Milani dhe Club Brugge janë sërish përballë njëri-tjetrit në merkato, këtë herë për mesfushorin me origjinë shqiptare Ardon Jashari. Ashtu si tre vite më parë me transferimin e Charles De Ketelaeres, edhe tani klubi belg po mban qëndrim të fortë dhe nuk pranon të lëshojë pe lehtë.
Pas arritjes së marrëveshjes me Samuele Ricci, i cili pritet të kryejë vizitat mjekësore së shpejti, drejtori sportiv Igli Tare e ka vendosur Jasharin si objektivin e radhës për të përforcuar repartin e mesfushës.
Por problemi qëndron te kërkesat e larta financiare të Brugge. Edhe pse Jashari u ble një vit më parë për 6 milionë euro, tani belgjianët kërkojnë plot 35 milionë euro për ta lënë të lirë. Milani është gati të ofrojë deri në 30 milionë euro, përfshirë bonuset, por nuk synon të shkojë më tej.
Nga ana e tij, Jashari ka shprehur qartë dëshirën për të veshur fanellën kuqezi, duke refuzuar çdo ide për të qëndruar më gjatë në Belgjikë. Ndërkohë, Club Brugge kërkon ta mbajë mesfushorin të paktën deri në gusht, për shkak të ndeshjeve të “play-off”-it të Ligës së Kampioneve.
Igli Tare nuk dëshiron ta zgjasë më tej këtë negociatë dhe ka vendosur që Jashari të transferohet në “San Siro” sa më shpejt, për t’i dhënë trajnerit Massimiliano Allegri një mesfushë të kompletuar para nisjes së sezonit.
Tani topi është në fushën e vetë lojtarit dhe përfaqësuesve të tij, të cilët pritet të ushtrojnë presion mbi Brugge për të ulur pretendimet dhe për të mbyllur marrëveshjen me Milanin. Pas Riccit, kuqezinjtë synojnë që Jashari të bëhet pjesë e “revolucionit” në mesfushë, që pritet të sjellë freski dhe cilësi në skuadër.