e vërtetë ishte se çfarë do të sillte të re, çfarë mund të ishte aq novatore, e zbatueshme dhe e dobishme në të njëjtën kohë që i nevojitej dhe i mungonte kontekstit shqiptar. E ndërsa industria e turizmit po jeton në periudhën e saj më intensive, me ndërtime të shtuara dhe kosto të rritur, problemi i ndotjes së mjedisit mbetet çështje e përhershme. Një ndërthurje e këtyre komponentëve do të sillte përfitime si ekonomike ashtu edhe mjedisore e sociale. Joana thotë se startup-i i saj adreson tri nga sfidat më të mprehta të realitetit shqiptar: ndotjen mjedisore nga plastika, përjashtimin social të grupeve vulnerabël dhe ndikimin agresiv të industrisë së ndërtimit.
“Besoj se “EcoBricks Albania” nuk është një ide për të ardhmen e largët. Është një projekt konkret, me potencial të menjëhershëm për zbatim në terren, veçanërisht në ato zona ku plastika është problem kritik dhe ndërtimi është nevojë jetike." Sipas saj nuk mungon as tregu dhe as nevoja, duhet ndërgjegjësimi dhe vullneti për ta kthyer këtë ide në një mision, për të cilin ajo shpreh dëshirën ta realizojë në vitet e ardhshme.
Për të, bota e biznesit është shumë komplekse, dinamike dhe kërkon profesionistë të mirëpërgatitur. Kjo ishte një nga arsyet e para që mendoi kur zgjodhi programin e studimit bachelor Menaxhim Biznesi, profili Menaxhim Organizatash, në Universitetin Europian të Tiranës. Thotë se në këtë mënyrë u pajis me një kuptim të thellë të mekanizmave të brendshëm të funksionimit të një organizate, një sistem kompleks sipas saj, që kërkon jo vetëm efikasitet, por edhe lidership me vizion.
Vijimi i studimeve master në profilin Menaxhim Marketingu, ishte pastaj një rrugë e natyrshme për të zgjeruar njohuritë në një fushë që ndërlidh strategjinë, komunikimin dhe ndërtimin e markës, të gjitha këto të dobishme për nisjen e një sipërmarrjeje.
Gjatë rrugëtimit të saj akademik është mësuar me konkurse, ngjarje, vendime sfiduese, me sfidimin e vetes dhe prekjen e suksesit. Ka qenë nxënëse ekselente përgjatë tre viteve të ndjekjes së gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në Tiranë, duke spikatur me përkushtimin dhe seriozitetin, tipare po aq karakteristike dhe shoqëruese.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, zgjedhja e shkollës së lartë është më e vështira, për shumë të rinj. Joana ia besoi të ardhmen Universitetit Europian të Tiranës, aspak rastësisht. Ishte një zgjedhje shumë e mirëmenduar, atëherë e diktuar nga logoja e këtij universiteti, e tashmë e provuar nga eksperienca e këtyre pesë viteve të cilët kanë qenë sa të ndryshëm aq e dinamik.
“UET nuk ofron thjesht njohuri, ai krijon hapësirë për zhvillim, dialog dhe përgatitje për tregun e punës dhe është një nga të paktët institucione ku studenti shihet si bashkëkrijues i vlerës, jo si përthithës pasiv i saj”, shprehet Joana. Që në fillim, gjeti një ambient ku u përshtat lehtësisht, i cili e ndihmoi të zbulonte shumë cilësi të vetes.
"Nuk mësova thjesht për menaxhimin; mësova të njoh veten, të sfidohem, të rris kurajon për të ideuar, ndërtuar dhe çuar përpara iniciativa që kanë vlerë për shoqërinë.”
Momentin më kulmor të rrugëtimit të deritanishëm universitar, veçon mbylljen e ciklit bachelor. Nuk mundet t’i harrojë emocionet e natës së ceremonisë së diplomimit, gjatë së cilës mbajti fjalën përshëndetëse para pedagogëve, drejtuesve, prindërve e qindra studentëve të diplomuar, si studentja më e mirë e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit.
Për të ekselenca nuk është një destinacion, as qëllim final apo kurorëzim i një projekti, studimi apo vendimmarrjeje. “Për mua është një mënyrë të menduari dhe jetuari. Nuk më ka mjaftuar asnjëherë mirë, nëse diçka mund të bëhej shkëlqyeshëm."
Thekson se grumbullimi i dijes nuk mjafton nëse nuk mat veten apo nëse nuk përkthehet në një produkt konkret, të prekshëm dhe që përmirëson apo ndryshon jetën e komunitetit. Prandaj, herë pas here idetë dhe njohuritë e saj i ka vënë në provë përmes kompeticioneve. “Ideja më e mirë e biznesit” ishte i pari konkurs ku mori pjesë në UET para tre vitesh, në mars të 2022-it, duke u vlerësuar me vendin e parë.
Momenti i dytë, po aq i rëndësishëm dhe mjaft përcaktues në prirjen e saj drejt kërkimit shkencor, ishte pjesëmarrja në “Junior Researcher 2023”, organizuar në rang fakulteti për të dy ciklet e studimit, bachelor dhe master. Fitoi “Çmimin e Presidentit” për temën më të mirë kërkimore. Gjatë viteve, botimet dhe kërkimet e saj shkencore janë botuar në revistat shkencore të UET, si dhe janë prezantuar në konferenca kombëtare e ndërkombëtare.
“Kjo arritje vulosi përfundimisht pasionin tim për kërkimin shkencor”, thotë 23-vjeçarja, duke e parë atë jo si pasion, por si mision për të ndikuar përmes tij në zhvillimet sociale, ekonomike dhe mjedisore të vendit.
Vulosi kështu edhe ëndrrën e saj fëmijnore për të qenë pjesë e botës akademike, jo për të dhënë dije, por për të krijuar dije. “Rruga ime profesionale mbetet një sintezë mes akademisë dhe sipërmarrjes, mes reflektimit kritik dhe veprimit të guximshëm. Është një linjë që jo vetëm e kam ndjekur që e vogël, por që sot e mbaj më të qartë se kurrë.”
E pajisur me aftësi krijuese, analitike, intuitive, organizuese, e mbi të gjitha me një disiplinë gati të hekurt, Joana është gjithmonë në kërkim të të resë. E gjen atë përmes librave, qofshin në fushën e ekonomisë, psikologjisë, çështjeve sociale; përmes udhëtimeve; në bashkëveprimin me të rinjtë e moshës së saj, duke u bërë pjesë e projekteve me karakter komunitar apo përmes pjesëmarrjes në organizime studentore. “Kam një dobësi të veçantë për çdo nismë që përmban fjalën “qëndrueshmëri”, qoftë në natyrë, në zhvillim apo në marrëdhënie njerëzore”, thekson Joana.
“Dija nuk është përgatitje për jetën, është vetë jeta”, citon më tej thënien e preferuar të John Dewey, një filozof dhe edukator amerikan, bashkëthemelues i lëvizjes filozofike të njohur si pragmatizëm. Gjen më së miri veten në këtë rrymë, me dëshirën e fortë për të qenë gjithmonë një zë i fortë i ndërlidhjes së dijes me praktikën.