Teksa teknologjia e Inteligjenca Artificiale bëhen çdo ditë e më tepër pjesë e jetës dhe përditshmërisë sonë, problemi kryesor nuk është më përdorimi apo mohimi i tyre. Koha e mëdyshjes është vjetruar dhe sfida e vërtetë është se si ky novacion të përkthehet në produktivitet, në lehtësi dhe në zhvillim. Në këtë proces, ku çdo segment i shoqërisë vijon punën për maksimizim, institucionet arsimore dhe studiuesit vijojnë nga ana tjetër përpjekjet për të studiuar, zbuluar dhe rekomanduar metodat dhe mënyrat më efektive.
Për të dhënë kontributin e tij, Kolegji Profesional i Tiranës zhvillon Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me fokus përdorimin e novacionit për zhvillimin e industrisë dhe ekonomisë. Profesorë, akademikë, inxhinierë, studiues të rinj të Kolegjit dhe institucioneve të tjera partnere, brenda dhe jashtë Shqipërisë, do të bëhen pjesë e kësaj ngjarje të rëndësishme shkencore, e cila do të mbahet ditën e enjte, më 29 maj, në ambientet e KPT-së.
Konferenca është e ndarë në dy panele diskutimi. Sesioni i parë i teknologjisë, titulluar “Transport, Energy, Industry” do të drejtohet nga rektori i Kolegjit Profesional të Tiranës, Prof. Dr. Andonaq Lamani. Pas përshëndetjes nga drejtues dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare, konferenca do të vijojë me referimin e disa profesorëve të nderuar, të cilët do të flasin për implementimin e novacionit në fushën e energjinë e ripërtëritëse, në industrinë ushtarake, në industrinë mekanike, në fushën e transportit dhe të futjes së automjeteve hibride, në trajtimin e mbetjeve etj.
Kështu do të sjellin gjetjet dhe rekomandimet e tyre: Drejtuesi i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në KPT, Prof. Piro Cipo; Dr. Ing. Ismet Drenova; Msc. Mitat Tola; Prof. Stevan Kjosevski nga Fakulteti i Shkencave Teknike në Universitetin “Nënë Tereza”, Shkup, Maqedonia e Veriut; Ing. Msc. Piro Dhimitri dhe Ing. Msc. Ilir Palushi nga Departamenti Elektro–Mekanike dhe Sistemeve të Aplikuara në KPT; Dr. Ing. Spartak Pocari; Prof. Dr. Ing. Andonaq Lamani; Akademik. Prof. Ilirjan Malollari; Ing. Msc. Stavri Vesho; Ing. Msc. Tauland Spahiu; Prof. Dr. Altin Dorri; Ing.Msc. Ilia Cili Ing. Arben Kasoruho.
Paneli i dytë i është dedikuar tërësisht novacionit dhe do të drejtohet nga Dr. Diana Biba, administratorja e Kolegjit Profesional të Tiranës, e cila gjithashtu do të referojë për integrimin e Inteligjencës Artificiale në mësimdhënie, në procesin e të nxënit dhe në kërkimin shkencor. Referimi i dytë do të jetë nga PhD(c) Ines Troshani për ndërlidhjen e stafeve administrative dhe akademik, si drejtues të novacionit universitar.
Komiteti Shkencor i kësaj konference përbëhet nga emra të nderuar të akademisë, nga pedagogë të Kolegjit Profesional të Tiranës, të Universitetit Europian i Tiranës, nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës dhe nga Universiteti “Aldo Moro” në Bari, Itali.