Mirlind Daku do të vazhdojë të luajë me Rubin Kazan. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka firmosur një kontratë prej milioneri me klubin rus. 26-vjeçari rinovoi edhe për katër vite të tjerë me këtë skuadër me pagesë sezonale 2.2 milionë euro.
Shifrës i shtohet edhe 1.6 milionë euro pagesë nga Rubin Kazan si bonus nënshkrimi, pa harruar edhe përfitime ekstra që lidhen me arritjen e objektivave në nivel personal dhe ekipor.
Nëse llogariten të gjitha bashkë, Daku do të fitojë diku te 13.5 milionë euro tek Rubin Kazan në 4 vitet e ardhshme.
Sulmuesi në kontratë ka futur edhe një klauzolë largimi në janar të vitit të ardhshëm në rast se ka oferta më të mira.
Për sulmuesin kuqezi gjatë javëve të fundit kishte insistuar fort skuadra e madhe ruse Zenit, por edhe Beshiktashi në Turqi.
Futbollisti nga Gjilani luan prej 2023 te Rubin Kazan, ku në sezonin e fundit ishte madje golashënuesi i dytë më i mirë në kampionatin rus.