Data 24 maj 2025 do të mbahet mend gjatë për Taulant Xhakën. Ish-lojtari i Kombëtares së Shqipërisë dhe një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar, i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist, në një ndeshje emocionale që u zhvillua në stadiumin “St. Jakob-Park” në Basel.
Taulanti u përshëndet me duartrokitje të forta nga tifozët dhe shokët e skuadrës, duke u zëvendësuar në minutën e 35-të të ndeshjes ndaj Luzernit. Ishte një moment plot emocione, ku kapiteni i madh i Baselit nuk i mbajti dot as lotët.
I pranishëm në stadium ishte edhe vëllai i tij, Granit Xhaka, ylli i Zvicrës dhe Bayer Leverkusenit, i cili erdhi për ta nderuar Taulantin në këtë ditë të veçantë. Në tribuna ishte edhe Xherdan Shaqiri, ndërsa katër shqiptarë startuan për Baselin: Shaqiri, Taulant Xhaka, Leon Avdullahu dhe Albian Ajeti.
Baseli e mbylli ndeshjen me fitore të thellë 4:0 ndaj Luzernit. Golat u shënuan nga Ajeti (18’), Otele (40’), Kade (55’) dhe Traore (77’). Donat Rrudhani luajti titullar për Luzernin dhe mori karton të verdhë në minutën e 29-të.
Baseli përfundoi kampionatin në vendin e parë me 73 pikë, ndërsa Luzerni e mbylli në vendin e gjashtë me 52 pikë.